'Apple' tregon çka bëhet me 'iPhone'-t pas 'vdekjes' së tyre

  • 24 April 2019 - 18:53
'Apple' tregon çka bëhet me 'iPhone'-t pas 'vdekjes' së tyre

"Apple" ka hapur për publikun derën e laboratorit të tij më të ri, ku robotët çmontojnë pajisjet 'e vdekura' "iPhone". Kompania bëri me dije të enjten se do ta hapë një laborator të "Ripërtëritjes së materialit" ('Material Recovery'), në Ostin të Teksasit, me qëllim të hulumtimit të teknikave të reja që përdorin robotët dhe 'mësimin e makinave' për të çmontuar pajisjet e vjetra, duke përdorë materialet e dobishme, si bakri, alumini dhe kobalti. 

Kompania shpreson që të zhvillojë një "iPhone" 100% nga materialet e ricikluara

Laboratori me rreth 840 metra katrorë do të gjendet në të njëjtën qendër të Ostinit, sikur edhe 'Daisy', një robot të bërë nga "Apple" i cili tani mund të çmontojë pajisjet "iPhone" me një kapacitet prej 1.2 milion pajisje në vit. Laboratori është pjesë e një qëllimi më të gjerë të "Apple"-s që të gjitha produktet e veta t'i bëjë nga materialet e ricikluara, apo të ripërtërira. Si pjesë e kësaj iniciative, kompania shpreson që të zhvillojë një "iPhone" 100% nga materialet e ricikluara. 

Inteligjenca artificiale

"Apple" nuk ka caktuar ndonjë datë kur do ta bëjë këtë, edhe pse disa produkte, si "MacBook Air" tanimë përmbajnë alumin të përfituar nga "iPhone"-t e shkrirë. Kompania bën me dije se "Daisy" është në gjendje që të shkatërrojë 200 "iPhone" çdo orë. Daisy heq baterinë dhe pjesët më të vogla të "iPhone"-it, e më pas riciklon mbështjellësin e aluminit. Ajo përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar "iPhone"-t derisa hyjnë në makinë. Daisy tani është në gjendje që ta bëjë dallimin midis 15 modeleve të ndryshme, nga nëntë modele sa i dallonte vitin e kaluar, vetëm duke i 'shikuar' ata.