"Galaxy Fold", celulari i "Samsung"-ut që paloset

  • 17 April 2019 - 18:15

Pas javëve të tëra të rrjedhjeve të informatave, që ishin të barabarta me një torturë të vërtetë, "Samsung" përfundimisht ka vënë në duart tona celularin "Galaxy Fold". Kjo ishte me të vërtetë një përvojë e mirë. Kemi të bëjmë me një celular i cili rëndësinë e vet e dëshmon edhe përmes çmimit, gati 2000 dollarë.

PESHA DHE PAMJA

Gjëja e parë që të bie në sy është pesha e celularit. Më pas është sipërfaqja e lëmuar dhe shkëlqyese e pasme. Por, momenti të cilin e kemi pritur, është palosja e celularit. Kjo nuk është gjë e vështirë, megjithatë të nevojitet një kohë derisa të mësohesh. Automatikisht lindin pyetjet rreth qëndrueshmërisë dhe përdorueshmërisë së kësaj pajisjeje. Pas "Huawei Mate X", të cilin kemi pasur rastin që ta analizojmë shumë pak, ky është celulari i dytë që paloset, të cilin kemi pasur rastin ta shihnim. Duke lëshuar video të ndryshme shumë kohë para prezantimit të celularit, "Samsung" ka ndërtuar njëfarë mistike rreth celularit të tij palosës. Fakti që kemi të bëjmë me një prodhim të kufizuar, ndihmon në arritjen e këtij efekti. "Samsung" e di se "Fold" është një pajisje luksoze e cila do të bëhet status simbol për blerësit e hershëm. Ajo që nuk e di askush deri më tani, është sa do të qëndrojnë (vazhdojnë) celularët palosës.

'SANDVIÇ' I SHTRENJTË

I mbyllur, ky celular duket sikur sandviç. Celularët palosës janë një ide e çmendur, jo vetëm për shkak se paloset vetë celulari, por ekrani. Kjo nuk është gjë e lehtë për ta bërë. Disa vjet më parë, një celular që paloset do të dukej shaka futuristike. Por, tani ekziston një masë e mjaftueshme kritike, falë prodhuesve të celularëve, si 'Samsung', 'Huawei' dhe TCL, prandaj celularët që palosen janë duke u bërë më realë, çdo ditë e më tepër. Bile edhe "Google" i ka hyrë kësaj pune, duke siguruar një mbështetje "Android", në mënyrë që softueri i saj të kalojë nga njëri orientim i ekranit te tjetri, derisa e palosni ekranin. Një kompani jo fort e njohur shiti celularin e parë palosës, "Royole FlexPai", por "Samsung Fold" është celulari i parë palosës "real" për shumicën e njerëzve. Celularët palosës do ta kenë një çmim tepër të lartë - versioni 4G i "Fold" fillon me një çmim prej 1,980 dollarësh dhe "Mate X" kushton rreth 2,600 dollarë. Por, nëse do të ketë mjaft kërkesë për një pajisje e cila e vendosë një ekran të madh në një trup të vogël, atëherë dizajni i celularit palosës ka gjasa që ta ndryshojë mënyrën sesi njerëzit përdorin celularët e tyre: 'multitasking', ndërveprimi me pajisjen, duke i bërë pajisjet e tjera, sikur tabletët, të duken të mangëta. Celulari palosës i "Samsung"-ut është solid, ku mekanizmi hapës/mbyllës vepron pa probleme. Përkundër madhësisë, kjo pajisje mund të mbahet dhe përdoret me një dorë, sidomos nëse doni që të lexoni mesazhet, apo ta bëni ndonjë foto të shpejtë.

KAMERAT

Nga ajo që kemi parë deri më tani, celulari funksionon si duhet, pa vonesa. Keni mundësi që të aktivizoni deri në tri aplikacione përnjëherë. "Galaxy Fold" ka gjithsej gjashtë kamera: tri në pjesën e pasme, njërën përpara dhe dy brenda. Do të shihni dy thjerrëza të brendshme, afër sensorëve të afërsisë. Edhe pse mund të bëni foto edhe me ekranin 4.6-inç, "Samsung" pret që ta hapni celularin "Fold" për të bërë foto sa më të mira. "Galaxy Fold" nuk është rezistent ndaj ujit, ka aftësi të ndarjes së energjisë pa kabllo, sikur edhe celularët "Galaxy S10". 

(Kosova Sot)