Ilda Kroni: Historia ime e dashurisë me yllin e serialeve indiane

  • 01 February 2018 - 13:09
Ilda Kroni: Historia ime e dashurisë me yllin e serialeve indiane

Showbizi i botës indiane të Bollywood-it e ka shndërruar në telenovelën e lajmeve rozë, historinë e dashurisë së aktorit më të pëlqyer të momentit, Ashish Kapoor dhe modeles nga Sh-kodra, Ilda Kroni. Ata konsiderohen çifti i momentit, duke pushtuar kopertinat e revistave me fotot e tyre romantike. Për karrierën si modele dhe ofertat nga kinemaja indiane, lidhjen 8-mujore me 33-vjeçarin Ashish Kapoor (që e njohim si Gautam Rode në serialin “Saraswatichandra”) dhe të tjera sekrete si vajzë e bukur dhe me fat, pjesëmarrësja e Shqipërisë në “Miss Universe 2014” i rrëfen për herë të parë për gazetën “Panorama”.

Pas vitesh jetese dhe karriere në Greqi, ke qenë pjesëmarrëse e garave të bukurisë apo modës në Shqipëri. Arrite atë çfarë dëshiroje nga këto konkurrime në vendin tënd?

Besoj që në çdo aktivitet apo garë që marrim pjesë, ar-rijmë diku dhe mësojmë diç-ka, por e vërteta është që në Shqipëri akoma ka shumë korrupsion dhe nuk vlerësojnë mbi vlerat që garuesi apo garuesja ka dhe prandaj u largova nga Shqipëria. Mund të them, që në gara jashtë Shqipërisë kam qenë shumë herë fituese në konkurrime të ndryshme për vlerat që kam.

Si ndodhi që u vendose në Indi dhe cila është karriera apo fama jote atje?

Kam rreth tre vite që udhëtoj në vende të ndryshme të botës si modele, pasi menaxhohem nga një agjenci në Greqi. India ishte një shtet që shumë agjenci ishin të interesuara, kështu që ja ku jemi!

Flitet shumë për njerëz të famshëm dhe pasanikë në botën e Bollywood-it. Ti, si e ke njohur atë realitet dhe sa kontakt ke me të famshmit atje?

Hmmm! E vërteta është që më ka ndodhur të njoh disa nga puna që bëj. Kam pas disa bashkëpunime me të famshmit indianë, por më shumë pas lidhjes me aktorin Ashish Kapoor, i kam njohur shumë nga afër. Mund të them, që janë shumë ndryshe nga si i njohim nga ekrani dhe me disa prej tyre kam kontakte.

Siç treguat, je në një lidhje të bukur dhe famoze me një nga yjet e serialeve indiane, që publiku shqiptar e ka njohur me rolin e tij në “Saraswatichandra”. Si u njohët, më mirë të themi si lindi gjithçka mes jush?

Po është e vërtetë. Jemi në një lidhje tetëmujore tashmë. Ne jemi njohur nga disa miq të përbashkët në një event ku ishim të ftuar të dy. Aty lindi gjithçka.

Kemi parë në rrjetet sociale, që i dashuri ju bën shumë dedikime dashurie. Keni bërë plan të martoheni?

Të dy besojmë që ku ka ndjenja, s’ka pse të fshihen. Ndërsa për martesë s’kemi bërë plane, sepse është një propozim që të vjen surprizë aty ku nuk e pret.

Çfarë të tërheq tek ai?

Janë shumë gjëra që më tërheqin tek ai, por ato që unë vlerësoj më shumë janë thjeshtësia e tij dhe tendenca për t’i bërë të gjithë njerëzit e lumtur.

I pashëm, tërheqës dhe pak arrogant ishte roli i partnerit tënd në serialin “Saraszvatiçandra”. Po në jetë a hyn te djemtë e fortë dhe të pavarur, apo është i llastuar?

Ashishi, edhe pse vjen nga familje e fortë dhe e pasur, asnjëherë s’e ka përdorur, por ia ka nisur karrierës së tij vetëm dhe nga e para. Dhe në këto momente arritjet e tij janë shumë të mëdha, kështu që pa diskutim është djalë i fortë dhe i pavarur.

Sa e ndjen ndryshimin e kulturave kur takohesh me të afërm, apo kur del me shoqërinë e një aktori kaq të njohur në Indi?

Ndryshimet e kulturave sigurisht janë të shumta, por kultura e tyre është shumë pozitive dhe optimiste, ndërsa të afërmit dhe shoqëria e tij janë shumë të ngrohtë me mua.

I dashuri yt është një djalë i pasur si aktor në kulmin e karrierës? Po ti sa e paguar je si modele në Indi?

Nëse Ashishi është i pasur, i përket atij të përgjigjet. Sa për pagesat e mia, ato janë të larta dhe shumë të mira, ngaqë agjencia që punoj gjithmonë bën një promovim shumë të mirë mbi punën time.

Si e projekton të ardhmen tënde aty, të kanë bërë dhe ty ndonjë ofertë si aktore?

Po, ofertat janë të shumta, por akoma s’e kam vendosur nëse nga modele të kthehem një aktore, ose t’i bëj të dyja njëkohësisht. Por, për momentin, po punoj për përvetësimin e gjuhës.

Jashtë punës, ia kalon bukur në Indi dhe çfarë nuk të pëlqen në stilin e jetës indiane?

Jeta këtu është shumë ndryshe, por më pëlqen, se gjithmonë në çdo shtet shoh gjërat që më bëjnë të lumtur.

Image
Image

 

(Kosova Sot)