Skandali i pagave, të shkarkohen GJYQTARËT E KUSHTETUESES (Video)

  • 13 June 2018 - 11:24
Skandali i pagave, të shkarkohen GJYQTARËT E KUSHTETUESES (Video)

Antikorrupsioni kundërshtoi, Gjykata mbështeti Qeverinë

"Ky vendim është skandaloz dhe shumë problematik, prandaj kjo gjykatë duhet të kursehet nga vendime të tilla. Gjyqtarët e kësaj gjykate duhet të shkarkohen nga posti për këtë skandal dhe mosdije për të interpretuar çështjen e pagave", potencoi Blerim Burjani për "Kosova Sot"

Analistë të fushës së drejtësisë dhe të politikës, por edhe deputetë të opozitës, vlerësojnë se edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës është e politizuar, pasi që e njëjta gjykatë i jep të drejtë qeverisë në dyfishimin e pagave, përmes një vendimi të mëhershëm, të cilin Agjencia Antikorrupsion e kishte vlerësuar si një konflikt të pastër interesi, në bazë të ligjeve në fuqi. Analistët thonë se edhe vetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë pasur konflikt interesi, pasi që rritja e pagave nga qeveritarët ka efekte të menjëhershme edhe te sektori i drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Së këndejmi nga njohësit e kësaj fushe thuhet lirshëm se pushteti ia legalizoi vetes përmes Gjykatës Kushtetuese rrogat dy mijë e tre mijë euro, ndërsa shumica e qytetarëve kosovarë mezi po ngopen me bukë, me dy-tre qind euro të ardhura mujore. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, ditën e martë, tha se numri i pushtetarëve të cilëve u është rritur paga është shumë më i vogël në krahasim me 600 gjyqtarët dhe prokurorët. Ai tha se pagat me rritje do të merren nga marrja e vendimit. Numri i pushtetarëve është shumë i vogël, por këtu përfitojnë 600 gjyqtarë dhe prokurorë. "Sot përkrahja më e fuqishme u ka shkuar pjesëtarëve të sundimit të ligjit", u shpreh ai. Haradinaj ka komentuar edhe vendimin që shefi i AKI-së të marrë pagë edhe pesë vjet pas përfundimit të mandatit. "Nuk lihet shefi i AKI-së, shefi që i ka çipat nuk lihet i pambuluar", vlerësoi ai.

Vendim i dyshimtë

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për gazetën "Kosova Sot" tha se është i çuditshëm një vendim i tillë dhe i dyshimtë, kur dihet se kudo në botë kjo punë, pra rritja e pagave, iniciohet nga Ministria e Administratës Publike dhe vendoset nga Kuvendi."Nëse kabuxhet të mjaftueshëm, do të rriten gjithmonë pagat krye në vete dhe pa ndonjë akt rregullativ, këto gjëra janë anarkike, kjo nënkupton çfarë politike e ke", theksoi ai."Ky vendim është skandaloz dhe shumë problematik, kjo gjykatë duhet të kursehet nga vendime të tilla. Gjyqtarët e kësaj gjykate duhet të shkarkohen nga posti për këtë skandal dhe mosdije për të interpretuar çështjen e pagave", potencoi Burjani. Ndërsa analisti politik, Naim Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" tha se pas këtij vendimi nuk ka më asnjë dyshim se edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës është e politizuar. "Kjo pasi që e njëjta gjykatë tashmë në njëfarë forme edhe po i jep të drejtë Qeverisë së tashme 'Haradinaj' që të bëjnë dyfishimin e pagave, përmes një vendimi të mëhershëm", u shpreh ai. Sipas Kelmendit, një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës aq më tepër është i habitshëm, pasi që ky vendim i Qeverisë së Kosovës nga ana e Agjencisë Antikorrupsion ishte vlerësuar të jetë si një konflikt i pastër interesi, në bazë të ligjeve në fuqi. Prandaj analisti politik Kelmendi vlerëson se me këtë vendim të tyre kjo na tregon se edhe vetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë pasur konflikt interesi pasi që rritja e pagave nga qeveritarët ka efekte të menjëhershme edhe te sektori i drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. "Pas këtij vendimi mund të thuhet lirshëm se pushteti ia legalizoi vetes përmes Gjykatës Kushtetuese rrogat dy mijë e tre mijë euro, ndërsa shumica e qytetarëve kosovarë mezi po ngopen me bukë, me dy-tre qind euro të ardhura mujore", theksoi ai.

Gjykata u tregua e politizuar

Deputeti i opozitës, Ismajl Kurteshi, për gazetën "Kosova Sot" tha se Gjykata Kushtetuese nuk u deklarua as pro e as kundër, ngase nuk e kanë shqyrtuar kërkesën e Lëvizjes 'Vetëvendosje'. "Nuk mendoj se është legalizim i pagave, por është një ikje nga përgjegjësia e Gjykatës Kushtetuese. Andaj edhe nuk mund të them se Gjykata Kushtetuese është e politizuar dhe instrumentalizuar, por sipas bindjes sime nuk e ka kryer detyrën e saj. Prandaj kjo i bien sipas thënies popullore "jo buka po kulaçi', ngase mund të jetë ashtu", vlerësoi ai. Edhe qytetarët e vendit thonë se janë shumë të pakënaqur me vendimin e Kushtetueses për rritjen e pagave të Qeverisë. Sipas tyre, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese ajo ia legalizoi pushtetit dhe vetes rrogat dy mijë e tre mijë euro, ndërsa shumica e qytetarëve kosovarë mezi ngopen me bukë, me dy-tre qind euro të ardhura mujore. Ilir Muharremi për "Kosova Sot" tha se një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese është për çdo kritikë, ngase ata do të duhej që të merrnin për bazë pagat e pushtetarëve tanë që janë më të larta në rajon. "Do të duhej nisur nga sektori publik dhe ai privat që i paguajnë shumë pak. Prandaj, nuk ka qenë dashur që të rriten pagat e qeveritarëve tanë. Ndonëse jemi shteti më i varfër në globin tokësor, pushtetarët tanë pa asnjë fije turpi shkojnë me rroga maksimale në rajon, kurse popullata mezi po i marrin nga 200 deri 300 euro të ardhura mujore", ka theksuar ai.

(Kosova Sot)