Politika e shantazhit e bën Kosovën të pajetueshme (Video)

  • 22 June 2018 - 07:34
Politika e shantazhit e bën Kosovën të pajetueshme (Video)

SUNDIMI AUTOKRATIK I KA ZHVLERËSUAR KREJTËSISHT LIGJIN DHE DEMOKRACINË

Analistët politikë po vazhdojnë të shqetësohen nga fakti pse Kosova akoma po vazhdon të mbetet një shtet i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe shantazhit. Sipas tyre, që prej pasluftës, protagonistët kryesorë të këtyre dy dekadave kanë punuar me shantazhe, kërcënime, prapaskena, dallavere e mashtrime, sepse shantazhi është bërë një model pune në Kosovë dhe kjo klasë politike janë mësuar të shantazhojnë edhe rivalët, të shantazhojnë bile edhe njëritjetrin, për interesa të ngushta, për tenderë, për para, për pushtet, duke e bërë të shantazhuarit si mënyrë e të menduarit, të vepruarit e jetesës, si formë qeverisjeje, si një sindromë të pashërueshme dhe të metastazuar në tërë shoqërinë kosovare. Analistët shtrojnë pyetjet se "pse politikanët e inkriminuar të vetmen mënyrë për të mbetur në pushtet e kanë shantazhin?! Pse pushtetarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale vazhdojnë të jenë gjithnjë mbi ligjin?! Si dhe pse janë instaluar në sistemin politik dhe në institucione të shtetit grupet dhe bandat e krimit dhe familjet e klanet e tyre mafioze dhe askush nuk çan kokën fare për mirëqenien e qytetarëve, por vetëm për interesat e veta e të klanit kriminal që e rrethon dhe bashkëjeton?"

Marionetat shkatërruese

Sipas analistit dhe njohësit të mirë të zhvillimeve politike në vend e diasporë, veprimtarit Ibrahim Kelmendi, është fat i keq që edhe më Kosova gjatë do të mbetet shtet i korrupsionit, meqë kjo sëmundje tashmë ka eskaluar në epidemi, ku as zyrtari më i vogël nuk u kryen shërbim korrekt qytetarëve, pa e kushtëzuar me korrupsion. Ai thotë se për luftimin e kësaj të keqe kanë dështuar edhe misionet ndërkombëtare që erdhën në vendin tonë. "Shpresoja mos BE-ja do të ishte shpëtimtare për Kosovën, por edhe ajo po përballet me shqetësimet e saj, që ia shkaktuan fillimisht kriza financiare, pastaj kriza e refugjatëve myslimanë. Prandaj, shansi i Kosovës për integrim në BE ngjan të jetë prolonguar në afat të paparashikuar. Këtë gjendje kaq korruptive e kemi si produkt i bashkëveprimit të Beogradit nacionalist me OKB-në serbofile, e cila pati krijuar një UNMIK-istan të inkriminuar. Atë administratë e udhëheqin kryesisht ish-diplomatë serbofilë, që një pjesë të karrierës së tyre e kanë kaluar në Beograd dhe atje janë korruptuar për të qenë serbofilë, kudo dhe kurdoherë", u shpreh ai. "Po ofroj një shembull konkretizues: francezi Danjean Arnaud ia doli të behej kryeshef i sektorit për Ballkanin në kuadër të DGSE franceze (e ngjashme me CIA amerikane). Ai ishte një serbofil i thekur (pos që ishte edhe dhëndër). Dhe, ai ishte 'shoku' i Hashimit, të cilin e ka komanduar nga fillimi i luftës në Kosovë e deri? (druaj ende e vazhdon ta komandojë, edhe pse ai është ngarkuar me përgjegjësi të re në Francë)… Beogradi nacionalist përdori edhe një taktikë tjetër, për t'i kapur personat që parashiheshin për të qenë në krye të Kosovës. Ta zëmë, marionetat ekonomike të Serbisë në Dukagjin, si Ekrem Lluka, Naser Kelmendi, Ramiz Kelmendi, i "blenë" vëllezërit Haradinaj, deri atëherë varfanjakë të mjerë. Këta, pas lufte në Dukagjin u shpërfytyruan në 'Arkanë shqipfolës', sepse i tjetërsuan mjetet e shumta financiare që ua dhanë të lartpërmendurit. Atyre, vetë vëllezërit Haradinaj, u vënin në dispozicion badigardë ish-luftëtarë të UÇK-së. Edhe ata u tjetërsuan në kriminelë, meqë kriminelët i ruanin. E kështu me radhë, edhe në komuna të tjera, ku marionetat e deriatëhershme ekonomike të Serbisë i 'blinin' komandantët, fatkeqësisht edhe ndonjë komandant. Me që petës iu zu filli mbrapshtë, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pos të na imponohej kjo metastazë kancerogjene, vështirë e mjekueshme", vijoi më tutje Kelmendi për "Kosova Sot".

Shteti, me hipoteka kriminale

Sipas analistit Shefik Shkodra, shantazhet, kërcënimet për tenderë, për grabitje e zullume me mashtrime të kësaj klase politike, nuk kanë të mbaruar."Këta nuk respektojnë as një rregull qytetërimi. Dhe, tash po përpiqen secili prej tyre ta ruajnë plaçkën kudo që ka arritur nëpër pjesët e Kosovës. Ligjin që e kanë bërë vetë, kur bëhet fjalë për ta, nuk e respektojnë. Ligji e gjyqi vlejnë vetëm për qytetarët që nuk kanë lidhje me pushtetin e tyre. Ngaqë ndodhen nëpër vendet publike zyrtare, nuk mund të besohet se janë të paprekur nga sindromi e kleptomanisë, krimit të organizuar dhe nuk mund të gjesh një i cili nuk është në lidhje të këtyre mafio-oligarkëve të nëntokës", tha Shkodra për 'Kosova Sot'. Ndërsa analisti politik Ali Hertica vlerëson se lufta kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë nuk mund të udhëhiqet nga mafia politike që ka pushtetin dhe as nga zyrtarët, të cilët janë të shantazhueshëm për shkak të hipotekave të tyre kriminale, si mënyrë efikase për të kapur shtetin nga mafia politike në pozita të larta kyçe me "hipoteka kriminale", të cilët i shantazhon sipas interesave dhe individëve për qëllime të tyre të përfitimit."Ata e kanë shtruar dhe perfeksionuar mirë edhe çështjen se si nëntoka dhe politikanët i përdorin dosjet për rivalët e tyre politikë për shantazhe nga pushteti e jo për ta zbardhur drejtësinë që është si prioritet i shtetit ligjor. Fatkeqësia e Kosovës është se akoma nuk u nda përfundimisht nga e kaluara e saj moniste, sepse ndërtimi i institucioneve të Kosovës menjëherë pas luftës u bë me njerëzit, të cilët kanë punuar për ish-sistemin monist të Serbisë dhe Jugosllavisë, e këta ish- nëpunës publikë kanë "hipoteka" personale të krijuar me punën e tyre kriminale në shërbim të politikës shoviniste serbe në Kosovë. Ata janë të vendosur edhe në gjyqësi dhe në prokurori. Pra, me prokurorë, me gjyqtarë, me hipoteka nga e kaluara dhe gjyqësi të korruptuar e të inkriminuar në afera korruptive dhe të tjera drejtësia në Kosovë është në një rrugë të keqe të zhvillimit të vendit dhe të gjendjes që tani po përjeton qytetari i pambrojtur nga askush në mënyrë institucionale", vlerësoi Hertica për "Kosova Sot".  

KELMENDI: HASHIM THAÇI I KA KAPUR SHTETIN DHE PUSHTETIN

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, pjesë e lojës së krimit e korrupsionit dhe të skenarëve të shantazheve të ndryshme janë i tërë pushteti dhe mafia ekonomike, që sipas tij kryesisht është e kontrolluar nga grupi i Hashim Thaçit."Forcën joligjore që po e tregon Thaçi edhe nëpër konferenca për shtyp, në takime të ndryshme, qoftë me njerëz të brendshëm, qoftë të jashtëm, i kalon kompetencat e Presidentit, duke dalë në pozitën e diktatorit. Çështjet që z. Thaçi i deklaron nëpër këto konferenca janë kryesisht çështje të Qeverisë së Kosovës dhe të Kuvendit, e kurrsesi të Presidentit. Dua këtu të përmend edhe çështjen e Asociacionit, çështjen e demarkimit me shtetin serb, respektimit të marrëveshjeve e shumë çështje tjera, mbi të gjitha ideja e kompromisit për të shkuar te marrëveshja me shtetin serb, jo vetëm që nuk i takojnë Presidentit, por as Qeverisë dhe as Kuvendit. Ato janë çështje madhore dhe i takojnë kombit shqiptar", u shpreh ai. "Z. Thaçi nuk iu ka vrarë askush. Nuk ka pasur shtëpi të djegur dhe familje të sakatosur, që të anashkalohet dhuna dhe gjenocidi serbomadh. Kosova dhe shqiptarët nuk mundë të harrojnë vrasjet dhe masakrimet, përdhunimet dhe shkatërrimet e vendit. Pra, nuk janë çështje të z. Thaçi. Por, ky njeri e ka kapur shtetin dhe pushtetin. Tash po shantazhon dhe nuk pyet askënd edhe mbi raportet me shtetin serb. As Kuvendin dhe as Qeverinë, thjesht po shkel mbi të gjitha organet e pushtetit. Ky fakt doli qartë në konferencën e fundit për shtyp para takimit në Bruksel me kriminelin Vuçiq, që nuk është gjë tjetër veç determinim i kapjes dhe të shantazhimit të pushtetit shtetëror, por edhe të deputetëve. Thaçit fare nuk i intereson, ama fare, as Kuvendi dhe as vullneti i popullit. Po sillet si kapedan dhe si një sahanlëpirës i forcave të jashtme, si me qenë vendi dhe populli pronë e tij", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

BADALLAJ: SHTETI RA NË DUART E BANDAVE, MAFIO-OLIGARKËT DHE MAFIOZËT E KANALEVE TË NËNTOKËS KRIMINALE!

Analisti politik Reshat Badallaj thotë se Kosova është vendi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe shantazhit, sepse nga mosdija, nga mospërvoja, shteti ra në duart e bandave, mafio-oligarkët dhe mafiozët e kanaleve të nëntokës kriminale."Këto banda shfrytëzuan këtë rast dhe iu turrën Kosovës si llavë ujqish për ta plaçkitur pa mëshirë. Dhe, menjëherë që kur përfundoi lufta vendin e morën bandat më të rrezikshme mafioze të kanaleve të nëntokës që edhe sot janë të njëjtit banditë, pa ndryshuar fare bile kanë përfituar përvojë në këtë drejtim, si të vidhet dhe jo se si të punohet për popull dhe atë që nga Presidenca, qeveritë bandite që asnjëra nuk e përfundoi mandatin deri në fund, Kuvendi i pandryshuar me fjalor rrugaçesh e kopukësh të ulur me blerje të votave. Dhe, tashmë shantazhi, korrupsioni, hajnia në Kosovë janë krejt normale. Këta banditë shkuar banditëve poentën kryesore e kanë se si të vjedhin dhe të bëhen supermilionerë dhe t'i trashin xhepat e tyre që ne mirë i njohim. Këta banditë, që deri dje nuk kishin bukë për të ngrënë dhe kur filluan të merren me politikë ishin edhe gjysmanalfabetë, u bënë milionerë sa hap e mbyll sytë", theksoi ai për "Kosova Sot".

GURAZIU: POLITIKA E SHANTAZHEVE PO MBIJETON MBI KRIMIN E ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIN

Sipas analistit politik Ragip Guraziu, politika e shantazheve po mbijeton mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe është një nga format më perfide të kërcënimit, dallavereve e mashtrimeve në Kosovë."Pushtetarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale vazhdojnë të jenë gjithnjë mbi ligjin. Dhe kjo do ishte arsyeja, si dhe pse janë instaluar në sistemin politik dhe në institucione të shtetit grupet dhe bandat e krimit dhe familjet e klanet e tyre mafioze dhe askush nuk çan kokën fare për mirëqenien e qytetarëve, por vetëm për interesat e veta e të klanit kriminal që e rrethon e bashkëjeton", theksoi ai. "Është një formulë pa zgjidhje nëse tentojmë të japim një definicion apo parashikim se deri kur Kosova do të vazhdojë të mbetet një shtet i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe shantazhit, deri atëherë kur kjo klasë politike të ikë në shtëpi, sepse aty është instaluar e forcuar që prej pasluftës, duke instaluar edhe protagonistët kryesorë të këtyre dy dekadave, që kanë punuar me shantazhe, kërcënime, prapaskena, dallavere e mashtrime", vijoi më tutje Guraziu."Për plot dy dekada shantazhi është bërë një model pune në Kosovë, me një klasë politike që janë mësuar të shantazhojnë rivalët, të shantazhojnë bile edhe njëri-tjetrin, për interesa të ngushta, për tenderë, për para, për pushtet, duke e bërë të shantazhuarit si mënyrë e të menduarit, të vepruarit e jetesës, si formë qeverisjeje, si një sindromë të pashërueshme dhe të metastazuar në tërë shoqërinë kosovare", tha Guraziu për "Kosova Sot".

Largimi i kriminelëve, shpëtim për qytetarët

Qytetarët e anketuar nga gazeta po ashtu theksojnë se e gjithë kjo strukturë politike e qeverisëse është e zhytur thellë në krim e korrupsion, prandaj shantazhin e përdorin si mjet mbijetese dhe vetëm me largimin e kësaj kaste kriminale do të mund të kemi shtet të mirëfilltë të së drejtës dhe të integruar në BE. "Përderisa kjo elitë politike komplet nuk do të hiqet dhe të vijë një gjeneratë e re, të vijnë njerëz të ngritur si intelektualë, kjo ka për të vazhduar kështu edhe më tutje. Janë interesat personale, janë njerëz që thirren, do në luftë e do në diçka tjetër, mirëpo gjithkush duhet ta ketë vendin e vetë. Ai i luftës duhet t'i ketë benefitet e veta dhe me ardhur një gjeneratë e re, me ardhur njerëz që kanë studiuar në perëndim dhe për të vazhduar, përndryshe korrupsioni është një kancer i kësaj Kosove dhe këtë po e shohim me të gjitha, me sigurimet shëndetësore, arsimi nuk është askund, shëndetësi po ashtu askund", u shpreh ai."Shpresa vdes e fundit dhe ma merr mendja që duhet pak më shumë angazhim qytetar dhe së shpejti të ndodhin ndryshimet, të vijnë ditë më të mira, sepse përndryshe deri këtu jemi katastrofë. Po e them me keqardhje, por kjo fatkeqësisht po shihet, duke filluar prej qeverisë e deri në nivelet më të ulëta, në çdo pore të jetës ka korrupsion. Edhe nëse në spital shkon me hy edhe ai këqyrë që një euro ta ndajë përgjysmë dhe kjo është situata", theksoi Xhevdet Gashi për "Kosova Sot". Gjykim të ngjashëm ka edhe i riu Genc Zakuti."Unë mendoj që për të ndryshuar kjo gjendje duhet të ndërrojë krejt kjo gjeneratë e politikës, prej të parit deri tek i fundit. Besoj që kjo do të ndodhë, por duhet të presim edhe do vjet, sepse nuk ma merr mendja që tash mund të ndodhë aq shpejt për momentin. Unë besoj që ndryshimet vijnë duke u shkolluar më shumë brezat e rinj, duke u ndërruar këto struktura, duke i ndërruar këta njerëz edhe me votën tonë, duke u dhënë votën më të mirëve e duke i anashkaluar njerëzit e njëjtë, të mos i votojmë ata që po na mbajnë tash e sa kohë me ato rrena e me ato mashtrime", potencoi Zakuti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)