I njëjti skandal si “Facebook”, ekspozohen fjalëkalimet e miliona përdoruesve të “Instagram”-it

  • 19 April 2019 - 12:44
I njëjti skandal si “Facebook”, ekspozohen fjalëkalimet e miliona përdoruesve të “Instagram”-it

Rrjeti social “Instagram” duket se po përfshihet në të njëjtin skandal si “Facebook”. Ky i fundit ka njoftuar një ditë më parë se fjalëkalimet e miliona përdoruesve të “Instagram”-it janë ekspozuar në serverët e tyre.

Nëpërmjet një postimi, gjigandi i rrjeteve sociale njoftoi se fjalëkalimet ishin në një tekst të thjeshtë e besohet të kenë qenë të miliona personave që përdorin “Instagram”.

Gjithashtu thuhet se fjalëkalimi  ishte i lexueshëm nga më shumë se 20 mijë punonjës të kompanisë. 

“Facebook”-u e zbuloi këtë problem sigurie në një përditësim të një postimi të 21 marsit ku dolën fjalëkalimet e më shumë se 600 milionë përdoruesve të vet, “Facebook Lite” dhe “Instagram” të kombinuara të ruajtura në tekst të thjeshtë. 

“Pas publikimit të këtij posti, ne kemi zbuluar se janë publikuar shkrime shtesë të fjalëkalimeve të Instagram që ruhen në një format të lexueshëm,” shkroi Pedro Canahuati, zëvendëspresident i inxhinierisë, sigurisë dhe privatësisë së rrjetit social “Facebook”.

(Kosova Sot)