Bandat e pushtetit bllokojnë NIVELIMIN E PAGAVE (Video)

  • 17 May 2018 - 10:51
Bandat e pushtetit bllokojnë NIVELIMIN E PAGAVE (Video)

ANARKI SHTETËRORE E PUBLIKE NË INSTITUCIONE DHE NP

Qeveritarët shohin veç se si t'ia rrisin vetes rrogën

"Edhe kësaj radhe ky kryeministër nuk është gjë tjetër, por vazhdimësi e tyre ose edhe më i turpshëm sesa paraardhësit e tij, i cili që në ditët e para të ardhjes së tij tentoi në mënyrë arbitrare që ta rrisë pagën e vet", u shpreh eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi për " Kosova Sot

L igji për pagat në sektorin publik mbetet në sirtarë, ndërsa abuzimet e dikastereve dhe kompanive të ndryshme publike nuk kanë të ndalur. Analistët tregojnë se si paguhet një kirurg sa një recepsionist në PTK, apo një anëtar bordi merr për një mbledhje në muaj sa një profesor i UP-së. Veç saj, menaxherët e NP-ve që punojnë me humbje marrin rroga marramendëse. Ligji për pagat, edhe pse i aprovuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetor 2016, ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Zëdhënësi i Ministrisë së Administratës Publike, Zeqir Bekolli, në përgjigjen e dhënë për gazetën " Kosova Sot", tha se shpjegimet përkatëse duhet që të kërkohen te Qeveria, Kuvendi dhe Ministria e Financave. Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), për gazetën "Kosova Sot ", tha se patjetër që Ligji për pagat duhet që të aprovohet sa më parë në Kuvendin e Kosovës, së bashku edhe me reformën në Administratën shtetërore. "Gjendja e NP-ve tona është shumë e rëndë dhe ato po shkojnë drejt kolapsit, andaj normalizimi apo zbritja e pagave nëpër këto NP duhet që të bëhet me kujdes", theksoi ai.

Pushteti arbitrar sheh veç xhepin e vet

Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për " Kosova Sot ", tha se nga kjo Qeveri nuk kemi çfarë të presim. "Edhe kësaj radhe ky kryeministër nuk është gjë tjetër, por është një nga vazhdimësitë e tyre ose edhe më i turpshëm sesa paraardhësit e tij, i cili që në ditët e para të ardhje së tij tentoi në mënyrë arbitrare që ta rrisë pagën e vet", u shpreh ai. "Institucionet publike, ndonëse nukpunojnë asgjë, marrin paga shumë të mëdha sikurse që është rasti i Postës, ai i Bordit të KEK-ut dhe Trustit Pensional që kanë paga shumë më të mëdha sesa profesorët universitarë, doktorët dhe shkencëtarët dhe kjo është bërë për t'i ngopur dhe për t'i mbajtur afër vetes dhe nën kontroll militantët e vet partiakë, prandaj e tërë lufta për pushtet është e shkollës së modelit sovjetik dhe deri diku është instaluar edhe në Turqi, kurse në mënyrën më perfekte këtu në Kosovë e ka instaluar Hashim Thaçi dhe për t'u vazhduar e për t'u shëmtuar më tutje nga Ramush Haradinaj", vijoi më tutje Kelmendi. Ndërsa analisti i politikës, Ali Hertica, tha për " Kosova Sot", se nga ky projektligj më së shumti do të përfitojnë Administrata dhe Drejtuesit e Gjykatave që pagat e tyre të rriten, pas vendimit për rritje të pagave të zyrtarëve të lartë të shtetit. "Projektligji për pagat ishte miratuar në Qeverinë e kaluar 'Mustafa', në fund të vitit 2016, dhe u pat proceduar në Kuvendin e Kosovës, por mbeti në heshtje, e cila nuk dha shpresa për sektorët dhe institucionet e shtetit", theksoi ai.

Qytetarët, të irrituar nga abuzimi skandaloz

Qytetarët kanë kritika për anarkinë dhe abuzimin me pagat në sektorin publik. Qytetari Shefki Muqolli tha për " Kosova Sot", se Ligji për pagat duhet aprovuar sa më parë. "Duhet të ketë ligj të rregullimit të pagave dhe akteve nënligjore. Në çdo shtet normal pagat e mësuesve mësimdhënës dhe gjykatësve dhe mjekëve kanë status të veçantë dhe kanë për qëllim largimin e korrupsionit, sepse nëse kanë paga të mira ata nuk kanë arsye që të futen në korrupsion dhe pasurim të jashtëligjshëm", theksoi ai. "Këta pushtetarët tanë i kanë bërë rrogat e mira për vete dhe kanë gjetur moduse të tjera që të pasurohen, kurse për popullatën askush nuk ka menduar fare. Sepse në asnjë mënyrë nuk ka logjikë që një mjek i mirë, një kirurg mos të japë kontributin e vet aty ku e merr rrogën, por atij i duhet që të punojë edhe në disa klinika të tjera, në mënyrë që të sigurojë të ardhura për mbijetesë", vlerësoi ai. "E themi lirshëm se në Kosovë ka humbur logjika e qeverisjes me vendin. Qeveri nuk ka, kjo nuk është Qeveri, por është një anarki në shoqëri dhe një mjerim për ne, që e kemi pasur këtë fat të keq", u shpreh Muqolli. Edhe qytetari Abdyl Maxhuni tha për " Kosova Sot', se kjo laramani e pagave në institucione nuk është e logjikshme fare, sepse duhet që urgjentisht të bëhet nivelimi i pagave kudo sipas kualifikimit, përvojës së punës dhe niveli i pagave të paguhet në një institucion 2-3 mijë euro, kurse në institucionin tjetër kanë paga të ulëta. "Nëpër borde nuk e di se me çfarë logjike po paguhen me nga 2-3 mijë euro, kurse paga mesatare në Kosovë është 250 euro", u shpreh ai. Sipas Maxhunit, nga ana e Kuvendit të Kosovës duhet që të miratohet urgjentisht Ligji për pagat dhe më pas të bëhet nivelimi i pagave sipas përgatitjeve shkollore dhe aftësive menaxheriale.

(Kosova Sot)