Pushtetarët mashtrues e LËNË KOSOVËN NË IZOLIM (Video)

  • 22 June 2018 - 07:42
Pushtetarët mashtrues e LËNË KOSOVËN NË IZOLIM (Video)

LIBERALIZIMI I VIZAVE ENDE NUK ËSHTË I SIGURT AS PËR SIVJET 

Klasa politike e Kosovës nuk ndalet duke i gënjyer dhe duke mashtruar sërish qytetarët e vendit, duke u premtuar atyre se tash, pas demarkacionit, menjëherë do të kemi liberalizim vizash. Ndaj nga njohësit e rrethanave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare thuhet se pushtetarët tanë janë bërë tejet qesharakë, duke përcaktuar afate herë me dy-tre muaj për liberalizim vizash, ndërkohë që sipas tyre mund të shkojë edhe ky vit e mos të ndodhë asgjë. Veç analistëve, edhe qytetarët vlerësojnë se deklaratat se Kosova është e gatshme për liberalizim vizash janë qesharake kur nëntoka kriminale vazhdon të sundojë të gjitha institucionet. Analistët pyesin se deri kur do të vazhdojë të tallet me qytetarët kjo klasë politike e inkriminuar, të cilët njëri pas tjetrit e thoshin se deri në fund të qershorit do të marrin rekomandimin e realiteti është ndryshe, ngase sipas të gjitha gjasave as që do të ketë sivjet liberalizim të vizave. Sipas tyre, nuk duhet të çuditemi fare nëse këta pushtetarë do të vazhdojnë që ta fajësojnë BE-në për dështimet e tyre në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, kriteri më i madh në këtë fushë pas kritereve teknike. 

Degradimi politik

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, juristi Blerim Burjani, për "Kosova Sot" tha se kjo klasë politike e degraduar dhe e kompromentuar, zhvatëse dhe e korruptuar, ka bërë shumë dëme të mëdha, pasi nuk është marrë me përditshmërinë e problemeve të qytetarëve dhe me problemet jetike, siç janë ekonomia, mbrojtja adekuate shëndetësore dhe reformimi i skemave sociale dhe arsimi."Kosova ballafaqohet me problemet e një klase politike të papërgjegjshme, joadekuate dhe të kriminalizuar, ku veç saj politika kosovare ballafaqohet edhe me mos- dije, konflikte politike që nga vitet 90 dhe probleme me rendin dhe ligjin", u shpreh ai. Ndaj sipas Burjanit këto parti politike nuk kanë më vend në skenën politike, pasi janë ato të cilat u kanë shkaktuar qytetarëve anarkinë dhe degradimin e organeve të drejtësisë. "Liberalizimi ka rëndësi për jetën e përditshme, por problemet ekonomike dhe të gjitha gjërat tjera mbesin kështu si janë. Pra, kjo tema e liberalizimit shihet si ide e mirë me dalë jashtë vendi për punësim sezonal, qoftë për studentë dhe për familjarët që kanë jashtë vendit fëmijët e tyre", vijoi më tutje ai."Çështja më e dhimbshme është mosluftimi i korrupsionit, kështu që politika dhe qeveria duhet që ta luftojnë këtë dukuri ndaj të inkriminuarve në mënyrë që Parlamenti Evropian të insistojë që ky kusht të plotësohet", tha Burjani. Kurse analisti politik, Ilir Fetahu, tha për gazetën "Kosova Sot" se premtimet e pushtetarëve tanë duke caktuar data të liberalizimit të vizave janë premtime shumë joserioze, aq më tepër kur dihet se kriteret e BE-së thonë qartazi se duhet të plotësohen të gjitha kriteret shtesë. "Prapa liberalizimit të vizave po fshihet diçka tjetër edhe me disponimin e shumicës së qytetarëve tanë për të dalë jashtë vendit, por ky liberalizim lidhet edhe me Gjykatën Speciale. Pra, kjo ka të bëjë më shumë me probleme politike sesa aspekte teknike nga BE-ja. Veç saj, ka edhe gjëra të tjera që duhet plotësuar, si ndjekja e zyrtarëve të lartë që janë me aktakuza dhe që janë në pozita të larta", potencoi ai. 

Kosova në gjendje alarmante

Analisti politik Arsim Haziri, për " Kosova Sot", tha se përcaktimi i afateve për liberalizimin e vizave nga ana e liderëve tanë në vazhdimësi është bërë për të përfituar politikisht. "Edhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi fatkeqësisht e patën kushtëzuar me atë çështje, që edhe mjerisht filloi të jetësohej në opinion kjo çështje. Politika aktuale përmes mjeteve që i ka në dispozicion ka arritur gjithnjë e më shumë për të manipuluar trupin publik, kjo logjikë në vete ka përfshirë punësim në shifra rekorde ( diçka çka mungon në Kosovë), kalimin në zonën e lirë-liberalizimi i vizave, si dhe disa ndryshime që do të shkojnë në favor të konsolidimit shtetëror. Pra, shoqëria jonë u gjet e papërgatitur në kuptimin e besimit racional dhe kësisoj dhe duke qenë e tillë po vazhdon të ndëshkohen nga kjo klikë, e cila qysh atë kohë ka anashkaluar obligimin e përgjithshëm qytetar", shpjegoi ai. Haziri thotë se Kosova njëmend përfaqëson gjendje alarmante dhe nuk është vend i premtueshëm për ndryshime pozitive dhe me efekt kolektiv."Mjerisht kontribuues i kësaj mendësie negative është kah i shkon edhe vazhdimësia e subjektit të "ri" politik, që më shumë konsideroj se do ta mirëmban sistemin sesa që do ta ndryshon atë", ka vlerësuar ai. Sipas Hazirit, Kosova nuk mund të anashkalojë kriteret e Bashkimit Evropian për liberalizim vizash, por duhet të angazhohet në përmbushjen e tyre."Aktualisht, për liberalizmin e vizave për Kosovën kanë mbetur disa kritere të fundit, përkatësisht kriteri për luftimin e korrupsionit, i cili thuajse është i pashfletuar për shoqërinë kosovare, sepse në të gjitha dikasteret e shtetit është instaluar nga vetë njerëzit e subjekteve politike kjo anomali që po e degradon shoqërinë kosovare", potencoi ai.

Qytetarët nuk i besojnë më qeverisë mashtruese

Veç analistëve politikë, edhe qytetarët tanë janë tejet të zhgënjyer me klasën politike që gënjyen për liberalizim vizash. Ata ndihen të mashtruar sërish nga pushteti duke iu premtuar se pas demarkacionit menjëherë do të kemi liberalizim vizash. Sipas tyre, kjo klasë politike do të vazhdojnë të tallet me qytetarët, të cilët njëri pas tjetrit e thoshin se deri në fund të qershorit do të marrin rekomandimin e realitetit, është se sipas të gjitha gjasave as që do të ketë sivjet liberalizim të vizave. Qytetari Jashar Jashari nga Prishtina, për gazetën "Kosova Sot", tha se premtimet e politikanëve janë gënjeshtra, sepse ata nuk i kanë kryer detyrat e përcaktuara nga ana e BE-së. "Pa i përfunduar detyrat e shtëpisë nga ana e pushtetarëve tanë nuk ka liberalizim të vizave dhe nuk ka Evropë", thotë ai."Sivjet nuk do të ketë liberalizim vizash. Madje unë jam aq pesimist se liberalizim të vizave nuk do të ketë deri në vitin 2025. Sepse me këtë politikanë nuk ka liberalizim të vizave dhe nuk i dilet në krye. Premtimet e tyre për liberalizim vizash janë gënjeshtra e asgjë tjetër sepse në Kosovë nuk ka drejtësi dhe nuk funksionon fare ligji", theksoi Jashari. Ndërsa qytetari Shkumbin Ahmeti, thotë për "Kosova Sot", se pa asnjë dyshim se pushtetarët tanë na kanë gënjyer dhe po gënjejnë në vazhdimësi se do të ketë liberalizim vizash. "Premtimet e tyre janë një shaka me popullatën. Prandaj me gjithë premtimet e tyre se sivjet do të ketë liberalizim vizash, kjo nuk qëndron, sepse ato do të jenë gënjeshtra të tjera, sepse në asnjë mënyrë unë nuk e besoj se sivjet do të ketë liberalizim të vizave", ka potencuar Ahmeti për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)