Vokalisti i U2 në ndihmë të Nigerisë

  • 30 August 2016 - 20:38
 Vokalisti i U2 në ndihmë të Nigerisë

Bono Vox, vokalisti i grupit U2 iu bashkua të hënën njeriut më të pasur të Afrikës, Aliko Dangote në një konferencë për shtyp në kryeqytetin e Nigerisë, Abuja, për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me personat e shpërngulur në Nigerinë verilindore.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se këngëtari irlandez, prej kohësh një zëdhënës i të varfërve, dhe gjithashtu Aliko Dangote vizituan disa prej të shpërngulurve në kampet e tyre në qytetin verilindor të Maidugurit. Gati gjysmë milion fëmijë rreth liqenit Chad përballen me kequshqyerje akute për  shkak të thatësirës dhe rebelimit të grupit militant Boko Haram, siç bën të ditur UNICEF.

Bono është gjithashtu ambasador i vullnetit të mirë të komisionit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët. Ai tha se shpreson që vizita e tij në Nigeri të ndihmojë për pasqyrimin e vendit në faqet e para të mediave botërore.

“Ky është një vend i mrekullueshëm, i mbushur me mundësi e potencial, por këtu ka një problem serioz. 2 milionë njerëz janë të shpërngulur. Dhe për një irlandez si unë kjo është e vështirë për t’u konceptuar. Vendi ynë përbëhet nga vetëm 4 milionë banorë", tha Bono.

(Kosova Sot)