Shtetet dhe kompanitë zotohen të punojnë kundër shpërndarjes së ekstremizmit pas masakrës në Christchurch

  • 18 May 2019 - 10:03
Shtetet dhe kompanitë zotohen të punojnë kundër shpërndarjes së ekstremizmit pas masakrës në Christchurch

Për herë të parë qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë janë bërë bashkë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në internet. Nisma u ndërmor pas sulmit në dy xhami të Zelandës së Re në muajin mars. Shtetet e Bashkuara refuzuan t’i bashkohen, duke cituar nevojën për lirinë e shprehjes.

Gjigantët e internetit dhe medias sociale përfshirë “Facebook”, “Youtube” dhe “Google” nënshkruan një marrëveshje të përbashkët për të eliminuar publikimet me përmbajtje të dhunshme dhe ekstremiste.

Nisma e quajtur “Christchurch Call” u ndërmor nga kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern dhe presidenti francez, Emmanuel Macron pas sulmit në dy xhami të Zelandës së Re në muajin mars.

Kompanitë e internetit janë angazhuar që të luftojnë materialet me përmbajtje terroriste dhe të dhunshme dhe t’i bëjnë rregullat e tyre mbi këto përmbajtje më të qarta për përdoruesit.

Shtetet e Bashkuara refuzuan t’i bashkohen nismës ndërkombëtare që synon të ndalojë përhapjen e terrorit në internet. Shtëpia e Bardhë tha se e mbështet qëllimin e “Christchurch Call” por nuk e pa të arsyeshme t’i bashkohej, duke cituar nevojën për lirinë e shprehjes.

Kompanitë, ku përfshihen edhe “Amazon”, “Twitter”, “Microsoft” dhe “Dailymotion” thonë se do të rishikojnë algoritmet dhe proceset e tjera që ndoshta i drejtojnë përdoruesit drejt materialeve me elemente terroriste dhe të dhunshme.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, i ka konsideruar këto masa “hapat e parë në drejtimin e duhur”.

“Roli i medias sociale gjatë sulmit ishte i pashembullt. Por edhe përgjigja jonë sot me miratimin e “Christchurch Call” është po aq e pashembullt. Asnjëherë më parë vendet dhe kompanitë e teknologjisë nuk janë mbledhur së bashku pas një sulmi të tmerrshëm për të hartuar një plan veprimi që do të ofrojë bashkëpunim. Ne do të punojmë së bashku për t’i bërë shoqëritë tona më të sigurta”.

Samiti nën drejtimin e Ardern dhe presidentit francez, Emmanuel Macron ka për qëllim që të koordinojë përpjekjet ndërkombëtare për t’iu dhënë fund përdorimit të mediave sociale për të organizuar dhe nxitur ekstremizmin.

Facebook-u është zotuar se do të shpenzojë 7.5 milionë euro në teknologji si dhe ka njoftuar se do të kufizojë mundësinë për transmetim të drejtpërdrejtë në platformë.

Gjiganti teknologjik tha se fillimisht do të ketë paralajmërime për shkelje të rregullave të reja nga përdoruesit.

(Kosova Sot Online)