“Beso” kënga që Dr.Flori ia kushtoi të birit. Miqtë e tij: Presion i madh emocional

  • 18 January 2018 - 10:49
“Beso” kënga që Dr.Flori ia kushtoi të birit. Miqtë e tij: Presion i madh emocional

Përpara se të ndahej nga jeta Dr. Flori kishte përgatitur një demo kushtuar të birit, por që që për fatin e keq nuk arriti ta realizonte. Disa javë më parë miqtë e tij, Landi dhe Miri në bashkëpunim me vëllain e tij, Albanin ia dolën ta finalizonin si projekt dhe i dhuruan publikut videoklipin e munguar të kësaj kënge.
Të ftuar tek “Rudina” në televizionin “Klan” ata kanë rrëfyer se ky projekt ka qenë tepër i vështirë për t’u realizuar nga ana emocionale. “Flori e ka nisur si një projekt për t’ia dedikuar djalit, e ka punuar në një kohë, bënte pjesën e vet dhe siç punonte Flori, e linte për një kohë tjetër për t’iu rikthyer. Ndodhi ajo që ndodhi dhe kënga mbeti aty.  Albani na e prezantoi këngën dhe ne ishim gati për ta nxjerrë…” – tregon Landi. Nga ana tjetër e ekranit u shfaq edhe vëllai i Dr.Florit, Albani, i cili i falenderoi çunat e ‘WSF’ që arritën ta finalizonin atë projekt.  “Ishte kënga e fundit e Florit që mbeti. Nuk ishte fare e thjeshtë, sepse kisha një ngërç të madh emocional sa herë që punoja. Më mori edhe shumë kohë, sepse e nisja dhe e mbyllja. Falë energjisë së çunave, këmbënguljes dhe premtimit për ta çuar deri në fund, arritëm ta konkretizojmë”- tha Albani. Duke qenë se kënga i dedikohet Danielit, djalit të Dr.Florit, në videoklip është përfshirë një fëmijë i vogël dhe mesazhi që përcillet është se gjithmonë duhet të besosh dhe të mos dorëzohesh.

(Kosova Sot)