INTERVISTË PËR 'KOSOVA SOT' ME KËNGËTAREN MIRA JANJI:Më mirë rrallë sesa të thuash gjithmonë të njëjtat gjëra

  • 23 May 2018 - 14:35
INTERVISTË PËR 'KOSOVA SOT' ME KËNGËTAREN MIRA JANJI:Më mirë rrallë sesa të thuash gjithmonë të njëjtat gjëra

Mira Janji është këngëtare e njohur nga Shqipëria mëmë. Fillet e saj në muzikë datojnë që nga fëmijëria, megjithatë si e rritur ajo karrierën e ka filluar në Festivalin e 38-të të RTSH-së (1999), me këngën "Valët t'i bëja fjalë", për të vazhduar me këngën "Me ty kam jetë", në 'Top Fest 5' (2008) etj. Si solo artiste, Mira ka publikuar deri tani katër albume muzikore dhe shumë këngë, të cilat u pëlqyen ndër vite nga publiku, si: "Nëse s'vjen sonte", "Midis nesh s'ka kufij", 'Mon Amour", e shumë të tjera, që tregojnë se Mira Janji është e përkushtuar në muzikë. Në një intervistë për gazetën "Kosova Sot", ajo shpalos shumë gjëra.

Image

"Kosova Sot": Keni vite në skenë, megjithatë shumë rrallë ju shohim në ndonjë intervistë, a është kjo preferenca juaj, apo mediat janë të njëanshme?

Mira Janji: Mendoj se mjaftojnë intervistat e duhura, se të dalësh gjithmonë dhe të thuash të njëjtat gjëra.

"Kosova Sot":Cilat janë tri këngët tua që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?

Mira Janji: Janë disa, por meqë duhet t'i zgjedh, po veçoj këto të tria: E para, që është edhe klipi im i parë, që sot e kësaj dite pëlqehet shumë dhe ende dëgjohet, është 'Nëse s'vjen sonte", e dyta që dëgjohet në çdo dasmë shqiptare është "Shqipëri moj tungjatjeta" dhe kënga fituese në festivalin "Çelësi Muzikor" (8), "Pa ty".

"Kosova Sot": Çfarë nuk mungon asnjëherë në valixhen e Mirës, kur udhëton?

Mira Janji: Po si çdo femër, gjërat e nevojshme dhe më kryesore, higjienike dhe estetike.

"Kosova Sot": Qyteti apo vendi që ju relakson dhe do ktheheshit me dëshirë?

Mira Janji: Pa dyshim do ta zgjedhja Sarandën, si më të preferuarën nga unë.

"Kosova Sot": Cilat janë për ty pesë këngët më të bukura shqipe?

Mira Janji: "Valsi i lumturisë" nga Vaçe Zela, të cilën e këndoj dhe vetë; "Djaloshi dhe shiu", këngë polifonike labe; "Kafe Flora", nga Lindita Theodoril "Udhët tona janë të bukura", nga Sherif Merdani dhe "Kënga e nënës".

"Kosova Sot": Çfarë kujton nga fëmijëria, na shpalos ndonjë kujtim që sot e ke nostalgji?

Mira Janji: Kur drejtoja fëmijët e tjerë dhe unë këndoja para tyre këngët.

"Kosova Sot": Cilat janë projektet muzikore që keni në plan t'i lansoni gjatë muajve në vijim?

Mira Janji: Janë surprizë për publikun e gjerë, të cilat do të fillojnë të lansohen gjatë kësaj vere.

"Kosova Sot": Për fund, kujt i thotë Mira të dua?

Mira Janji: "Pa Koment" (buzëqesh).

Intervistoi:Armend Preteni.

 

(Kosova Sot)