< “Do martohem me Eli Farën!” Zbulohet mesazhet sekrete kur këngëtarja ndiqej nga sigurimi (Foto) - VIP - Kosova Sot
“Do martohem me Eli Farėn!” Zbulohet mesazhet sekrete kur kėngėtarja ndiqej nga sigurimi (Foto)

“Do martohem me Eli Farėn!” Zbulohet mesazhet sekrete kur kėngėtarja ndiqej nga sigurimi (Foto)

Edhe pse kishte kaluar gjysma e dytë e vitit 1989 dhe në mjaft prej shteteve të Europës Lindore kishin filluar të ndiheshin “erërat” që vinin nga përtej Atlantikut, në Shqipërinë komuniste dukej se nuk po frynte e nuk po lëvizte asgjë dhe “ujërat” rrinin po në vend?!

Madje dukej sikur gjërat po shkonin mbrapsht dhe situata po përkeqësohej gjithnjë e më shumë për shkak të gjendjes ekonomike tejet të vështirë që po kalonte vendi, gjë e cila lidhej direkt me politikën e izolimit që vazhdonte të aplikonte Tirana zyrtare me udhëheqjen e saj.

Si rezultat i kësaj edhe në art e kulturë vazhdonte të ndihej po njëlloj te shkrimtarët e artistët, madje për vetë famën emrin autoritetin apo dhe disa privilegje që kishin e gëzonin ata te dhe ndaj shtresës tjetër të shoqërisë shqiptare, diktati dhe kontrolli partiak e shtetëror ndaj tyre ishte dhe më i fortë e më i rreptë. Jo vetëm kaq, por partia dhe shteti nëpërmjet “organeve kompetente” (Sigurimi i Shtetit) vazhdonte të futej dhe ndërhynte thellë deri në jetën private të njerëzve të artit e kulturës, njëlloj si në periudhën më të vështirë që kishin kaluar ata, atë të pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, e Pleniumin e V-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së. Kjo gjë vec të tjerash si dhe në fokumentet e ndryshme arkivore të publikuara në faqe të ndrshme të këtij libri, bëhet e ditur dhe nga këto që po publikojmë në këtë kapitull, ku udhëheqja më e lartë partiake e shtetërore e regjimit komunist të Tiranës, është alarmuar pas një telefonatë që është bërë nga SHBA, lidhur me këngëtaren e njohur Eli Fara.

Në dokumentet në fjalë, ajo që vihet re nga përmbajtja e tyre, nuk është vetëm fakti që ka të bëjë me ndërhyrjen në jetën private të këngëtares së famshme, për të cilën janë vënë në alarm dhe lëvizje krerët më të lartë të udhëheqjes shqiptare të asaj kohe, (Lenka Çuko, anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror, Simon Stefani, anëtar i Byrosë Politike, sekretar i Komitetit Qendror dhe ministër i Punëve të Brendshme, Reiz Malile anëtar i Komitetit Qendror dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Anastas Kondo , funksionar i lartë për Artin e Kulturën në komitetin Qendror, Jorgo Melica, Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me jashtë, etj, as “statusi” i fortë i personit që interesohej të lidhte jetën me këngëtaren në fjalë gjë e cila natyrisht lidhej dhe vinte për shkak të origjinës dhe gjendjes së tij shoqërore, si një shqiptar që jetonte e punonte jashtë, madje në SHBA, por ndikimi dhe autoriteti i madh që ai kishte tek udhëheqja e lartë shqiptare e asaj kohe?!

Kjo gjë shihet më së miri te raport informacioni që ka bërë për udhëheqjen e lartë, Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Jashtë, Jorgo Melica, ku shqiptari i diasporës Agim Z.. në bisedën telefonike e ka trajtuar atë, as më pak dhe as më shumë , por si një vartës të bindur të tij.. jo vetëm kaq, por aty duket se Melica nuk ka pasur guximin ta kundërshtojë atë për asnjë gjë nga ato që ai i ka kërkuar, madje të zbatojë urdhërat e tij për të takuar ata persona që ai (Agim Z..) i ka sugjeruar dhe në fund të bisedës telefonike me shumë mirësjellje, apo më saktë me shumë frikë, i ka uruar dhe punë të mbarë bashkëbiseduesit që fliste nga SHBA-ja?! Sjellja përulëse e kreut të Komitetit të Kulturës ndaj “shqiptarit nga SHBA” vinte pasi Melica e njihte shumë mirë potencën apo statusin që kishte Agim Z.. te “shokët e udhëheqjes”, në Tiranë, pasi ai vetë (Jorgo) në vitin 1986, me anë të një raporti zyrtar, ka njoftuar eprorët e tij në udhëhejqen më të lartë lidhur me Agim Z.. dhe gjithë aktivitetin dhe “punët” që ai kryente në SHBA, nëpër botë dhe në Shqipëri kur vinte për vizita pune..lart.

Nuk dihet me saktësi nëse Agim Z.. ka pasur vërtet takime dhe biseda me këngëtaren e famshme Eli Fara, apo ato që përmenden në raport informacionin e Melicës kanë qenë thjesht dëshira apo fantazira të tij?! Por, sa më sipër nuk do të kishte dhe përbënte asgje të keqë fakti, nëse ai ishte takuar vërtet dhe njihej me këngëtaren simpatike korçare, apo dhe të kishin bërë plane së bashku, ashtu siç thuhet në raportin “Tepër Sekret” për një takim të tyre, kur ajo do të ndodhej në Greqi me Ansamblin “Korça” , ku Eli kishte filluar karrierën e saj si këngëtare, shkruan gazeta Shqiptare. Gjithnjë sipas dokumenteve në fjalë ndryshe nga dashamirësia e regjisores së famshme Vera Grabocka, e cila i paska sugjeruar Agim Z.. që “..nuk duhet që ta bisedojë me Komitetin ose shoqëruesin, por problemin e martesës me Eli Farën, tia ngrejë shokut Spiro Dede, i cili ka influencë tek udhëheqja dhe mund ta ndihmojë që të bëhet kjo martesë me Agimin”. Jorgo Melica, sipas orientimeve, porosive apo urdhrave që ka marrë nga “shokët e udhëheqjes” nuk kanë tentuar ta thërrasin Eli Farën dhe ta këshillonin atë (që të hiqte dorë nga ajo lidhje, apo të njoftonte e të merrte leje në organet kompetente përkatëse) , por ata kanë njoftuar Ministrinë e Brendshme për ndjekjen e saj?!

Po kështu sa më sipër “shokët e udhëheqjes” nuk kanë tentuar dhe nuk kanë guxuar që për këtë problem, të keshillonin, as Agim Z.. duke i thënë se problemi i martesës me këngëtaren Eli Fara, duhej të zgjidhej jo në rrugë miqësore, por në rrugë ligjore si gjithë shtetasit e tjerë shqiptare. Por ata kanë zgjedhur rrugën më t shkurtër atë të survejimit dhe ndjekjen nga Sigurimi i Shtetit për këngëtaren e njohur, ashtu siç ndodhte rëndom në atë kohë për të gjithë shkrimtarët e artistët dhe jo vetëm. Ashtu si dhe në pjesën më të madhe të dokumenteve të këtij libri, edhe këto publikohen të plota, por duke mos zbuluar idenitetin e plotë të personazhit kryesor për të cilin bëhet fjalë në këtë kapitull.

 

(Kosova Sot)

10 orë e 36 minuta më parë