INTERVISTË ME KËNGËTAREN PANDORA:'Nuk bëj pjesë te klanet, që sorollaten poshtë e lartë nëpër TV'

  • 20 May 2018 - 09:53
INTERVISTË ME KËNGËTAREN PANDORA:'Nuk bëj pjesë te klanet, që sorollaten poshtë e lartë nëpër TV'

Pandora është ndër këngëtaret më të njohura të muzikës folk në trojet shqipfolëse. Fillet e saj në muzikë datojnë rreth viteve 2000, gjegjësisht në vitin 2003, kur ajo publikoi albumin e parë me titull:"100 vjet pa ty", për të vazhduar me pjesëmarrje në disa festivale, si: "Polifest" (2003), me këngën "Të adhuroj", më pas në Festivalin e 44-t të RTSH-së, me këngën "Pritja", etj. Mirëpo, suksesi i saj do të vijë, disa vjet më vonë, me hit baladën:"Mos nënshkruaj",ku këngëtarja, pati një interpretim të shkëlqyer, megjithatë Pandora njihet edhe për shumë hite të tjera, si: "I padrejtë", "Kafeja e mëngjesit", "Lindëm nënë edhe njëherë", në bashkëpunim me Adnan Dacin, "Pika do më bjerë", e shumë të tjera. Në një intervistë ekskluzive për "Kosova Sot", ajo përgjigjet në shumë pyetje, që ju ftoj t"i lexoni në vijim.

Image

"Kosova Sot":Keni vite në skenë, megjithatë shumë rrallë ju shohim në ndonjë intervistë, a është kjo preferenca juaj, apo mediet janë të njëanshme? 

Pandora:Mendoj se të dyja qëndrojnë. Them të drejtën, unë jam e pavarur në këtë aspekt, nuk bëj pjesë në këto klanet që i shohim të njëjtat fytyra që sorollaten poshtë e lart nëpër TV, e disa portale ku dihet mirë se aty ka favore, dhurata e pagesa të ndryshme vetëm për të dalë në një intervistë apo emision në TV etj. Shfrytëzoj rastin t'i falënderohem me përulje të gjithë adhuruesve të këngës time, sepse ata/ato më mbajnë në këtë profesion, pa qenë pjesë e këtyre grupacioneve.

"Kosova Sot":Cilat janë tri këngët e tua, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?

Pandora:Janë disa këngë, por meqë më kërkoni tri, pa dyshim është kënga: "Mos nënshkruaj", "Kafja e mëngjesit" dhe "Pika do me bjerë".

"Kosova Sot":Çfarë nuk mungon asnjëherë në valixhen e Pandorës, kur udhëton?

Pandora:Çfarë mungon thuaj më mirë, sa herë debatoj me burrin për këtë gjë, kur e sheh sa e rëndë bëhet valixhja, hahaha. Normal, dokumentet e udhëtimit nuk mungojnë asnjëherë.

"Kosova Sot":Qyteti apo vendi që ju relakson dhe do të ktheheshit me dëshirë?

Pandora: Kam udhëtuar gjithandej, nëpër shtete e qytete të ndryshme, por më mungon vendi i Shqipeve. Edhe pse jetoj në një vend të qetë prapë..., një fjalë e urtë popullore thotë:Guri i rëndë peshon në vend të vet!

"Kosova Sot":Publiku ju njeh me emrin Pandora, a është ky vetëm emër artistik apo dhe në letërnjoftim jeni Pandora e vërtetë?

Pandora: Pyetje me vend, unë dhe në dokumente e kam këtë emër dhe emri im i vërtetë është Pandora, me këtë rast i njoftoj të gjithë ata që e lexojnë këtë intervistë, se këngëtare tjetër shqiptare me këtë emër nuk ka, janë vetëm manipulatorë që përfitojnë me emër të kopjuar.

"Kosova Sot":Çfarë kujton nga fëmijëria, na shpalos ndonjë kujtim që sot ke nostalgji?

Pandora: Kujtime plot, e dini si thonë, me plot nostalgji: Ah, sikur të kthehem edhe një herë fëmijë!

"Kosova Sot":Cilat janë projektet muzikore që ke në plan t'i lansosh gjatë muajve në vijim?

Pandora:Tani kam bërë publike një baladë me videoklip që quhet "Hak merr Perëndia", kam dhe disa materiale që presin të përfundohen, mirëpo koha është ajo që më mungon, sepse ne jetojmë në Zvicër, dhe vajza e vogël shkon në shkollë këtu, nuk mund ta lë vetëm për kohë të gjatë. Nëse mundem të mbërrijë para se të filloj me sezonin e verës, do ta finalizoj një këngë dasmash që kam, është e re dhe mendoj se do të pritet mirë.

"Kosova Sot":Për fund, kujt i thotë Pandora: Të dua?

Pandora: Vajzës dhe burrit!

Intervistoi:Armend Preteni

 

(Kosova Sot)