Një muze nënujor për emigrantët e mbytur në det (Video)

  • 14 February 2016 - 21:25
Një muze nënujor për emigrantët e mbytur në det (Video)

“Museo Atlántico”, në ishullin spanjoll të Lanzarot, përmban një koleksion mbresëlënës skulpturash nga artisti britanik Xhejson di Keirs Tejlor.

Këto skulptura, të cilat përshkruajnë refugjatët, janë tërësisht nën ujë. Pritet që muze të hapet për vizitorët më 25 shkurt.

Di Keirs Tejlor ka krijuar projekte të ngjashme skulpturash nënujore nën sipërfaqen e ujit në Meksikë dhe Bahamas, si dhe në lumin Tamiz të Anglisë. Projekti i Lanzarot, i cili sipas “PBS News Hour” është financuar nga qeveria, fokusohet në krizën e refugjatëve të Evropës dhe përfshin disa instalime skulpturash të refugjatëve.

Ai ka shpjeguar se kjo lloj vepre nuk ka qëllim të mendohet thjesht si një “lapidar” për jetët e humbura të shumë njerëzve, por si një përkujtues i zymtë i përgjegjësisë kolektive të komunitetit tonë global.

Mijëra refugjatë kanë humbur jetën në përpjekje për një jetë më të mirë, pa luftë dhe pa varfëri.

Shumë prej tyre janë mbytur në brigjet e Turqisë dhe Greqisë në përpjekje për të arritur vendet e pasura evropiane.