NASA: Shkatërrimi i satelitit indian e rrezikon Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

  • 02 April 2019 - 14:19
NASA: Shkatërrimi i satelitit indian e rrezikon Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

Kreu i NASA-s, Jim Bridenstine, ka thënë se shkatërrimi i një sateliti nga India është gjë e tmerrshme, duke shtuar se hedhja e raketës i ka krijuar 400 copa mbetjesh, të cilat paraqesin kërcënim për astronautët që ndodhen në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Bridenstine i bëri këto komente përballë punëtorëve të NASA-s pesë ditë pasi India e shkatërroi një satelit në hapësirë përmes një rakete, për të cilën u tha se e vë Indinë në mesin e fuqive botërore për hulumtimin e hapësirës.

Pas goditjes nga raketa, sateliti është ndarë në shumë pjesë, disa prej të cilave janë të mëdha dhe të rrezikshme, por të cilat janë të vogla për t’u vërejtur nga radarët, tha Bridenstine. “Ato që po i vëzhgojmë deri tash janë copat e mbetjeve me madhësi prej dhjetë centimetrash ose më të mëdha. Deri tash i kemi vërejtur rreth 60 pjesë”, shtoi ai.

Sateliti indian u shkatërrua në një lartësi relativisht të vogël, rreth 300 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, që do të thotë se ai është shkatërruar nën Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe në lartësi më të vogël se ajo ku ndodhen shumica e satelitëve.

Sidoqoftë, kreu i NASA-s tha se 24 copa mbetjesh janë duke lëvizur mbi Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. “Kjo është e tmerrshme. Ky lloj veprimi nuk përkon me të ardhmen e hulumtimeve të njerëzve në hapësirë”, tha ai, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)