E meta e 'Apple iOS', që ua rrezikon privatësinë

  • 10 April 2019 - 18:03
E meta e 'Apple iOS', që ua rrezikon privatësinë

"Siri" thjesht nuk di kur të heshtë. Një e metë e sigurisë e asistentit digjital të "Apple"-s i bën përdoruesit të rrezikuar nga keqpërdorimet. Kjo e metë ua mundëson keqpërdoruesve që të bëjnë thirrje, apo të dërgojnë mesazhe nga pajisja e kyçur e dikujt tjetër. Tërë ajo që duhet bërë, është të përfitohet nga karakteristika 'Hey Siri', e cila aktivizon asistentin digjital, posa të thuhen këto fjalë. "Apple" ofron "Siri"-n në çdo telefon "iPhone" që ka dalë pas modelit "iPhone 6S", respektivisht pas shtatorit të vitit 2015. Dhe, derisa teknologjia në fjalë mund të jetë e dobishme për gjërat, sikur që është vënia e alarmit dhe shikimi i motit me vetëm një zë, ajo po ashtu mund të keqpërdoret për qëllime më pak fisnike. Përpos asaj që u tha më lart, keqpërdoruesit mund t'i thonë "Siri"-t ta thërrasë numrin e fundit që është 'sjellë' në pajisje. 

EDHE MESAZHE

Për më tepër, ndokush afër mund të thotë 'Hey Siri, text mom' dhe ai do të fillojë të shkruajë mesazh. Por, ekziston një 'sekret'. Personi që keqpërdor pajisjen duhet ta ketë zërin e ngjashëm me atë të pronarit të pajisjes, me qëllim që komanda të realizohet me sukses. Kjo e metë, e zbuluar tani, na kujton një të metë të ngjashme, të zbuluar vitin e kaluar, kur "Siri" lexonte njoftimet tuaja të fshehta edhe kur pajisja ishte e kyçur. Kjo nënkuptonte se, nëse ndokush kërkonte nga "Siri" që të lexonte njoftimet e përdoruesit, "Siri" do t'i lexonte ato nëse ishin dërguar nëpërmes aplikacionit të palës së tretë, sikur psh "Facebook Messenger", "Slack" ose "Signal".

Nuk është e qartë a e ka hequr qafe "Apple" virusin në "iOS 12". Virusi ishte zbuluar në "iOS 11". Për përdoruesit që duan mesazhet e tyre të mbesin private, ata mund të ndërmarrin masa shtesë në "Settings" të pajisjeve të tyre. Përdoruesit mund ta deaktivizojnë "Siri"-n sa herë që pajisja e tyre të jetë e kyçur, duke shkuar te "Settings", duke u përcaktuar për "Siri & Search" e më pas duke pamundësuar (deaktivizuar) "Allow Siri When Locked". Për më tepër, 'Hey Siri' mund të deaktivizohet duke hyrë te "Settings", duke u përcaktuar për "Siri & Search" dhe duke fikur "Listen for Hey Siri".  

CILAT PAJISJE KANË ASISTENTIN DIGJITAL "SIRI"?

Siri u lansua bashkë me pajisjen "iPhone 4s" në vitin 2011. Asistenti digjital mund të krijojë paralajmërues, kalendar të ngjarjeve dhe të sigurojë informacione rreth restoranteve dhe kohës. Që nga atëherë, asistenti digjital i "Apple"-s është shtuar te disa produkte, duke filluar nga smartfonët, e deri te tabletët. Ai ishte përfshirë edhe te altoparlanti i parë 'shtëpiak' i "Apple", "HomePod".

JA DISA NGA PRODUKTET E "APPLE"-S QË PËRMBAJNË "SIRI":

"iPhone X" dhe që të gjithë paraardhësit e tij që nga "iPhone 6S"; Disa versione "iPad Pro" dhe "iPad Mini"; Gjenerata e pestë e "iPod Touch"; "Apple TV" dhe Disa versione të "Apple Watch". 

(Kosova Sot)