Thaçi shkel Kuvendin për INTERESAT PERSONALE (Video)

  • 21 June 2018 - 10:21
Thaçi shkel Kuvendin për INTERESAT PERSONALE (Video)

PA U SHQYRTUAR PLATFORMA, PRESIDENTI SHKON NË TAKIM ME VUÇIQIN

Kelmendi: Shpërfillja e Kuvendit është akti më i rëndë antikushtetues i Hashim Thaçit, por është edhe faji i vetë Kuvendit dhe i Qeverisë

"Edhe ndërkombëtarët po e shohin te kreu i shtetit tonë aktorin oportunist, i cili do të shkelë sërish mbi sovranitetin dhe integritetin territorial, i cili potencialisht mund të jetë i akuzuar nga Gjykata Speciale. Por, derisa Serbia e ka platformën e qartë dhe po bën hapa përpara, qëllimi i Thaçit për t'u prirë këtyre bisedimeve ka të bëjë më tepër me interesin personal të tij sesa atij shtetëror", thotë analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot" 2 

Derisa presidenti i Kosovës i ka bërë publik qëndrimin dhe vendimin e tij, që këtë të diel të marrë pjesë në fazën e re të bisedimeve me Serbinë, pa e marrë bekimin dhe autorizimin nga ana e Kuvendit, pa e debatuar edhe platformën për bisedime, e cila ditë më parë u tërhoq prej Parlamentit nga ana e Qeverisë, partitë politike po heshtin, pozita dhe opozita së bashku. Analistët politikë theksojnë me shqetësim se me këtë veprim në fakt presidenti Thaçi po e injoron edhe Kuvendin, duke vazhduar me planet e tij djallëzore në dialogun me Serbinë që synojnë ta amnistojnë nga Gjykata Speciale, e që i rri si kamxhik mbi kokën e presidentit. Tani, derisa subjektet politike heshtin rreth këtij zhvillimi të ri politik, sipas analistëve, presidentit kosovar po i ngutet që të ndërmarrë edhe një aventurë të re e tepër të dëmshme "historike", në procesin e Brukselit. Analistët thonë se në një Kuvend normal institucionet serioze do ta pezullonin çdo takim tjetër, sikur ky Kosovë-Serbi, derisa të qartësohet strategjia e dialogut, e cila është kthyer mbrapsht në qeveri, pikërisht për shkak të joseriozitetit të treguar nga ekzekutivi, por në këtë rast po del vetë presidenti Hashim Thaçi që po e shpërfill edhe Kuvendin. Sipas analistëve, në krejt këtë kaos duket që edhe ndërkombëtarët po e shohin te kreu i shtetit tonë aktorin oportunist, që do të shkelë sërish mbi sovranitetin dhe integritetin territorial, që të fitojë ndonjë kredit aq të nevojshëm për të, si potencialisht i akuzuar nga Gjykata Speciale.

Shkodra: Është e domosdoshme që të merret bekimi i Kuvendit të Republikës, si organi më i lartë i qytetarëve

I papranueshëm dhe tepër befasues është ky veprim i presidentit, që po e anashkalon dhe injoron Kuvendin edhe sipas analistit Shefik Shkodra."Nuk e kam të qartë pse nuk ka fare transparencë për bisedimet që janë zhvilluar dhe po vijojnë në Bruksel, në mes të Serbisë dhe Kosovës. Hashim Thaçi, kryetar, nëse ka të drejtë ta përfaqësojë Kosovën, atëherë është e domosdoshme që të merret bekimi i Kuvendit të Republikës, si organi më i lartë i qytetarëve. Edhe ai vetë duhet të jetë i vetëdijshëm për atë që thotë se është kjo bisedë përmbyllëse, "shumë e dhimbshme " dhe të vendosë asgjë në mënyrë individuale, ndryshe do të bëhet një skandal "historik", nga i cili do të krijonte gjendje më e vështirë se që është tash për tash. Nuk duhet të ngutemi, sepse mund të na kushtojë shtrenjtë. Nuk duhet t'i pranojë shantazhet e as kushtëzimet", vlerësoi ai për "Kosova Sot".

Plane djallëzore në dialogun me Serbinë

Sipas analistit Ali Hertica, përcaktimit të datës 24 qershor për fillimin e bisedimeve në nivel presidentësh ka gjasë që t'i kenë paraprirë si agjendë përgatitore disa takime të mëhershme, të fshehta mes Thaçit e Vuçiqit, prandaj po bëhet kjo agjendë pa u diskutuar fare në Kuvend. "Raportimet e ndryshme se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka injoruar totalisht Kuvendin e Republikës, kur ka zhvilluar edhe disa takime sekrete me udhëheqës të Serbisë dhe kinse po bën bisedime me ta, kanë ngritur shqetësime të shumta tek qytetari, tek sovrani i shtetit, por edhe te disa subjekte politike. Ne si qytetarë besoi se kemi të drejtë të themi e të kundërshtojmë se askush nuk ka mandat dhe guxim të negociojë, fshehtas dhe haptazi, për çështje të tilla të rëndësishme e madhore që i ka sot para vetes Kosova, çështje të interesit nacional, pa vendimin e Kuvendit të Kosovës, aprovimin dhe delegimin e besimit nga 2/3 e votave", u shpreh ai. "Çdo veprim tjetër, i kujtdo nga lidershipi politik dhe institucional qoftë ai, konsideroj se është veprim jokushtetues dhe jo institucional, sepse këto janë tema kruciale, që nuk janë të veshura nga legjitimiteti i mirëfilltë. Për shkak se është kështu, nuk ka mundësi të ketë kontroll të mirëfilltë demokratik ndaj negociatorëve me Serbinë. Kështu sot është krijuar një terren që shumë njerëz po flasin në emrin e sovranit, e atyre si duket u konvenon kjo, u konvenon negociatorëve dhe vetë atyre individëve për qëllime të tyre personale, shpëtimit nga historiku i së kaluarës dhe kjo është mundësia për t'i bishtnuar demokracisë dhe zgjedhur rrugë më të lehta, ku për shumëçka qytetari dhe institucionet do të sillen para aktit të kryer", vijoi më tej Hertica për "Kosova Sot".

KELMENDI: NËSE KUVENDI DHE QEVERIA E LEJOJNË KËSHTU THAÇIN TË VEPROJË JASHTË, EDHE ATA DO TË JENË BASHKËPËRGJEGJËS PËR DËMET QË DO T'I SHKAKTOHEN KOSOVËS

Prof. Muhamet Kelmendi thotë se tani edhe Kuvendi me heshtjen e vet po e merr një përgjegjësi të madhe, barrë historike, që e lë Presidentin të niset në aventurën e tij pa reaguar dhe pa u pyetur fare."Shpërfillja e Kuvendit është akti më i rëndë antikushtetues i Hashim Thaçit, por është edhe faji i vetë Kuvendit dhe i Qeverisë. Të gjithë këta janë përgjegjës për gjendjen e kaluar dhe të tashme. Udhëheqja e delegacionit nga ana e Hashim Thaçit është tepër e dëmshme. Është e rrugës dhe e domosdoshme që Kuvendi të intervenojë dhe të kërkojë seancë të jashtëzakonshme lidhur me delegacionin që e udhëheq Thaçi, mbi parimet e bisedimeve dhe mbi planin që duhet të diskutohet", u shpreh ai."Nëse Kuvendi dhe Qeveria e lejojnë kështu Thaçin të veprojë jashtë, edhe ata do të jenë bashkëpërgjegjës për dëmet që do t'i shkaktohen Kosovës", tha Muhamet Kelmendi, duke rikujtuar marrëveshjet e dëmshme të nënshkruara nga Thaçi, e sidomos Marrëveshjen për Asociacion në vitin 2013, me kompetenca të gjëra autonome.

BADALLAJ: DRENICAKU KËTË E BËN VETËM PËR INTERESA TË TIJA POLITIKE, QË KINSE T´I SHPËTOJË GJYKATËS SPECIALE

Analisti Reshat Badallaj i tha gazetës se ai kaherë ka paralajmëruar dhe ka thënë se Kuvendi i Kosovës është kuvend sa për sy e faqe dhe krejtësisht i nënshtruar nga mafio-politika, se nuk ka asnjë rol mbikëqyrës funksional në institucionet e zgjedhura, as mbi Qeverinë dhe as mbi Presidencën."Është kuvend "rrugaçësh" dhe Kuvend i "pazareve" me plot banditë dhe gjysmanalfabetë që e kanë bërë si lama ku fshijnë gomarët dhe kuajt. Pra, nuk vendosin asgjë. Këtë e dirigjon mafia e nëntokës kriminale në krye me kapon e rrezikshëm që ka emrin Hashimi i Brojës. Sa e sa herë ky kuvend "matrapazësh" është shtyrë në mungesë të kuorumit", u shpreh ai."Arkitekti i kësaj zeznaje është Hashimi i Brojës, që tani injoron si të mos ishte. Drenicaku kokëbosh këtë e bën vetëm për interesa të tija politike, që kinse t´i shpëtojë Gjykatës Speciale, duke harruar se ky akuzohet nga Dick Marty i Parlamentit Evropian e jo nga këta argatë të sistemit të kalbur gjyqësor në Kosovë. Ky matrapaz nuk interesohet fare se sa humb Kosova me bisedimet e tija tinëzare dhe me premtimet që i ka dhënë Vuçiqit nëpër hotelet e natës në qytetet e Evropës", tha Badallajt për "Kosova Sot". Ai shton se në këtë rast nuk po dëgjohet zëri i opozitës, pasi ajo realisht ka vdekur.

ALIU: SHKUARJA E HASHIM THAÇIT NË BISEDIMET FINALE PËR MARRËVESHJEN HISTORIKE, SIÇ PO E QUAN AI ME SERBINË, E KA PRAPAVIJËN E KOMPROMISIT TË TIJ ME GJYKATËN SPECIALE!

Ndërsa analisti politik, Bislim Aliu, ka thënë për "Kosova Sot" se nuk ka asnjë dilemë që shkuarja e Hashim Thaçit në bisedimet finale për marrëveshjen historike, siç po e quan ai me Serbinë, e ka prapavijën e kompromisit të tij personal me Gjykatën Speciale. "Pa dyshim, Hashim Thaçi po e injoron Kuvendin, si institucioni më i lartë i shtetit, dhe po vazhdon me planet e tij djallëzore në dialogun me Serbinë, që synojnë atë ta amnistojnë nga Gjykata Speciale, e cila i rri mbi kokë si një 'orl i madh' presidentit. Andaj, ai po shkon krye në vete, pa e marrë mandatin nga Kuvendi! Mendoj se një gjë e tillë është shkelje e Kushtetutës dhe, në një shtet demokratik do të rezultonte me shkarkim të presidentit, i cili nuk po e përfill organin më të lartë të shtetit ! Ndaj, ai po ngutet të ndërmarrë edhe një aventurë të re "historike" në procesin e Brukselit, duke mos u marrë shumë me skenën politike vendore, ku ai nuk e ka mbështetjen! Ndërsa opozita dhe fare nuk merr ndonjë iniciativë, për ta ndaluar presidentin Thaçi në takimin e radhës me Presidentin e Serbisë, Vuçiq, më 24 qershor", ka potencuar ai. "Edhe ndërkombëtarët po e shohin te kreu i shtetit tonë aktorin oportunist, i cili do të shkelë sërish mbi sovranitetin dhe integritetin territorial, i cili potencialisht mund të jetë i akuzuar nga Gjykata Speciale. Por, derisa Serbia e ka platformën e qartë dhe po bën hapa përpara, qëllimi i Thaçit për t'u prirë këtyre bisedimeve ka të bëjë më tepër me interesin personal të tij sesa atij shtetëror", ka thënë Aliu për "Kosova Sot".

GURAZIU: PSE PO E INJORON THAÇI EDHE KUVENDIN, DUKE VAZHDUAR ME PLANET E TIJ DJALLËZORE NË DIALOGUN ME SERBINË?

Ndërsa analisti Ragip Guraziu po ashtu thotë se presidenti për t'i shpëtuar Speciales po merr mbi vete barrë që do ta bartë shumë gjatë si njollë historike."Fillimi i ri i bisedimeve me Serbinë është një kamxhik mbi kokën e presidentit, sepse tani me të drejtë duhet të shtrohet pyetja pse po e injoron Thaçi edhe Kuvendin, duke vazhduar me planet e tij djallëzore në dialogun me Serbinë. A janë ato plane që synojnë ta amnistojnë atë nga Gjykata Speciale, e që kjo gjykatë po rri si kamxhik mbi kokën e presidentit", theksoi ai. "Mendoj se atij po i ngutet që të ndërmarrë edhe një aventurë të re e tepër të dëmshme "historike", në procesin e Brukselit, ndërkaq që opozita po hesht. Përgjegjësia do të bijë mbi të gjithë nëse bëhen pazare të dëmshme mbi shtetin dhe sovranitetin e tij në këto bisedime", u shpreh Guraziu për "Kosova Sot". Sipas tij, një Kuvend normal do ta pezullonte çdo takim tjetër Kosovë-Serbi, derisa të qartësohet strategjia e dialogut, e cila është kthyer mbrapsht në qeveri.

Qytetarët e ndërlidhin me Specialen sjelljen e Thaçit

Lidhur me paralajmërimin e takimit të parë në nivelin e lartë të bisedimeve, nivel presidentësh, pa e marrë bekimin e Kuvendit të Kosovës presidenti Thaçi, duke e injoruar atë, gazeta ka marrë edhe opinione qytetarësh, të cilët janë kundër kësaj qasje injoruese nga i pari i vendit. Qytetari Isa Gashi nuk e përjashton fare mundësinë që këtë veprim pa miratim të Kuvendit Thaçi po e bën për t'i shpëtuar Speciales. "Mundet fare lehtë të ndodhë edhe ajo se qysh është marrë ai vesh me ndërkombëtaret, ndodh që ata i kanë thënë të shkojë të bisedojë, të merret vesh, e këndej nuk dihet se si i ka marrëdhëniet me ta. Ai nuk po na informon, derisa krejt populli po e di, edhe Kuvendi po e di, madje edhe po ia bën me dije që kjo kështu nuk është në rregull, nuk bën të shkojë pa pëlqimin e Kuvendit, mirëpo ai përsëri po shkon. Këtu nuk di qysh me ju dhënë përgjigje unë juve dhe jo vetëm unë, por as populli nuk e di çka të thotë për të. Edhe populli po thotë nuk bën...nuk bën pa pëlqimin e Kuvendit, pa e marrë pëlqimin e Kuvendit për të shkuar në bisedime atje", theksoi Isa Gashi për "Kosova Sot". Qytetari Rexhep Sopi thotë se çështja e marrëdhënieve me Serbinë është shumë serioze dhe nuk duhet të niset ky proces pa konsensus të gjerë politik dhe platformë të qartë nacionale të miratuar në Kuvend, si dhe duke e autorizuar eventualisht edhe presidentit për të kryesuar ekipin shtetëror në këto bisedime."Kur është çështja e marrëdhënieve me Serbinë duhet me qenë shumë të kujdesshëm, duhet me qenë të përgatitur dhe duhet ta mbrojmë e kërkojmë atë që na takon. Duhet të ceken edhe të gjitha ato që Serbia kurrë nuk ka kërkuar falje me gjithë ato masakra që janë bërë, shpërnguljen e mbi 1 milion qytetarëve, dhunimin e rreth 200 mijë viktimave, vrasje, masakrime, ku janë rreth 3000 viktima, bura, gra e fëmijë që janë masakruar dhe për këtë veprim Serbia gjithmonë deklarohet si veprim i saj që ka qenë i arsyeshëm dhe nuk e ndien veten akoma që është agresor dhe fajtor. Prandaj, me rastin e fillimit të këtyre bisedimeve duhet të kihen parasysh e të ceken të gjitha këto", u shpreh ai."E kur është çështja e territorit aty nuk ka se çka të bisedohet rreth asaj çështje, as veriore e as jugore. Kosova i ka kufijtë e vet dhe duhet të mbrohen sikur që janë mbrojtur gjithmonë", vlerësoi Sopi. Sipas tij, këtu nuk po luftohet për shtet, për forcimin e shtetit, por luftohet vetëm si të vihet në pushtet.

(Kosova Sot)