Suzuki Swift Sport vjen në edicion të ri të veçantë

  • 13 May 2019 - 17:48
Suzuki Swift Sport vjen në edicion të ri të veçantë

Suzuki vetëm për blerësit në Holandë ka përgatitur edicionin e ri të veçantë të Swift Sport, i cili do të prodhohet në seri të kufizuar prej vetëm 30 kopjeve. Ky model i veçantë quhet Swift Sport Katana dhe është në dispozicion me motor benzinë 1.4-litër Boostjet Turbo me kapacitet prej 103 kW/140 kuajfuqi, transmeton Koha.net. Po ashtu, ky Swift Sport i ri shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 8.1 sekonda dhe atë maksimale deri në 210 km/h.

Përveç motoçikletës Katana e cila është prezantuar vitin e kaluar nëpër panaire me ngjyrë të kombinuar (zi e gri), ashtu edhe Swift Sport Katana vjen me kombinimin e njëjtë të ngjyrës. Kjo përfshinë ngjyrën gri metalike të veturës në kontrast me disa elemente me ngjyrë të zezë.

Gjithashtu, vjen me shiritin e zi në pjesën e përparme, kornizën e kuqe të maskës së përparme, grafite në pjesën anësore, si dhe me set të ri të rrotave 17-inç “OZ Racing” nga alumini. Po ashtu, në dispozicion janë edhe rrotat prej 18-inç.

Sa i përket interierit, ai përbëhet nga lëkura me ngjyrë të zezë (ulëset, timoni, doreza e marshit), në kontrast me disa detaje me ngjyrë të kuqe e disa të tjera me ngjyrë të zezë “Piano”, si dhe nga mbishkrimi “Katana” në timon.

Ndërsa sa i përket çmimit, Suzuki Swift Sport Katana në Holandë kushton 28.999 euro.

Image

(Kosova Sot Online)