Qeveria, një klub zhvatësish partiakë (Video)

  • 23 May 2018 - 10:36
Qeveria, një klub zhvatësish partiakë (Video)

MASHTRIMI ELEKTORAL PO SHIHET EDHE NË KOALICIONIN NË PUSHTET

Demokracia e ka humbur kuptimin në Kosovë

"Pushteti në Kosovë shihet si përfitim, jo edhe shërbim, dhe devijimi nga kjo agjendë është dëmtim për tërë shoqërinë. Pikërisht kjo mendësi ka rrudhur tërë asetet publike dhe Kosovës pothuajse në mënyrë të kënaqshme nuk i funksionon asnjë dikaster", vlerësoi analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot"

Që nga paslufta e deri më sot, kjo klasë politike kosovare ka probleme të mëdha me demokracinë dhe të njëjtit nuk duan as ta kujtojnë dhe as ta mendojnë se pushteti duhet të jetë në shërbim të qytetarit, e jo për t'i pasuruar qeveritarët. Analistë politikë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, por edhe qytetarë të anketuar pyesin se deri kur në Kosovë do të sundojnë "të fortët" e nuk do të ketë sundim të ligjit. Njohësit e rrethanave politike pyesin se si shpjegohet fakti se kryeministri aktual dhe ekipi i tij i sotëm derisa ishin në opozitë akuzonin ishQeverinë 'Mustafa' se Kosova është një vend i varfër për të pasur qeveri kaq të madhe dhe se zvogëlimi i kabinetit qeverisës është një domosdoshmëri, se nuk duhet të ketë më shumë se një zëvendësministër për ministri, ndërsa vetë i shtuan këto pozita. Sipas analistëve politikë, vlerësohet se takimi me zëvendësministrat që i bëri Haradinaj është edhe një farsë e radhës, por edhe një fakt shtesë se me këtë qeveri pushteti në Kosovë ka degraduar skajshëm edhe më shumë se që dikur mendonim se është e mundur.

"Të fortët" sundojnë

Në përgjigjen e Zyrës për komunikim me publikun në Zyrën e kryeministrit të Kosovës lidhur me temën që po trajtohet nga ana e gazetës "Kosova Sot", mes tjerash, thuhet se Qeveria e Kosovës ende nuk e ka një ligj që përcakton konditat e funksionimit të saj. Shtrohet pyetja se pse ky ligj për Qeverinë nuk u procedua në Qeveri dhjetë vjet dhe tek tash, nën qeverisjen e Ramush Haradinajt, duket se po merr rrugëzgjidhje?! Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma), për gazetën "Kosova Sot" tha se klasa politike e Kosovës e ka vështirë që të përshtatet në rregullat e demokracisë në rregulla e norma, që nënkupton transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi juridike."Kjo bëhet për shkak të interesave të ngushta, ngase tashmë është bërë zakon që të qëndrosh në politikë duhet që të jesh i fortë ose t'i kesh punët më mirë sesa që se je brenda kuadrit ligjor", u shpreh Hoti. Ndërsa analisti politik Ali Hertica tha për "Kosova Sot" se qeveria është degraduar tërësisht me njerëz analfabetë në pozita drejtuese dhe politikanët janë duke i përbuzur zgjedhësit e tyre."Kjo është një qeveri e madhe megalomane me mbi 78 zëvendësministra të Qeverisë 'Haradinaj' të një heroi të gjallë, i cili e akuzonte qeverinë 'Mustafa' për neglizhencë dhe paaftësi, por tani shteti thuajse është kapur nga të ashtuquajturit 'të fortët'", theksoi ai. Ndërsa analisti Arsim Haziri theksoi se politika e sotshme me çdo kusht shihet si mundësi ekonomizimi dhe këtë e kanë praktikuar pothuajse të gjitha partitë politike. "Pushteti në Kosovë shihet si përfitim, jo edhe shërbim, dhe devijimi nga kjo agjendë është dëmtim për tërë shoqërinë. Pikërisht kjo mendësi ka rrudhur tërë asetet publike dhe Kosovës pothuajse në mënyrë të kënaqshme nuk i funksionon asnjë dikaster", vlerësoi ai. Sipas tij, Kosova është vend i praktikave negative, vend ku nuk ofrohet perspektivë sociale, vend ku ekziston hendek i madh ndërmjet shoqërisë dhe politikës.

"Përgjegjëse për gjithë këtë degradim është politika e pandërgjegjshme, politika që është parë si mundësi përfitimi", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot" 

"Është bërë zakon që të qëndrosh në politikë, pasi duhet që të jesh i fortë, ose t'i kesh punët më mirë sesa që je brenda kuadrit ligjor", u shpreh Enver Hoti për "Kosova Sot"

Qytetarët të irrituar

Përveç analistëve politikë, deputetëve të Kuvendit, edhe qytetarët e vendit janë shumë të pakënaqur me sjelljet e lidershipit kosovar të pasluftës. Nga ana e tyre po thuhet se kjo klasë politike ka probleme me demokracinë. Qytetari Isen Ademi nga Prishtina tha për "Kosova Sot" se kjo klasë politike që nga paslufta nuk ka ndryshuar në qeverisjen e tyre asgjë, sepse me të ardhur në qeveri ata nuk mendojnë fare për popullatën, por vetëm për veten e tyre dhe xhepat e vet. "Ajo që është më kryesorja me këtë klasë politike është fakti se me këta politikanë demokraci të mirëfilltë nuk ka pasur e nuk ka. Por që të vjen deri te një demokraci e mirëfilltë, ku do të ketë sundim të ligjit dhe do të bëheshim shtet në plot kuptimin e fjalës, neve na nevojitet një ndryshim radikal i kësaj klase politike për momentin", u shpreh ai. Edhe qytetari tjetër nga Prishtina, Fehmi Xhakaj, për 'Kosova Sot' tha se qytetarët kanë përgjegjësi, sepse kudo në botë ndërrohen pushtetet e jo të njëjtit tash e gati 20 vjet."Unë i kam humbur shpresat. Po e them nga përvoja sepse kam pasur punë në të gjitha institucionet në komunë, në gjykata. Por, shpresa vdes e fundit, sepse këdo që ta zgjedhësh të gjitha janë të njëjta dhe nuk ke askënd që ta votosh, andaj i kam humbur shpresat në pushtetarët tanë që po mendojnë vetëm për veten e tyre dhe janë bërë njerëz mbi ligjin, ngase e ndiejnë veten shumë të fortë e nuk i frikohen askujt", theksoi Xhakaj.

(Kosova Sot)