INTERVISTË ME KËNGËTAREN SHQIPE ABAZI:“Mos kërkoni gjithmonë pëlqimin e të tjerëve: nuk keni nevojë”

  • 18 June 2018 - 15:36
INTERVISTË ME KËNGËTAREN SHQIPE ABAZI:“Mos kërkoni gjithmonë pëlqimin e të tjerëve: nuk keni nevojë”

Shqipe Abazi është ndër këngëtaret më të pëlqyera të muzikës popullore në Kosovë dhe Diasporë. Fillimet e Shqipes, me muzikën popullore, datojnë nga shkolla fillore, ku ishte pjesë e korit të shkollës që merrnin pjesë në shumë aktivitete muzikore të kohës. Në vitin 2004, këngëtarja merr pjesë në "Polifest", me këngën "Kthehu", e cila u mirëprit nga publiku. Me zërin e veçantë, të cilin e posedon Shqipe Abazi, gjatë karrierës së saj ka lansuar shumë këngë hite, të cilat u pëlqyen nga publiku. Përmendim këtu:"Këngën që ty ta këndova", "Sot po të mallkoj me zemër", "Kurrë nuk do ta fal", "Ne vetmi", e shumë të tjera që Shqipe Abazin e bëjnë, ta ketë një vend të merituar në skenën e muzikës shqiptare. Për "Kosova Sot", ajo përgjigjet në shumë pyetje, të cilat ju ftoj t'i lexoni në vijim.

Image

 

"Kosova Sot": Rikthehemi në kohë, si ishin hapat e parë të Shqipes në muzikën popullore?

Shqipe Abazi: Hapat e parë si çdo fëmijë ishin qysh në shkollën fillore që edhe sot e kujtoj me shumë nostalgji.

"Kosova Sot":Cilat janë tri këngët e tua, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?

Shqipe Abazi: Unë, në vitin 2004, kam lansuar në treg albumin tim, i cili është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga adhuruesit e këngës time. Dhe këngët që lanë gjurmë janë: "S'ishte hera e parë që m'tradhtove" që është kënduar pothuajse nga çdo këngëtar. "Më mashtruan sytë e tu" dhe një potpuri e këngëve të vjetra popullore "Fol një herë moj shtatë selvie", "Kah dera të rashë me t'pa", "Unë e di se ti mu më do".

"Kosova Sot":A e ka trashëguar talentin për muzikë ndonjëri nga fëmijët tuaj?

Shqipe Abazi: Unë edhe bashkëshortin e kam muzikant Agron Abazin, siç e dinë të gjithë dhe fëmijët janë rritur me këngën kanë shumë talent, por këndojnë për qefin e vetë (hahahaha). Vajza e madhe Arianita studion mjekësinë në Gjermani, dhe Aldina po pretendon t'i ndjekë hapat e së motrës fatmirësisht.

"Kosova Sot":Qyteti, apo vendi ku ju relakson dhe do ktheheshit me dëshirë?

Shqipe Abazi: Kam shëtit shumë vende të ndryshme, duke iu falënderuar profesionit që kam dhe njerëzve që vazhdimisht na bëjnë ftesë, për të performuar, por qetësinë e shpirtit apo relaksin 100%, vetëm në shtëpinë time, me familjen time të shenjët e gjej.

"Kosova Sot":Cilat janë pesë këngët më të bukura shqipe për ty?

Shqipe Abazi: Eh, këngët!!! Unë këngët e vjetra qytetare të Shqipërisë së mesme i kam në shpirt,ka shumë, por po i ceku vetëm pesë, për t'u përgjigjur juve: "Si m'ke sytë mi ke vetullat","Ma fal atë buzëqeshje","Asaman moj dush me njat bukuri","S'paske pas një pikë mëshirë","Une ty moj të kam dashtë", këngë që nuk vdesin kurrë.

"Kosova Sot":Sa ke miqësi me kolege, dhe cilat për ty janë mikeshat e vërteta?

Shqipe Abazi: Unë kam raporte jashtëzakonisht të mira me të gjitha koleget. Është problem me i nda, sepse kam shumë mikesha të mira dhe shumë respekt të ndërsjellë. Por që takohemi shumë më shpesh me Ganimete Abazin Ryva Kajtazi, Halime Manin, Motrat Mustafa, Violeta Kajtazin, Lendita Mjekiqin, ishalla s'e kam harruar dikë se 'vaj halli' për mua (hahaha).

"Kosova Sot":Cilat janë projektet muzikore që ke në plan t'i lansosh gjatë muajve në vijim?

Shqipe Abazi: Unë për këtë sezon të verës nuk do të sjell ndonjë projekt për shkak se kam qenë shumë e angazhuar me mbrëmje të shumta nëpër Evropë dhe dasma. Këtë vit, pak ndryshim nga vitet e tjera, por po shpresoj të realizoj diçka shumë të bukur pas sezonit veror.

"Kosova Sot":Motoja e Shqipes për jetën?

Shqipe Abazi:Për fund, motoja ime për jetën është kjo:"Ne mund të arrijmë të kemi miratimin e të tjerëve, nëse veprojmë mirë dhe bëjmë maksimumin për ta marrë atë, megjithatë mendimi ynë ka vlerë njëmijë herë më shumë, thelbi është që mos kërkoni gjithmonë pëlqimin e të tjerëve: nuk keni nevojë".

Intervistoi:Armend Preteni

 

(Kosova Sot)