Ingrit Gjoni kopjon hap pas hapi videoklipin, por “të paktën” e merr nga një këngëtare shqiptare

  • 07 November 2017 - 12:05
Ingrit Gjoni kopjon hap pas hapi videoklipin, por “të paktën” e merr nga një këngëtare shqiptare

Nuk është hera e parë që flitet për këtë temë, për frymëzimin e këngëtarëve shqiptarë, (e sigurisht jo vetëm), për muzikën, tekstin, por edhe videoklipet.

Ajo që është pjesa më interesante në të gjithë këtë, është fakti se ata e kanë shumë të vështirë ta tregojnë paraprakisht se ideja nuk është origjinale por diku tjetër e kanë parë dhe u ka pëlqyer apo u është përshtatur me produktin e tyre prandaj kanë menduar ta realizojnë.

Sot do të kthehemi pak pas në kohë, rreth një viti më parë kur këngëtarja Ingrit Gjoni hodhi në treg këngën me titull “Sa më larg”. Një këngë e bukur që u mirëprit nga publiku, dhe tërhoqi vëmendje kryesisht për realizimin e klipit.

Në klip Ingriti ishte pozicionuar pak a shumë në rolin e një aktoreje, ku bashkë me modelin, që është Benardi i “Big Brother”, ajo shfaqej si vajza e lënduar nga lidhja por që kishte marrë vendimin të mos rrinte dhe ta largonte djalin që e bënte të vuante.

Klipi është bardh e zi, dhe skena interesante ishte “dhuna” e lehtë mbi Ingritin, ndërkohë që ajo qëndron “stoike” dhe e përqëndruar diku gjetkë…

Pas publikimit të këngës, rreth një muaj më vonë ajo u shfaq edhe tek “Zonë e Lirë” ku nuk përmendi në asnjë moment se mund ta kishte huazuar idenë, por tha vetëm se e kishin trajtuar si një film me metrazh të shkurtër.

Por ku e kemi parë sërish këtë skenë, thuajse identike?!

Shtatë muaj para se të publikonte videoklipin Ingridi, këngëtarja me origjinë shqiptar dhe sot një nga më të dashurat për publikun grek, Eleni Fureira, publikoi këngën me titull “Den su xrostao agapi” (Nuk të kam ‘borxh’ dashuri).

Një këngë shumë e bukur e cila po ashtu ka si tematikë ndarjen nga i dashuri të cilin e do akoma por ai e bën të vuaj dhe për këtë arsye ajo largohet.

Por të mos përqëndrohemi tek teksti, i cili po ashtu ngjason, dhe të ndalemi tek klipi…

I gjithi bardh e zi, personazhet që marrin pjesë janë vetëm këngëtarja dhe një mashkull, dhe… skena e “dhunimit” të saj, e po ashtu skena ku Eleni shfaqet me flokët gjysmë të lagura, njëjtë si dhe Ingriti më pas.

Epo të paktën në këtë rast le të mjaftohemi me idenë e të kopjuarit një këngëtareje shqiptare duke lënë të kuptohet se kanë vlerësuar mjaft punën e saj, aq sa për ta risjellë në një këngë tjetër. 

 (Më poshtë mund të shihni klipin e Eleni Foureira si dhe atë të Ingritit, dhe ta vlerësoni nëse janë thuajse njësoj apo jo!)

(Kosova Sot)