Skandali i pushtetarëve për shfuqizimin e Speciales godet rëndë Kosovën (Video)

  • 23 April 2018 - 07:35
Skandali i pushtetarëve për shfuqizimin e Speciales godet rëndë Kosovën (Video)

KRITIKA TË MËDHA NGA DASH PËR TENTATIVËN E TURPSHME LIDHUR ME GJYKATËN SPECIALE

Badallaj: Këta mashtrues dhe hajna të popullit kanë rënë nën ndikimin e këlyshit të UDB-së serbe, Baton Haxhiu

Edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, sikurse dhe raporti i Komisionit Evropian, e kanë shënuar dhe e kanë kritikuar nismën e udhëhequr nga presidenti Hashim Thaçi,nw bashkwveprim me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, të dhjetorit të vitit të kaluar,duke instrumentalizuar deputetët në Kuvendin e Kosovës, për shfuqizimin e dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale. Analistët politikë vlerësojnë se tani të dyja këto raste flasin mjaft se sa e ka dëmtuar dhe do të vazhdojë ta dëmtojë akoma më shumë shtetin e Kosovës skenari i fundvitit të kaluar për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale nga Hashim Thaçi në bashkëveprim me Haradinajn dhe Veselin dhe, sipas tyre, në regji të Baton Haxhiut. Edhe përkundër përpjekjeve dhe pyetjeve dërguar Baton Haxhiut, ai nuk i ka kthyer përgjigje gazetarit lidhur me akuzat e bëra në adresë të tij. Sipas analistit Bislim Aliu, është një minus i madh që tani dy fronte të mëdha të vendimmarrjes së fuqishme ndërkombëtare, aleanca serioze të Kosovës, japin nota kaq negative për këtë aferë të politikës kosovare në fundvitin e kaluar. "Edhe Raporti i Departamentit Amerikan të shtetit, po ashtu edhe ai i Komisionit Evropian, kanë kritikuar nismën e tre liderëve shtetërorë, presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, si dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, në dhjetor të vitit të kaluar, për shfuqizimin e dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale. Pra, në raportin e DASH-it është përfshirë edhe nisma e 22 dhjetorit të vitit 2017, të një grupi deputetësh për shfuqizimin e Ligjit për themelimin e Gjykatës së Posaçme, nga e cila do të trajtohen pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë. Sipas raportit, disa parlamentarë thanë se kanë vepruar nën udhëzimet e udhëheqëse partiakë", është shprehur ai.  

Komploti i Hashimit dhe argatëve të Beogradit

Sipas veprimtarit Ibrahim Kelmendi, ajo tentativë që tani po përmendet në raportet ndërkombëtare ishte një komplot serioz i kurdisur jashtë kufijve të Kosovës, kundër shtetit të Kosovës, por edhe vetë aleatëve që ndihmuan çlirimin e Kosovës. "Unë kam mendim krejt tjetër nga të tjerët dhe prandaj mund të keqkuptohem. Komploti i 22 dhjetorit kundër "Gjykatës Speciale" nuk kishte për motiv nxitjen e trazirave për të shpëtuar Hashimin nga aktakuza dhe burgosja, por po zbatohej urdhri që marionetat kuislinge duhet të kenë marrë nga Beogradi për të penguar fillimin e shqyrtimeve të akuzave të shpifura që kishin bërë Serbia dhe miqtë e saj kundër UÇK-së. Arsyeja tjetër ishte shkaktimi i një irritimi sa më të madh të qeveritë e shteteve që kanë kontribuar në çlirim të Kosovës dhe në shtetësi të saj, meqë ato tashmë ishin dhe janë të interesuara të shqyrtohen sa më shpejt ato akuza të shpifura që ishin bërë në Këshill të Evropës. Serbia, Rusia, shtetet mike të tyre dhe shtetet antiamerikane, anëtare në Këshillin Evropian, donin të hakmerreshin kundër Aleancës Veriatlantike për bombardimet që u kishin bërë objekteve ushtarake e policore serbe, njëherësh donin ta komprometonin atë aleancë, si bashkëveprimtare të UÇK-së, e cila, sipas akuzave të shpifura të tyre, paskësh bërë krime monstruoze, deri edhe tregti me organe të serbëve që UÇK i paskësh zënë robër e vra gjatë lufte në Kosovë. Ky duhet të ketë qenë synimi kryesor dhe ndoshta përfundimtar. Dhe ia patën arritur", është shprehur Kelmendi. Ai shton se Serbia, shtetet mike të saj dhe shtetet antiamerikane nuk janë të interesuara që "Gjykata Speciale" t'i shqyrtojë akuzat e shpifura, meqë do të diskreditohen se kishin shpifur vetëm për të imponuar atë rezolutë."Përndryshe, sidomos Hashim Thaçi nuk ka pse t'i frikësohet kësaj "gjykate speciale", meqë ai ka "alibi" juridike: angazhimin e tij si marionetë, spiun e komplotist i shërbimeve serbe dhe franceze, të cilat juridikisht kishin të drejtë të angazhonin spiunë e komplotistë kundër "organizatës terroriste", siç e (dis)kualifikonin pothuajse të gjitha shtetet UÇK-në, deri në mars 1999, pra edhe USA, Anglia, Gjermania, Franca, Italia. Fatmirësisht komploti i Hashimit dhe argatëve të Beogradit, të subordinuar nën komandë të Hashimit, dështoi! Uroj që "Gjykata Speciale" t'i shqyrtojë sa më shpejt ato akuza të shpifura të Serbisë dhe serbofilëve - që UÇKja të pastrohet edhe juridikisht në planin ndërkombëtar!", theksoi analisti Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

QARRI: ORKESTRIMI I SKENARIT TË FUNDVITIT TË KALUAR NËN REGJINË E NJERËZVE TË UDB-SË, SI BATON HAXHIU ME SHOKË, PO E DËMTON RËNDË SHTETIN E RI TË KOSOVËS

Minus të madh ka marrë shteti i Kosovës nga këto dy raporte, duke u fiksuar në shumë të gjetura, e specifikisht edhe te loja me Specialen, edhe sipas analistit Gani Qarri."Në mënyrë të veçantë dhe formën më të ashpër u kritikua sidomos nisma e dhjetorit të vitit të kaluar e tre liderëve kryesorë të shtetit, si presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, për shfuqizimin e njëanshëm të dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale. Kjo edhe bëri që njëjtë, si në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ashtu edhe në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, të kritikohet aq fort nisma e 22 dhjetorit të vitit 2017, për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës së Posaçme, që pritet të trajtojë pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë, e iniciuar kinse nga një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës, të cilët pas dështimit deklaruan vetë se kanë vepruar nën udhëzimet e udhëheqësve aktualë politikë të vendit. Kështu që me plot të drejtë, sidomos Departamenti Amerikan i Shtetit ",në raportin e vet specifikon se veçanërisht orkestrimi i skenarit të fundvitit të kaluar nën regjinë e njerëzve të UDB-së, si Baton Haxhiu me shokë, për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nga Hashim Thaçi në bashkëveprim me Ramush Haradinajn dhe Kadri Veselin,jo vetëm se ende po e dëmton rëndë, por do të vazhdojë edhe më tej ta dëmtojë shtetin e ri të Kosovës, duke humbur besimin edhe tek miqtë më të mëdhenj ndërkombëtarë. Si rrjedhojë e krejt kësaj, deri më tani, kjo ishte tentativa më e paskrupullt, me skenar kërcënues për shtetin e Kosovës, e cila megjithëse e orkestruar pa sukses nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, dëshmoi katërçipërisht se ata janë të gatshëm që t'ia fusin edhe flakën këtij vendi, vetëm e vetëm që ta mbajnë pushtetin me çdo kusht, të paprekur, dhe të shpëtojnë Hashim Thaçin me çdo çmim nga Gjykata Speciale, në kurriz të Kosovës", theksoi Qarri për "Kosova Sot".

BADALLAJ:POPULLI NUK DUHET TË FLEJË, POR TË NGRIHET KUNDËR TRADHTISË DHE DËMIT QË PO I BËJNË VENDIT KËTA MATRAPAZË, DILENXHINJ DHE TRADHTARË TË VENDIT

Sipas analistit Reshat Badallaj, kjo garniturë e atyre që provoi ta atakojë specialen tani e ka vendin në koshin e plehrave, sepse gjykimet po vijnë me raportet ndërkombëtare."Faji i këtyre matrapazëve për interesa te tyre personale, kundërshtetërore dhe kundër interesave të qytetarëve, ka bërë që të marrim edhe shuplakën e radhës për shkak të këtij grupi banditësh. Këta nuk mund të jenë persona që përfaqësojnë shtetin. Këta dilenxhinj e kanë për të shpëtuar lëkurën e tyre nga frika se do t'u ikën pushteti dhe nuk do të kenë mundësi për të vjedhur dhe pasuruar edhe pse janë bërë super milionerë në vjedhje. Sherri më i madh dhe fajin që nuk do t' ia falë historia këtyre vagabondëve është se këta mashtrues dhe hajna të popullit kanë rënë nën ndikimin e këlyshit të UDBsë serbe, Baton Haxhiu. Ky këlysh i Jovica Stanishiqit, Baton Haxhiu, vepron sipas direktivave të qarqeve serbe dhe paguhet për këtë argat dhe për ta hallakatur Kosovën. Edhe në qoftë se i del flaka vendit, këta nuk do të jenë të kënaqur. Këta kanë qëllimin e pushtetit, kolltukut dhe kinse për interesa serbe. Tupani bie për ata që kanë veshë… Qëllimet e këtyre mashtruesve, matrapazëve, janë se si të shpëtohet lëkura e Hashim Thaçit. Por u pa që për një bisht helmues të tij nuk mund të digjej vendi për dëshirën e këlyshit, hajnit, spiunit të UDB-së dhe të tradhtarit, BATON HAXHIU, por tani për në koshin e plehrave janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe tyxhari Ramush Haradinaj. Populli nuk duhet të flejë, por të ngrihet kundër tradhtisë dhe dëmit që po i bëjnë vendit këta matrapazë, dilenxhinj dhe tradhtarë të vendit", theksoi analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot".

Hashim Thaçi në panik

Reale i sheh të dyja këto raporte për fokusin e tyre kritik edhe analisti Blerim Burjani."Raporti i KE-së, sikurse edhe ai i DASH-it, është objektiv dhe është përshkrim besnik i asaj që ka ndodhur në Kosovë, duke pasur parasysh joseriozitetin, frikën dhe panikun e Hashimit dhe të tjerëve që janë gjendur dhe gjenden në situatë të pa lakmueshme me këtë gjykatë. Ka edhe shumë gjëra që përmenden në raport, e të cilat ndikojnë negativisht në rrethana integrative të Kosovës në BE: politika e dështuese që udhëheq vendin, politikë zhvatëse ndaj buxhetit, zhvillimi i një korrupsioni të instaluar zyrtarisht sistem shtetëror dhe shumë gjëra të tjera negative janë përmendur aty e që e kanë sjellë këtë qeveri në pozitë ikjes. Pra, kjo qeveri do të duhej të ikte sa më parë", është shprehur ai për "Kosova Sot".

KELMENDI: E TËRË NOMENKLATURA E ISH-UDBASHËVE, SI DHE TË FAMILJEVE TË SHËRBYESEVE TË OKUPATORIT, JANË VENDOSUR NË POZITAT KYÇE TË SHTETIT

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thekson se është fakt që të dyja raportet shprehin pakënaqësi për ngecje të theksuara në të gjitha fushat, si në drejtësi arsim, në shëndetësi, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e në veçanti tërheqin vërejtjet në polici, në prokurori dhe në gjykata. "Në fakt këtu është edhe krimi i lartë ndaj shtetit dhe të drejtës, sepse e tërë nomenklatura e ish-udbashëve, si dhe të familjeve të shërbyeseve të okupatorit, janë vendosur në pozitat kyçe të shtetit. Kjo në njërën anë dhe në anën tjetër kapja e tyre nëpërmjet kërcënimeve ka krijuar vartësi totale të policisë, të prokurorisë dhe të gjykatave. Në raport dhe me punën e bërë nga politika nuk qëndron vetëm fakti i ikjes nga përgjegjësia para Gjykatës Speciale, por qëndron pikësynimi i sundimit dhe të krijimit të bazës së fortë politiko-ekonomike në kuadër të klikave të formuara. Nga ideja se paraja e dirigjon politikën brenda dhe jashtë iu kanë futur punës së tillë. Tash shihen mjetet e vjedhura që po harxhohen për propagandë, për mediet elektronike, për libra e paçavure të pavlerë, as historike dhe as politike, sikundër edhe te vizitat dhe shëtitjet nëpër botë, kudo në vendet më të shtrenjta", është shprehur Kelmendi. "Raporti duhet t'ua hapë sytë masave të gjëra të popullit tonë. Kjo sepse ai e ka në dorë çdo politikan dhe ai duhet t'i dënojë me votë elementët e tillë në politikën e Kosovës. Në Kosovë ka vend dhe mundësi për korrigjime. E kjo arrihet vetëm me VETTING, por ky VETTING duhet të kryhet në kuadër të politikës, kudo nëpër subjektet politike", është shprehur profesor Muhamet Kelmendi për gazetën "Kosova Sot".

Qytetarët, me zë kritik ndaj liderëve që luajtën me imazhin e shtetit

Gazeta ka zhvilluar edhe intervista blic me qytetarët rreth kritikave që janë bërë në të dyja raportet, për tentativën e zhbërjes së Gjykatës Speciale nga treshja e liderëve dhe krerëve të institucioneve të shtetit të Kosovës. Qytetarët kryesisht e kanë parë si veprim të nxituar dhe të pamenduar mirë formimin e Gjykatës Speciale vetëm në baza etnike kundër krimeve të dyshuara se i kanë kryer shqiptarët dhe nuk janë përfshirë në të krimet monstruoze serbe, tani tentativë për ndryshim të njëanshëm, vetëm për të shpëtuar disa individë nga kjo gjykatë, shihet se veprim që i ka dëmtuar raportet e shtetit të Kosovës me miqtë ndërkombëtarë, gjë që nuk është dashur të bëhet. Sipas Qytetarit Isa Gashi, loja me Specialen ka qenë lojë e pafalshme për këtë lidership që nuk e ka menduar mirë fillimin e pastaj janë penduar për shkak të frikës së individëve të caktuar. "Gabimin në fillim e kanë bërë që e aprovuan, por gabimin edhe më të madh e bënë kur deshën për ta penguar, ajo është veprim shumë i keq nga ata që e kanë marrë atë iniciativë, sepse tash po duket që edhe Evropa edhe krejt bota po na kritikon, herë po e bëjmë e herë s'po e bëjmë. Unë si njeri i thjeshtë që jam, po ta kisha bërë këtë gabim, për mua shumë gabim i madh do të ishte e jo ta bëjë këtë gabim udhëheqësja jonë, kryetari, kryeministri e këta të tjerët, shumë gabim të madh kanë bërë", tha qytetari Isa Gashi. Edhe Sylejman Haziraj, qytetar, tha se kjo lojë e liderëve të shtetit ka qenë e pamatur, e pamenduar dhe në dëm të shtetit, prandaj pasojat po duken tani."Këto janë kushtëzime nga ndërkombë- tarët, si nga Bashkimi Evropian edhe nga shtetet e tjera, edhe nga ata që nuk na kanë njohur, për arsye se ne gjërat që i kërkojmë ose duhet të jemi shumë këmbëngulës ose nuk duhet të mos jemi fare këmbëngulës. Atë që nuk mund ta bëjmë ashtu siç duhet më këmbëngulësi, atëherë duhet të lëshojmë rrugë, sepse vetë i kemi thirrur ata që të na ndihmojnë, ne i falënderojmë për ndihmën që na kanë dhënë, por këto situata të tilla nuk na nevojiten", tha Sylejman Haziraj për "Kosova Sot". Kështu mendon edhe qytetari tjetër, Sami Tërnava. "Gjykata Speciale është katastrofë për Kosovën, një gjë që nuk ka ndodhur, një gjë që është mveshur, kjo është keq, shumë vendim i gabuar ka qenë që është aprovuar, por tani ajo nuk mund të zhbëhet dhe është gabim shumë i madh po të provohet të zhbëhet tani, është gabim edhe më i madh", tha Tërnava për "Kosova Sot". Ai tha se tani janë disa interesa të individëve këtu që kanë provuar ta bëjnë pengesën e kësaj gjykate, por sipas tij është një rrugë pakrye e kujtdo që tani ka provuar ose provon që ta fusë Kosovën në konflikt me faktorin ndërkombëtar për këtë temë të miratuar dhe të pamenduar mirë me kohë. "Me ndërkombëtarët nuk bën të hyhet në konflikt, sepse ndërkombëtarët na kanë ndihmuar për t'u çliruar, nuk bënë të futemi në konflikt për hatër të askujt, sepse ata na kanë ndihmuar shumë për çlirimin e vendit", tha Sami Tërnava. Gazeta i ka dërguar pyetje edhe Baton Haxhiut, që të deklarohet rreth atyre etiketimeve që i bëhen nga analistët dhe opinionistët e gazetës, por ai nuk ka kthyer asnjë përgjigje në pyetjet e dërguara nga gazeta.

(Kosova Sot)