BEQIRI: NUK SHKOHET NË KOMPROMISE PËR SHKAK TË PRESIONIT NGA JASHTË (Video)

  • 18 May 2018 - 16:28
BEQIRI: NUK SHKOHET NË KOMPROMISE PËR SHKAK TË PRESIONIT NGA JASHTË (Video)

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ismet Beqiri, nga radhët e LDKsë, thekson se ky proces nuk do të ishte dhe nuk duhet të jetë fare i vështirë nëse vërtet përfillet vetëm interes e shtetit të Kosovës dhe nuk shkohet në kompromise, për çfarëdo arsye të mundshme, qoftë të presionit nga jashtë apo edhe për interes personal, e që këto së fundmi as që duhet të vihen në agjendë të bisedimeve, por duhet të mbrohet vetëm interesi i shtetit.

"Sa i përket asaj varet se nga cili kënd shikohet, që është proces i vështirë apo jo. Unë nuk mendoj që është proces i vështirë, për arsyen e thjeshtë, ne jemi shtet dhe na kanë njohur shtetet më të fuqishme, edhe aspirata jonë është legjitime dhe legale; për të qenë pjesë e mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtarë, kështu që pse do të duhej të jetë proces i vështirë. Këtë le ta mbajnë në përgjegjësi ata që bisedojnë dhe nuk është fare e vështirë, por gjithmonë në koordinim dhe në përkrahje të miqve tanë që i kemi, që realisht kanë qenë korrektë deri më tani me neve dhe janë vazhdimisht mbështetësit tanë kryesorë", potencoi ai.

Sa u takon dyshimeve se Thaçi mund të bëjë kompromise për shkak të frikës nga Gjykata Speciale, ai thotë se nuk i di këto gjëra, por kjo më së paku i duhet një lideri dhe një figure që ka marrë role dhe pretendon të marrë akoma më shumë përgjegjësi përfaqësuese për bisedime në emër të shtetit dhe mbrojtjes së interesave të tij

. "Unë nuk e di a është zoti Thaçi apo jo në listë, sikurse që nuk e di për askënd, por një gjë e di që në asnjë rrethanë ai nuk mund të flasë në emër të Kosovës nga prizmi personal, i situatës së tij eventuale, jo vetëm ky, por askush tjetër nuk e ka këtë mandat për të folur, aq më tepër nga të qenit eventualisht peng, por unë nuk e them që është peng, sepse nuk e di këtë. Mendoj që proces i vështirë mund të jetë vetëm për Serbinë, në kuptimin e e të qenit peng të një nacionalizmi të vet",tha Ismet Beqiri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)