“Daily Mail”: Rita Ora, nga Kosova e shkatërruar, te dyshimet për një lidhje me Jay-Z (Foto)

  • 05 May 2016 - 17:42
“Daily Mail”: Rita Ora, nga Kosova e shkatërruar, te dyshimet për një lidhje me Jay-Z (Foto)

“Me një “Coca-Cola” përpara, ndoshta gjë e rrallë në atë kohë dhe vend, dhe një buzëqeshje në buzë, Rita Ora shikon aparatin fotografik. E ulur në një lokal modest  në Prishtinën e shkatërruar nga lufta, ylli i ardhshëm i muzikës dhe e motra, Elena, janë shumë të lumtura që janë bashkuar me kushërirat, të cilat mbetën në Kosovë pasi motrat Ora ikën në Britani. Ishte viti 2001 dhe vendi po përpiqej ta merrte veten nga spastrimi etnik që la pas 11 mijë të vrarë”.

Kështu e nis “Daily Mail” shkrimin që i ka kushtuar këngëtares me origjinë nga Kosova.

Tabloidi britanik përshkruan jetën që bën sot Rita Ora (dikur Sahatçiu).

“15 vjet më vonë, dy motrat jetojnë një jetë krejt tjetër. Rita, sot milionere dhe sensacion në muzikë, është në qendër të thashethemeve për një lidhje me yllin e muzikës, Jay-Z. E motra, Elena, është partnerja e saj në biznes dhe të dyja udhëtojnë në mbarë botën.

Dorotea Sahatçiu dhe e motra Donjeta ende jetojnë në gjendje të vështirë në Kosovë. Vitet kanë kaluar dhe lidhjet mes kushërirave janë ndërprerë saqë Dorotea, sot 23 vjeçe, u mundua shumë që të arrinte në “X-Factor” për të takuar Ritën, duke iu lutur rojave të linin të hynte.

Dorotea nuk mundi të fliste me Ritën, por bëri foto nga vendi i spektatorëve si të gjithë të tjerët. Por pavarësisht kësaj, ajo është krenare për kushërirën dhe i ndan shpesh kujtimet me të tjerët”, shkruan “Daily Mail”, e cila boton edhe fotografi të fëmijërisë së hershme të këngëtares.

(Kosova Sot)