Pushteti bën luks mbi kurrizin e të varfërve (Video)

  • 18 June 2018 - 10:20
Pushteti bën luks mbi kurrizin e të varfërve (Video)

Me rritjet e pagave, paga e kryeministrit, nga 1.500 euro sa ka qenë, do të rritet në 2.950 euro, paga e një ministri nga rreth 1.200 euro, tani do të jetë 2.000 euro

"Qasja negative ndaj problemeve sociale si dhe orientimi i qëllimshëm ndaj ambicieve të tyre ka krijuar këtë gjendje të paperspektivë sociale. Pavarësisht se në ndikimin e rritjes së buxhetit kanë qytetarët, ata për absurditet nuk janë duke e marrë shërbimin e drejtë",thotë analisti Arsim Haziri për gazetën "Kosova Sot"

E dhe pse rreth 85 për qind e buxhetit të vendit përbëhet prej taksave të konsumit, që i bie se shumica e qytetarëve të Kosovës, apo më mirë me thënë të varfrit, po kontribuojnë më shumë në buxhetin kombëtar sesa njerëzit që janë në pozitë më të favorshme ekonomike, prapëseprapë Qeveria 'Haradinaj' vendosi që të rrisë pagat e veta, e jo që të shfrytëzojë paratë e qytetarëve për interesa të qytetarëve të varfër,të cilët janë kontribuuesit e buxhetit. Si dihet, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që mbështet Qeverinë në aventurën e saj të radhës me kosto financiare, Republika më e varfër e Ballkanit renditet e dyta, afër Sllovenisë, për nga niveli i pagave të zyrtarëve të lartë publikë. Me rritjet e pagave, paga e kryeministrit, nga 1.500 euro sa ka qenë, do të rritet në 2.950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1.300 euro në 2.500 euro. Paga e një ministri ka qenë rreth 1.200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, tani do të jetë 2.000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra kot së koti, që veç rrinë e shëtisin, e të emëruar në Qeverinë 'Haradinaj' do të pranojnë pagë mujore prej 1.150 euro. Prandaj, sipas deputetëve të opozitës dhe qytetarëve, duke shpenzuar para për paga luksi, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik e as rritje të vendeve të reja të punës, por vetëm zhvatje dhe abuzim me paratë e tatimpaguesve kosovarë.

Thellohen dallimet

rritjen e pagave për kabinetin qeveritar nga përfaqësues të opozitës vlerësohet se është një vendim diskriminues, skandaloz dhe abuzim me paranë publike. Deputeti Ali Lajçi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se me rritjen e pagave vetëm sa po thellohet diferenca e madhe e pagave, jo vetëm në raport ndaj sektorit privat, por edhe përbrenda vetë sektorit publik. Veç saj, opozita thonë se duhet rikujtuar Qeverinë se vendimi për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar po krijon ndasi të mëdha në paga në mes të punonjësve."Pagat duhet të rriten si për punonjësit e sektorit publik ashtu edhe atë privat, ngase është shqetësuese diferenca e krijuar në paga dhe në këtë mënyrë punëtorët e sektorëve të tjerë ndihen të diskriminuar", u shpreh ai. Sipas Lajçit, është i drejtë vlerësimi i BSPKsë se nëse bëhet një seleksionim, atëherë është një degradim dhe nënçmim i pjesës tjetër të punëtorëve, të cilin vendim nuk duhet pranuar."Por, në tërësi duhet të tërhiqet një paralele e përbashkët dhe pagat të rriten për të gjithë, pa e diskriminuar askënd. Sepse këto pagesa dhe privilegje të zyrtarëve të lartë shtetërorë po financohen nga buxheti i përgjithshëm", theksoi më tutje ai. Sipas Lajçit, rreth 85 për qind e buxhetit të Kosovës përbëhet prej taksave të konsumit, që i bie se të varfrit kontribuojnë më shumë në buxhetin kombëtar sesa njerëzit që janë në pozitë më të favorshme ekonomike.

Stagnimi godet qytetarët

Analisti politik, Arsim Haziri, për gazetën"Kosova Sot", tha se qysh kohë më parë, d.m.th. që nga paslufta, vendi ynë fatkeqësisht ka qenë nën dominimin e grupeve klienteliste. "Këto grupe duke e pasur mjaftueshëm shtetin nën menaxhim fiktiv, kanë arritur për të pamundësuar konsolidimin e përgjithshëm shtetëror. Kjo është mendësia, e cila i ka zaptuar e zotëruar resurset publike dhe pasoja e kësaj është mjerimi i përgjithshëm social", theksoi ai."Sot qytetarët vuajnë nga stagnimi i përgjithshëm institucional, vuajnë nga papërgjegjshmëria e pashembullte morale. Kjo qeverisje dhe të gjitha tjerat janë përtej çdo parashikimi dhe mënyra sesi e kanë udhëhequr vendin, ngjajnë sikur të mos e kishin marrë besimin e tyre. Përgjegjësit sikur ta kishin pasur si objektiv zhvillimin e vendit, qysh moti vendi do të ishte nën dominimin e rregullave dhe normave juridike, normave prej së cilave do të merrte suksese vendi. Pikërisht qasja negative ndaj problemeve sociale si dhe orientimi i qëllimshëm ndaj ambicieve të tyre ka krijuar këtë gjendje të paperspektivë sociale", shpjegon Haziri. Sipas tij, pavarësisht se në ndikimin e rritjes së buxhetit kanë qytetarët, ata për absurditet nuk janë ka e marrin shërbimin e drejtë. Ndërsa eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për gazetën "Kosova Sot" tha se ky është problemi kryesor, sepse buxheti i shtetit bëhet vetëm nga taksat e qytetarëve, ky është buxhet i qytetarëve, përderisa vetëm 35 mijë biznese kontribuojnë për buxhetin e shtetit. "Kuvendi i Kosovës është i paralizuar për të ndikuar në ndaljen e vendimeve të paligjshme dhe zhvatëse, vendimet e Qeverisë 'Haradinaj' ishin absurde dhe do të mbeten kështu si janë, vendime të tipit skandaloz. Përplot vendime të tilla ka pasur, ka punësime familjare, rritje të pagave kot, pa kryer punë dhe pa merita minimale", u shpreh ai.

Ligji për pagat u jep fund abuzimeve

Kurse analisti politik Ilir Fetahu, për gazetën "Kosova Sot", tha se Kosova shumicën e buxhetit e ka nga tatimi dhe doganat dhe tregon realisht se nuk ka zhvillim ekonomik, sepse zhvillimi ndodh vetëm me prodhim, shërbime e aktivitete të tjera që janë deficitare."Prandaj qeveria 'Haradinaj' duhet që ta kuptojnë se duhet të investojnë në prodhim, në mënyrë që buxhetin e saj ta krijojnë nga brenda e jo nga importi, sepse kjo është një fatkeqësi", u shpreh ai."Rritja e fundit e pagave që e bëri qeveria 'Haradinaj' nuk ka qenë fare e mirë, sepse rritja e pagave në sektorin publik duhet të bëhet në bazë të rritjes ekonomike, se sa është përqindja. Edhe në sektorin privat duhet që të ketë ngritje pagash, por kjo mos të jetë në mosharmoni sikurse që është tash me zyrtarët e lartë që të ketë 10 herë më shumë sesa një zyrtar tjetër, sepse kjo është e papranueshme", vlerësoi më tej Fetahu. "Është mirë që sa më parë të hyjë në fuqi Ligji për Pagat, në mënyrë që të ketë një zbritje të të ardhurave të zyrtarëve të lartë publik. Sepse rritja e pagave duhet që të jetë në mënyrë kompatibile me zhvillimin ekonomik që e ka Kosova", potencoi ai.

Qytetarët, të zhgënjyer tej mase nga lidershipi

Veç analistëve politik, ekspertëve, edhe qytetarët e anketuar thonë për gazetën se ata janë të zhgënjyer tej mase nga lidershipi i vendit me rritjen enorme të pagave që e ka bërë për vete Qeveria 'Haradinaj'. Andaj, sikurse edhe opozita edhe qytetarët, me të drejtë thonë se në asnjë mënyrë nuk mund të ketë një zhvillim ekonomik të vendit dhe të ketë rritje të vendeve të reja të punës, nëse pushtetarët i shpenzojnë paratë e taksapaguesve për luks dhe rritje pagash për vete. Kësisoj, qytetari Jahir Tërnava për gazetën "Kosova Sot" thotë se me këta pushtetarë në asnjë mënyrë nuk mund të ketë vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik të vendit, sepse ata mendojnë vetëm për veten e tyre e jo për popullin. "Prandaj, e tërë barra e mbushjes së buxhetit të shtetit që nga paslufta po bie mbi qytetarët e thjeshtë e jo në pushtetarët", theksoi ai. Sipas Tërnavës, me këta pushtetarë në Kosovë vështirë se mund të ketë zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune në vend, prandaj është koha e fundit që në skenën politike të vjen një klasë e re politike e shkolluar dhe e pakorruptuar.

 

(Kosova Sot)