Facebook vodhi kontaktet e 1.5 milionë përdoruesve

  • 18 April 2019 - 14:21
Facebook vodhi kontaktet e 1.5 milionë përdoruesve

Facebook ka njoftuar se ka bërë publike kontaktet e emailit të 1.5 milionë përdoruesve të rinj të rrjetit më të madh social. Dhe këtë veprim e ka bërë pa kërkuar lejen e këtyre përdoruesve.

Vetë kompania e ka pranuar një fakt të tillë, për të cilin tha se ndodhi për shkak të një sistemi që përdornin për të verifikuar identitetin e anëtarëve të rinj. Facebook u kërkonte përdoruesve të rinj që të jepnin fjalëkalimin e adresës së tyre të email dhe në këtë mënyrë morën një kopje të kontakteve të tyre. Këto kontakte u ngarkuan më pas “pa dashje” në internet. Tashmë, Facebook thotë se ka ndryshuar mënyrën se si trajton përdoruesit e rinj të rrjetit social. 

Informacioni i vjedhur përmes emailit nga kompania besohet se është bërë për të hartuar lidhjet sociale dhe personale midis përdoruesve. Rrjeti social thotë se i ka fshirë të gjitha kontaktet e email të 1.5 milionë përdoruesve që ekspozoi online. Business Insider zbuloi se kontaktet filluan të merreshin nga emaili i përdoruesve pa pëlqimin e tyre në Maj të vitit 2016. 

Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave në Irlandë, i cili mbikëqyr kompaninë e Facebook në Europë, është angazhuar për të mësuar se çfarë ka ndodhur konkretisht dhe çfarë pasojash ka patur. Ekspozimi i të dhënave personale të përdoruesve të Facebook është një çështje që ka kryqëzuar shpeshherë kompaninë.

(Kosova Sot)