Republika në duart e bandave, drejtësia një dështim skandaloz! (Video)

  • 18 June 2018 - 10:20
Republika në duart e bandave, drejtësia një dështim skandaloz! (Video)

Republika në duart e bandave, drejtësia një dështim skandaloz!

DENONCIMI I ASHPËR I ISH-ZYRTARIT TË LARTË TË UNMIK-UT: ELITA POLITIKE, E LIDHUR ME ELITAT KRIMINALE 

Kelmendi: Nuk ka prokurori që ka guxim për të hapur hetimet ndaj klanit 'Pronto'

"Këta banditë dhe mafio-oligarkë e kanë bërë ZAP shtetin dhe e kanë vjedhur deri në palcë dhe bile kanë bërë konkurrencë të madhe se kush po e vjedh më shumë. Dhe, këtyre bandave të rrezikshme shtetërore, të krimit të organizuar të kanaleve të nëntokës kriminale, askush nuk ka guxuar t'ua prishë as tymin e duhanit, sepse edhe ky sistem i kalbur gjyqësor, qyqar, memec e mjeran, është në të njëjtën valle të krimit të organizuar", thotë analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot"

Ish-zyrtari i stafit ndërkombëtar në Kosovë, dr. Andrea Lorenzo Capussela, i cili ka punuar në Kosovë si shef i kontrollit ndërkombëtar, në një intervistë për mediumin gjerman 'Dojce Velle', mes tjerash, ka theksuar se e gjithë administrata publike në Kosovë është shumë e politizuar, e korruptuar dhe e sunduar nga klientelizmi dhe nepotizmi. Sipas tij, problemi këtu është se elita politike e Kosovës dhe ajo ekonomike janë të lidhura shumë me elitat kriminele."Ekzistojnë shqetësime se ato janë qarqe që i mbivendosen njëratjetrës… Ka shumë indikatorë që thonë se elita politike është e involvuar në korrupsion dhe krim të organizuar. Edhe pas dhjetë vjetësh asnjë figurë e rëndësishme politike nuk është arrestuar ose nuk janë zhvilluar hetime, ose nuk janë çuar në gjyq për asnjë nga këto krime...", ka thënë mes tjerash Capussela. Duke u bazuar në këtë denoncim kaq të hapur publik, analistët politikë e shohin me shqetësim këtë gjë dhe shtrojnë pyetjet se deri kur qytetarët do të vuajnë nga mossundimi i ligjit në Kosovë; deri kur do të kemi administratë publike tërësisht të politizuar, të inkriminuar, të korruptuar dhe të sunduar nga nëntoka kriminale si dhe a do të sillen ndonjëherë para drejtësisë pushtetarët e inkriminuar, të cilët janë të lidhur me "elitat" kriminale, gjegjësisht me mafinë kriminale? Capusella thotë se elitat kriminale dhe ato politike i mbivendosen njëratjetrës. Analistët pyesin se çfarë bën Prokuroria në Kosovë për të gjitha këto fakte të ditura tanimë për dy dekada rresht, e sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit, ku edhe pse pas dhjetë vjetësh jemi si shtet i pavarur, asnjë pushtetar i nivelit të lartë, e që janë aktivë politikisht për afro 2 dekada pa ndërprerë, nuk janë arrestuar ose nuk janë zhvilluar hetime ose nuk janë çuar në gjyq për asnjë nga këto krime të rënda që i kanë bërë? Analistët pyesin gjithashtu se si i kanë ndërtuar politikanët kryesorë perandoritë financiare, ndërsa ata dyshojnë se shuma të mëdha kanë përfunduar në parajsat fiskale, atje ku të gjithë sundimtarët i fshehin zakonisht miliardat e tyre. Sipas mendimit të tyre, krejt kjo është si rrjedhojë e mungesës së një drejtësie të guximshme, e cila po mundëson që Kosova të sundohet nga mafia e nëntokës kriminale.

QARRI: PUSHTETARËT E INKRIMINUAR TË LIDHUR FORT ME MAFINË KRIMINALE, NUK DO TË KETË KUSH T'I SJELLË PARA LIGJIT!

Analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se dëshmive pa mbarim se krimi i organizuar dhe mafia vazhdojnë të sundojnë mbi vendin iu shtua edhe një zë me renome, ai i ish-zyrtarit ndërkombëtar, Andrea Lorenzo Capussela, i cili për një kohë jo të shkurtër ishte shef i kontrollit ndërkombëtar. "Ai, bazuar në përvojën disavjeçare në një intervistë dhënë për 'Deutsche Velle', mes tjerash, theksoi me të drejtë dhe arsye se:"… E gjithë administrata publike në Kosovë është shumë e politizuar, ajo është e korruptuar, e shantazhuar dhe e sunduar nga klientelizmi dhe nepotizmi galopant. Madje problemi nuk përfundon as me kaq, por për fat të keq këtu edhe elita politike e Kosovës dhe ajo ekonomike në vend është e lidhur këmbë e krye me klanet kriminale. Ato jo vetëm se janë qarqe që i mbivendosen njëra-tjetrës…por ka shumë indikatorë që dëshmojnë se edhe vetë elita politike është e involvuar thellë në korrupsion dhe krim të organizuar", tha ai për 'Kosova Sot'. Sipas Qarrit, vetë kjo deklaratë tregon më se miri se, përkundër të gjitha përpjekjeve, ende edhe pas dhjetë vjetësh të kaluar, mjerisht asnjë figurë e rëndësishme politike nuk është arrestuar, nuk janë zhvilluar hetime ndaj personave të inkriminuar, as nuk janë gjykuar, apo vendosur ata në bankën e të akuzuarve, për asnjë nga këto krime, dhe kjo ndikon edhe te humbja e besimit qytetar në shtet e drejtësi. "Ndaj, nëse populli i Kosovës edhe më tej shikon në heshtje të gjitha këto zhvillime, anarkia aktuale do të shndërrohet në një pikëpyetje, më të madhen deri më tani, se deri kur në realitet qytetarët e vendit do të vuajnë nga mossundimi i ligjit në Kosovë. Pra, shteti ynë i brishtë do të vazhdojë të shfrytëzohet dhe të keqpërdoret edhe më tej nga po kjo administratë publike tërësisht e politizuar, e inkriminuar, e korruptuar dhe sunduar, e dirigjuar nga nëntoka kriminale, ndërsa pushtetarët e inkriminuar, të cilët vendosin mbi çdo gjë dhe janë të lidhur fort me "elitat" e krimit të organizuar dhe mafinë kriminale, nuk do të ketë kush t'i sjellë para ligjit", u shpreh ai."Përderisa vetë Capusella thotë se elitat kriminele dhe ato politike i mbivendosen njëra-tjetrës, nëse popullsia nuk reagon me demonstrata dhe protesta për rrëzimin e "elitave" të tilla të inkriminuara, të cilat janë vendosur mbi ligjin dhe kanë kapur çdo segment të shtetit, pakalueshëm lind pyetja se kujt i shërben tani dhe çfarë në të vërtetë bën prokuroria në Kosovë për të gjitha këto fakte të ditura tanimë për 2 dekada rresht, e sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit, që nuk reagon, as vepron pothuajse në asnjë rast, sidomos kur janë në pyetje të ashtuquajturit 'peshqit të mëdhenj'", theksoi ai. "Politikanët kryesorë, përveçse kanë ndërtuar lirshëm perandoritë e tyre marramendëse financiare, dyshohet se shuma të mëdha parash nga ata kanë përfunduar edhe në parajsat fiskale, atje ku të gjithë sundimtarët i fshehin zakonisht miliardat e tyre të dyshimtë, neglizhencë e cila vjen pikërisht si pasojë e mungesës së një drejtësie të mirëfilltë dhe të guximshme, e cila për gjithë këto vite anashkalon ligjin dhe mundëson që Kosova edhe më tej, pa të drejtë, të sundohet nga mafia dhe nëntoka kriminale", tha Gani Qarri për "Kosova Sot".

KELMENDI: DUHET TË FUTET URGJENTISHT NË VEPRIM SPASTRIMI I RADHËVE NGA POLITIKA E TË KORRUPTUARVE, POLICIA, PROKURORIA DHE NGA GJYKATAT

Prof. Muhamet Kelmendi thotë se tani është pikëpyetje e madhe se a do të sillen para drejtësisë pushtetarët e korruptuar dhe mafiozët ekonomikë, sepse kjo varet shumë nga interesat e faktorit ndërkombëtar, përkatësisht nga BE-ja dhe SHBA-të."Nëse këta dy faktorë bashkohen dhe dëshirojnë të ndërtojnë një shtet funksional, të pavarur dhe besimdhënës ndaj forcave progresive në botë, në kuadër të ndërtimeve demokratike, vendi duhet të pastrohet e të shërohet. Në të kundërtën, brenda vendit, nuk kemi forca të kualifikuara dhe moralisht të nivelit, ndonëse jashtë pushtetit ka për të luftuar krimin dhe korrupsionin ekonomik dhe politik", u shpreh ai."Nuk ka prokurori që ka guxim për të hapur hetimet ndaj klanit 'Pronto' dhe Hashim Thaçit. Kemi këtu shumë forma dyshuese të krimit dhe të korrupsionit. E kjo duhet me anën e shtetit ligjor të hetohet e të luftohet. Pa shtet ligjor nuk luftohen korrupsioni dhe as krimi. Me fjalë dhe me propagandë nuk ndërtohet shteti ligjor. Këtë duhet thënë edhe për ligjet e vendit. Kosova ka ligje të mira dhe ka edhe njerëz të mirë, por, ata të mirët që dinë, duan dhe mund t'i fusin ligjet në funksion, duhet lejuar të futen në pushtet. E pushteti nuk spastrohet në format e tashmë të punës. Kemi thjeshtë vetëm kamuflim edhe nga ana e prokurorisë dhe e gjykatave. Në Kosovë duhet të futet urgjentisht në veprim spastrimi i radhëve, edhe nga politika e të korruptuarve, edhe nga policia, nga prokuroria dhe nga gjykatat", vijoi më tej Kelmendi për "Kosova Sot". "Faktet ekzistojnë, mjaftojnë vetëm pasuritë që i kanë këta për të dyshuar në veprimtari antiligjore dhe të zhvillohen hetimet e të hapen gjykimet në vend", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot

GURAZIU: E GJITHË ADMINISTRATA PUBLIKE E KOSOVËS, E KORRUPTUAR DHE E SHANTAZHUAR!

Sipas Ragip Guraziut, është fakt i pamohueshëm dhe konstatim i saktë i z. Capussela se gjithë administrata publike e Kosovës, e korruptuar dhe e shantazhuar edhe pas 10 viteve e mbuluar nga problemet e politizuara, të inkriminuara dhe që askush deri më tani nuk ka dhënë kurrfarë përgjegjësie, kështu që krimet ekonomike nuk kanë të ndalur. "Ekzistojnë shqetësime se ato janë qarqe që i mbivendosen njëra - tjetrës dhe ka shumë indikatorë që mund të tregojnë se elita politike është e involvuar në korrupsion dhe krim të organizuar. E për këtë më së miri flasin faktet e "letrës së bardhë", ku edhe pse kemi kaluar plot dhjetë vjet në pavarësi të plotë si shtet, nuk e kemi asnjë figurë të rëndësishme politike që është akuzuar, arrestuar dhe dënuar, madje as nuk janë zhvilluar hetime së paku meritore, nuk janë çuar në gjyq për asnjë nga këto krime për të cilat dihet e flitet publikisht", vijoi më tutje ai."Është një njollë shumë e keqe për shtetin e Kosovës kur po shihet ashiqare se edhe ndërkombëtarët janë në dijeni se nga po shkon ekonomia dhe politika e këtij shteti, që po quhet Kosovë, bile edhe shtet me Kushtetutë, Qeveri e Kuvend, por pa asnjë lëvizje përpara, as në sektorin e drejtësisë dhe as në atë ekonomik, që është sektor më i ndjeshëm për zhvillimin e një shteti, por që po degradohet dita-ditës", potencoi Guraziu. "Tani edhe qytetari më i painformuar po dyshon se nuk kemi shtet serioz, ngase po shihet ashiqare se si i kanë ndërtuar politikanët kryesorë perandoritë financiare, ndërsa dyshohet se shuma të mëdha kanë përfunduar në parajsat fiskale, atje ku të gjithë sundimtarët i fshehin zakonisht miliardat e tyre. Është pikërisht mungesa e një drejtësie të guximshme që po mundëson që Kosova të sundohet nga mafia e nëntokës kriminale", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

BADALLAJ: BANDAVE TË RREZIKSHME SHTETËRORE TË KRIMIT TË ORGANIZUAR TË KANALEVE TË NËNTOKËS KRIMINALE ASKUSH NUK KA GUXUAR T' IA PRISHË AS TYMIN E DUHANIT!

Analisti Reshat Badallaj thotë se këta banditë dhe kryebanditë, pa më të voglin dyshim dhe pa pasur frikë fare, nga majat e larta të shtetit, pra nga Presidenca, Qeveria bandite e hajdute, Kuvendi i faqes së zezë dhe bandat politike, janë rrjeti më i rrezikshëm kriminal jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin. "Këta banditë dhe mafio-oligarkë e kanë bërë ZAP shtetin dhe e kanë vjedhur deri në palcë dhe bile kanë bërë konkurrencë të madhe se kush po e vjedh më shumë. Dhe, këtyre bandave të rrezikshme shtetërore të krimit të organizuar të kanaleve të nëntokës kriminale askush nuk ka guxuar t' ia prishë as tymin e duhanit, sepse edhe ky sistem i kalbur gjyqësor, qyqar, memec e mjeran, është në të njëjtën valle të krimit të organizuar", tha Badallaj për "Kosova Sot".

Hertica: E gjitha elita politike është e involvuar në korrupsion dhe krim të organizuar ekonomik!

Ndërsa analisti Shefik Shkodra thotë se një pjesë të madhe të përgjegjësisë e mbajnë edhe këta faktorë e individë ndërkombëtarë që tani dalin e flasin, pasi po e mbarojnë misionin e tyre të dështuar në Kosovë, prandaj përgjegjësia nuk është vetëm e politikës dhe institucioneve të Kosovës."EULEX-i dhe të tjerët do të duhej ta dinin se sa lëndë janë të paguara me dhjetë mijë vjet pa u shqyrtuar fare. Një pjesë të fajit e bartë edhe Bashkësia Ndërkombëtare, sado që investimet e tyre kanë qenë të pandërprera për Kosovën", tha Shkodra për "Kosova Sot". Kurse analisti politik Ali Hertica thotë se krejt ky rrjet kriminal është ndërtuar dhe instaluar duke u fshehur secili veprim politik e institucional nga llogaridhënia dhe mungesa e transparencës. "Shumë pak të dhëna veprimi në institucione ka pasur dhe ka për qytetarët, kemi pasur dhe kemi politikanët e korruptuar dhe vetja e tyre e prestigji janë më të rëndësishme se mendja dhe vullneti i popullit. E gjitha elita politike është e involvuar në korrupsion dhe krim të organizuar ekonomik. Edhe pas dhjetë vjetësh asnjë figurë e rëndësishme politike nuk është arrestuar, nuk janë zhvilluar hetime, ose nuk janë çuar në gjyq për asnjë nga këto krime", u shpreh ai për "Kosova Sot". Analisti Bislim Aliu thotë se karshi këtyre denoncimeve të z. Capussela, drejtësia duhet të marrë vetiniciativë dhe të veprojë."Nuk ka asnjë dilemë se këtu problemi është se elita politike e Kosovës dhe ajo ekonomike janë të lidhura shumë ngushtë me elitën kriminale. Ka shumë indikatorë për këtë që thonë se elita politike është tejet e involvuar në korrupsion dhe krim të organizuar, por është një fatkeqësi shumë e madhe që edhe pas dhjetë vjetësh asnjë figurë e lartë politike nuk është arrestuar ose nuk janë zhvilluar hetime as në gjyq nga këto krime", tha Aliu për "Kosova Sot".

Qytetarët kërkojnë ndëshkim për politikën

Gazeta ka anketuar edhe qytetarë rasti, të cilët thonë se pa ndryshimin e kësaj klase politike nuk do të kemi ndryshim pozitiv as në këtë fushë. Qytetari Sabri Spahiu shpreson se vetëm duke ndëshkuar me votë këtë kastë politike krijohen kushtet edhe për reforma më të thella në shoqëri dhe institucione, duke ndryshuar rrënjësit skenën politike, por edhe mentalitetin qeverisës klientelist e të korruptuar. "Derisa kjo klasa politike, e cila është në pushtet, sidomos ata komandantët e luftës që janë në politikë, derisa këta të jenë këtu, Kosova nuk mund të shohë ditë të mira, sepse nuk besoj në ta. Besoj që vetëm kur të vjen ndonjë gjeneratë e re, e shkolluar jashtë, që nuk ka të bëjë fare me këtë gjeneratën e tanishme, vetëm atëherë besoj se do të ketë ndryshime pozitive, sepse tash për tash jo. Unë e them që këtë gjeneratë duhet patjetër ta ndëshkojmë me votë në zgjedhjet e ardhshme, kur të bëhen, duke i ndëshkuar në formë demokratike dhe jo në forma të tjera", tha Spahiu për "Kosova Sot". Qytetari Xheladin Morina thotë se këtë fenomen korruptiv e klientelist nëpër institucionet tona publike e shtetërore po e sheh e gjithë popullata. "Nuk kemi pritur më mirë as deri tash dhe as nuk mund të presim. Nuk mund të presim hiç më mirë akoma, sepse po shihet që e ka kapur në dorë shtetin tjetërkush, ndoshta nuk është imja që ta them, por mendoj që duhet të bëhet ndonjë ndryshim dhe vetëm nga ai ndryshim presim, sepse për momentin nuk ka asgjë", theksoi Morina.

(Kosova Sot)