Administrata publike iu nënshtrua partive (Video)

  • 19 April 2018 - 08:21
Administrata publike iu nënshtrua partive (Video)

RAPORTI I PROGRESIT RITHEKSON KRITIKAT 

Haziri: Në institucione ka politizim kolosal me njerëz të dobët, por të dëgjueshëm politikisht 

Politizimi dhe inkriminimi i administratës publike, në Raportin e Progresit për Kosovën theksohet qartazi se mbetet një shqetësim i madh dhe që nga pas lufta po ndikon negativisht në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës. Ndërkaq, sipas analistëve, e tëra kjo po ndodh, ngase të gjitha qeveritë në Kosovën e pasluftës, si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror, kushdo që vjen në pushtet po e përdor me të madhe administratën publike për punësime politike, familjare e nepotike, dhe duke lejuar që administrata publike të funksionojë "përtej e mbi ligjin "tërësisht e inkriminuar dhe e dirigjuar dhe e ndikuar nga mafiopolitika dhe nëntoka kriminale, duke mos respektuar ligjet dhe duke shkelur të drejtat e qytetarëve në të gjitha segmentet. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të tyre, se çka thotë Avokati i Popullit për ankesat kundër administratës publike të shtetit si edhe çka thonë në Ministrinë e Administratës Publike për këto çështje, zyrtarë e tyre, me gjithë telefonatat e bëra, nuk janë përgjigjur me arsyetimin se vështirë se do të kthejnë përgjigje nga agjendat e ngjeshura.

Politizimi i madh, performancë e dobët

Analisti politik, Arsim Haziri tha për " Kosova Sot" se në një institucion ku mungon profesionalizmi menjëherë nënkupton për një politizim kolosal, pasi ai në vete përfshin njerëz të dobët, por të dëgjueshëm politikisht. "Është pikërisht kjo mendësi që akoma po i mban në pushtet, dhe përderisa ka shpërputhje mes pozicionit dhe ushtruesit të saj, Kosova s'ka për të prekur procese pozitive. Pavarësia profesionale, përfshirë edhe administratën publike, rregullohet ose do të jetë në shërbim të qytetarë vetëm kur vendin e politikës ose udhëheqësisë e zë tjetër mendësi", theksoi Haziri. Ndërsa, analisti Ilir Fetahu, për " Kosova Sot", tha se Raporti i Progresit na tregon qartazi se Qeveria e Kosovës duhet që ta marrë seriozisht vërejtjen dhe duhet që ta shqyrtojë Ligjin për Qeverinë e Kosovës ku do të përcaktohej numri i ministrive në vend dhe do të reduktohej një numër i madh i stafit politik, kurse me stafin civil duhet pasur kujdes, sepse ata nuk mund të largohen nga puna. "Administrata publike duhet që të jetë më efikase dhe që të investohet më shumë në edukimin e tyre dhe trajnimet e tyre dhe ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që të jenë konkurrentë me rajonin dhe me BEnë, sepse përafërsisht është një administratë e re dhe mund të investohet në të", vlerësoi Fetahu. 

Të gjitha partitë kanë gisht në punësimet jomeritore

Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi tha për " Kosova Sot", se administrata në Kosovë është shumë e politizuar. "Secila parti që erdhi në pushtet i ka sjellë njerëzit e vet në administratën e shtetit duke i punësuar dhe kjo është bërë për shkakun e votës. Por, e keqja është se me këtë rast janë krijuar qytetarë klientelistë, të cilët mbështesin këtë apo atë parti, me të vetmin qëllim për ta kapur një vend pune në administratë", theksoi ai. "Po ashtu, një çështje tjetër që është më bizare, është fakti se administrata apo shteti është punëdhënësi kryesor dhe më i madh, ku edhe pagat janë shumëfish në sektorin publik sesa në atë privat dhe kjo është bërë për qëllime politike për të fituar partia dhe individët e caktuar. Andaj, kjo do të vazhdojë përderisa në skenë do ta kemi këtë kastë politike, përfshirë edhe pozitën dhe opozitën, kush më keq e kush shumë më keq", shtoi më tutje Kelmendi. "E para, që duhet bërë është të bjerë nga pushteti kjo kastë e politikanëve dhe veç saj, edhe duhet që të hapen dosjet e kritereve të punësimit dhe jo të jenë të punë- suar njerëzit nga partitë e ndryshme, por në kushte të barabarta, kjo është krejt normale, se fundja kjo ndodh edhe në Evropë", tha ai. "Por, e keqja është se këta njerëz, që janë të punësuar në Televizionin e Kosovës ose në PTK, nuk ka rëndësi se kanë qenë shumë të padijshëm dhe madje janë punësuar njerëz pa fije diplome", potencoi Kelmendi. 

Qytetarët kërkojnë meritokraci

Të gjithë qytetarët e anketuar nga ana e gazetës, thonë se ata i besojnë Raportit të Progresit që e thotë qartazi se në Kosovë kemi politizim të skajshëm të Administratës Publike që nga pas lufta e deri më sot. Rufki Ballazhi, për gazetën" Kosova Sot", tha se këto konstatime të Raportit të Progresit qëndrojnë dhe ato pa asnjë dyshim se e pengojnë rrugë- timin e Kosovën për në BE. "Patjetër që duhet hequr dorë nga këto dukuri negative të politizimit të administratës publike, por me këtë garniturë politikanësh që i kemi në pushtet dhe që e ka krijuar këtë fenomen është vështirë të pritet të ndryshojë diçka për të mirë. Andaj, ajo që na nevojitet është nevoja që të vijnë forca të reja në pushet që do t'i eliminojnë këto të meta. Sepse, pa eliminimin e këtyre dukurive nuk do të na pranojnë në BE, sepse Evropa si dihet ka rregulla strikte", theksoi ai. Kurse, qytetari Ismet Namani për gazetën "Kosova Sot" thotë se e vetmja rrugë që na shpie drejt integrimeve evropiane është lufta kundër korrupsionit. "Ne duhet të jemi shumë të arsyeshëm dhe realë, që do të thotë se nuk duhet të flasim, por të veprojmë, ngase nevojitet që të vijnë njerëzit e duhur në vendin e duhur", vlerësoi ai Edhe qytetari Islam Veliu,për gazetën"Kosova Sot", thotë se vlerësimet e Raportit të Progresit për Kosovën janë të sakta. "Farefisit mund t'i ndihmosh edhe në mënyra të tjera, por jo që t'i zësh vendin një profesionisti, andaj kjo është njëra nga të këqijat në administratën e Kosovës që nga pas lufta e deri më sot", u shpreh ai. Sipas tij, do të jetë vështirë që të çrrënjoset kjo dukuri, sepse jemi një vend i vogël.

(Kosova Sot)