Huawei merr tjetër goditje

  • 24 May 2019 - 08:21
Huawei merr tjetër goditje

Pas bllokimit nga Google për të përditësuar sistemin operativ Android, gjiganti kinez i teknologjisë Huawei ka marrë një tjetër goditje. Kësaj radhe është kompania e procesorëve ARM me bazë në Britani të Madhe, që ka ndaluar marrëveshjen me Huawei.

BBC ka siguruar urdhrin që u është dhënë punonjësve, të cilët janë udhëzuar që të ndalojnë të gjitha kontratat aktive që kanë me kompaninë kineze për të prodhuar procesorë për smartphone Huawei.

Një analist tha se kjo është një goditje “e pakapërcyeshme” ndaj kompanisë kineze dhe që do të ndikojë negativisht ndaj Huawei për të ndërtuar vetë procesorët, shumica e të cilëve sot funksionojnë me teknologjinë e ARM, për të cilën paguhet licenca.

Kompania e procesorëve ARM është me seli në Cambridge dhe ka të punësuar rreth 6 mijë punëtorë. Ajo është firma më e madhe teknologjike në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka 8 zyra në SHBA. Në një deklaratë të shkurtër, kompania njofton se vendimi i saj “është në përputhje me rregullat e fundit të përcaktuara nga qeveria amerikane”.

Edhe Huawei reagoi duke thënë: “Ne i vlerësojmë marrëdhëniet e ngushta që kemi me partnerët, por jemi në dijeni të presionit që po ushtrohet ndaj tyre si rezultat i vendimeve të motivuara politikisht”.

Huawei është bërë shkak i një lufte tregtare mes SHBA-së dhe Kinës. Presidenti amerikan Donald Trump nxorri një urdhër ekzekutiv që ndalon kompanitë amerikane të përdorin firma të huaja të telekomunikacionit.

Trump nuk përmendi asnjë emër, por kjo u konsiderua goditje ndaj kompanisë kineze Huawei. Pak ditë pas vendimit të kreut të Shtëpisë së Bardhë, edhe Google sabotoi Huawei duke ndaluar përditësimin e sistemit Android në aparatet Huawei.

(Kosova Sot Online)