Partitë profitere, rrënueset e shtetit (Video)

  • 19 June 2018 - 10:51
Partitë profitere, rrënueset e shtetit (Video)

Sundimi oligarkik, me pasoja tronditëse

"Në krye të shtetit erdhën profiterët e luftës, bashkë me profiterët e paqes, të cilët e kanë sjellë gjendjen e mjerimit social. E kanë shndërruar Kosovën në pronë private. Partitë politike, në vend të profilizimit, u shndërruan më shumë në korporata të bizneseve dhe allishverisheve të tjera politike. Kjo natyrisht se u reflektua keq edhe në pushtetet e pasluftës", potencoi Ymret Reshiti për "Kosova Sot"

 

Skena politike kosovare me partitë aktuale, që janë tërësisht të degraduara dhe të inkriminuara bashkë me nëntokën kriminale, është bastarduar tej mase. Kjo klasë politike e ka katandisur Kosovën aq keq me këta politikanë dhe me këto subjekte korporative e të inkriminuara, si ato në pozitë ashtu edhe në opozitë, duke e bërë vendin një shtet pa pikë perspektive dhe tërësisht në duart e krimit të organizuar e mafiooligarkisë kriminale. Andaj qytetarët të vetmen shpresë për një jetë më të mirë po e kanë të gjejnë mënyra për të ikur sa më shpejtë e sa më larg Kosovës, duke ikur nga ky shtet i kapur nga mafio-politikanët sundues e mafio-oligarkët zhvatës të buxhetit dhe aseteve të shtetit. Analisti politik Arsim Haziri për "Kosova Sot" tha se është politika klienteliste dhe e pandërgjegjshme, e cila e ka degraduar sferën publike."Sot Kosova ka stagnim në çdo sferë me rëndësi dhe adresa e vetme ku mund të kërkohet llogaria për tërë këtë mjerim sistematik është politika aktuale me në krye LDK-në dhe PDK-në. Këto dy subjekte në pjesën më të madhe të kohës e kanë qeverisur vendin dhe asnjëra prej tyre nuk ka vendosur t'i trajtojë problemet publike nga të cilat edhe qytetarët po ndëshkohen tej mase", u shpreh ai.

Perspektiva e bllokuar nga mafio-politikanët

Ndërsa, analisti politik, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" tha se është një fatkeqësi, sepse edhe për aq kohë sa të mbesin në pushtet të njëjtit që ishin dje, duke qeverisur Kosovën nën petkun e politikës me krim të organizuar dhe me korrupsion, duke e kapur shtetin në të gjitha segmentet e tij në mënyrë kriminale, e që tash po kthehen sërish në pushtet përmes formave politike të koalicioneve së bashku edhe me partitë e tjera, atëherë kjo kapje e shtetit dhe gjendja e katandisur e Kosovës do të vazhdojë pafundësisht"Këto janë disa nga shkaqet që e kanë sjellë gjendjen e pashpresë për qytetarin e Kosovës, derisa ai të fillojë të mendojë që të ikë sa më larg Kosovës, duke shpresuar për një jetë më të mirë dhe perspektivë të jetës, ngase njeriu është njeri dhe sikur nuk sheh perspektivë, as formë, as mënyrë të ekzistojë në një hapësirë jetësore ku jeton e frymon i ngulfatur", theksoi ai. "Realisht me këtë politikë të inkriminuar e të bastarduar Kosova ka mbetur një shtet në letër, ndryshe realiteti jetësor është shumë i disfavorshëm për nga gjendja ekonomike për jetën e shumicës së qytetareve", vlerësoi Kelmendi. "Dhe derisa vendi të udhëhiqet nga një grup mafio-politikanësh të inkriminuar në krim të organizuar e korrupsion, qytetari nuk mund të shohë perspektivën e vet në këtë hapësirë", vijoi më tej ai. Analisti Ymret Reshiti, tha për "Kosova Sot", se në Kosovë skena politike ka filluar të bastardohet fill pas përfundimit të luftës dhe asnjëherë nuk është ndaluar, por vetëm sa është thelluar deri në katandisje të plotë."Në vend që t'i fillonim mirë punët, pas okupimit shumëvjeçar nga Serbia, ato morën tatëpjetën në luftë për pushtet absolut, në luftë për përfitime dhe pasurim të paligjshëm", u shpreh ai. "Në krye të shtetit erdhën profiterët e luftës bashkë me profiterët e paqes, të cilët e kanë sjellë gjendjen e mjerimit social. E kanë shndërruar Kosovën në pronë private. Partitë politike në vend të profilizimit u shndërruan më shumë në korporata të bizneseve dhe allishverisheve të tjera politike. Kjo natyrisht se u reflektua keq edhe në pushtetet e pasluftës", potencoi Reshiti. 

Qytetarët kërkojnë klasë të re politike

Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të indinjuar tej mase me skenën aktuale politike të Kosovës. Ata theksojnë se skena politike kosovare është bastarduar me partitë politike aktuale, të cilat janë tërësisht të degraduara dhe të inkriminuara bashkë me nëntokën kriminale. Kësisoj, qytetari Nasuf Krasniqi nga Prishtina, për gazetën "Kosova Sot", tha se Kosova ka nevojë imediate për ndryshime në skenën politike në mënyrë që të bien nga pushteti këta pushtetarë dhe në pushtet duhet të vijnë forca të reja dhe të pakorruptuara, sepse partitë politike janë këmbë e krye bashkë me krimin e organizuar, duke i vënë nën kontroll të plotë gjykatat prokurorinë hetuesinë."Të gjitha këto që u cekën e bëjnë të nevojshme ardhjen në skenë politike të një garniture të re politike të shkolluar e që nuk janë të korruptuar", vlerësoi Krasniqi. Kurse qytetari tjetër, Driton Pllana, për "Kosova Sot", tha se skena politike është e degraduar."Intelektualët nuk po punojnë sa duhet që të marrin timonin në dorë, në mënyrë që të udhëheqin shtetin. Kjo na tregon se çfarë shoqërie jemi, sepse ashtu e kemi zgjedhur edhe klasën politike. Me 40 për qind pjesëmarrje në votime këta politikanë nuk e përfaqësojnë popullin. Veç saj, nëpër zgjedhje kemi edhe manipulime që nga paslufta", u shpreh ai. "Andaj populli e ka humbur shpresën dhe shi për këtë për këtë klasë politike flet edhe miku i shqiptarëve, ishkongresmeni Josef Diogardi që haptazi e thotë se kësaj klase politike i ka dalë skandenca e marrjes me politikë, sepse janë shpenzuar, prandaj populli tashmë e ka humbur shpresën se do të bëhet mirë", vijoi më tej Pllana."Është mbytur shpresa e qytetarëve, andaj edhe na duhet një klasë e re e njerëzve të besueshëm e jo që të kemi lider si kryetari i tashëm dhe kryeministri që e shkel protokollin në manifestimin e 140- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ku me gjestin që e largon atë grua me dhunë, pastaj një kryeministër që gjuan me harta në Komisionin për Demarkacion", theksoi Driton Pllana.



(Kosova Sot)