Ilir Shaqiri, sjell një poezi të përveçme, me shumë individualitet

  • 25 June 2016 - 10:03
Ilir Shaqiri, sjell një poezi të përveçme, me shumë individualitet

Një poezi moderne, ku brenda trupit të saj vlon tradita dhe e tashmja.

Thjeshtësia e komunikimit dhe mesazhi universal i kësaj poezie, se paku për disa momente na zbresin në luginën përrallore të vuthajve, mes malesh hijerënda të një gjeografie ndër më të bukurat shqiptare.

Kjo poezi dhe Letërsia artistike në përgjithësi janë burim i pashtershëm në pasurimin e gjuhës kombëtare letrare shqipe.

Ilir Shaqiri

VUTHAJ

I lidhur me re,
i puthur nga lulet.
Aty ku gurët flasin me gurra,
majëmalet me burra!
Aty ku toka nemitet nga lulet
e dielli përkulet
mbi jastëkët e borës,
mbi djepësit e vet.
Përthinje yjesh
varreve të bardha!

Hëna pehatet në barkun e natës.
Më e bukura balerinë e përbujtur luginës.
E përnatshmja jetësore me sytë e diellit,
lëvaret dritareve,
përhiron mollët e vajzave,
përsysh perishanet e nuseve.
Moshëthyer i duket vetja
tek përralliset pellgoreve
duke pirë ujë në kërthizën e lumit,
nënkresë i bëhen brigjet.
E pagjumë,
veshtinë!
Tepër e bukur për t’i besuar
të gjallët, më të gjallë se jeta,
tek nanurisin porosinë:
Ndiq të parët,
të mbarët,
gjatësisht e gjatë,
margjënor,
ballëlart!

Pastaj, trofetë qiellzojnë bukurinë,
me kënaqësinë e dhimbjes!
Viganor,
pallëlarë,
ves ballnik
e virtyt ballaballë!

Ata që jemi ne,
rri atje ku plaket bora,
atje ku zanat vekojnë nusërinë!
Andej nga shkojnë furtunat e malet rrinë.
Fal, o Mal,
më bardh se bora jote
nëna kishte zemrën
edhe shaminë!

Vuthaj,
valomë kujtese
mes kataraktesh paratrojane.

Aty ku muza të merr për dore,
në sheshin e shijeve nektarore,
ku gëzimi i dorëzohet guximit
e mendjet sundon e vërteta.

Aty ku tridhjetë e gjashtë germa dihasin
nga dritëhedhja e situr me gjashtë sita +,
nën kërcitjen e gishtërinjve si arra të forta
ormisjeve të pafundme.
Çejz mbi krahët e fluturave,
ku përhimnohet e bukura!

Sakaq, ndrydhen retë –
të vetmet që nuk u marrin leje maleve,
argalisur, derdhin urdhrin e ripërtëritjes
mbi gjethet pëllëmbore,
prelud i 1001 harkorëve vjenezë
mbi qilim – shpirtin e pambuluar të luginës!
Vals veror
për afshzjarrtët që duan shi
dhe pak ormi!
Psherëtimat e pleqve ngrohen pranë vatrës.
Kohë për t’i kujtuar ato që kemi thënë,
ato që po themi sot,
domethënien dhe domosdonë e tyre.
E nesërmja duhet të na gjejë pa gabime!

Osmozë bore për orëmirët e historisë,
që lajnë sytë te krojet e bardha,
tek kuvendojnë,
këndojnë
e vuthzojnë ëndshëm
nën tingujt e prushtë,
ajërflladitës.

Suitë valëzimi,
Kantatë e maleve,
Simfoni e livadheve,
Baladë e të rënëve,
Vajazan i të gjallëve!

Vuthaj –
vatër që ngroh fatet
për rrugëgjatët.

Aty ku saktësohet metrika e ecjeve tona.
Aritmetikë përpjesëtimesh hapmëdha
për ata që shtohen
e mezi bashkohen.
Qartësisht e qartë
qëndisen në kartë,
ata që ishin,
ata që janë,
ata që do të vijnë,
ata që mbi jetën patën,
kanë e do ta kenë Shqipërinë.

Zëlartët mrizojnë puhishëm…,
… qetësi…!?
Po shkruan Rexha…,
mbi lëkurën e dheut që po dridhet!
I lidhur me re,
i puthur nga lulet!
Vuthaj,
behar i Urtësisë,
ku dielli përkulet!

(Kosova Sot)