Treni japonez lëviz me shpejtësi 280 km/h me derë të hapur

  • 21 August 2019 - 14:44
Treni japonez lëviz me shpejtësi 280 km/h me derë të hapur

Një tren i shpejtë në Japoni ka lëvizur me shpejtësi prej 280 kilometrash në orë, ndonëse një prej dyerve të tij kishte mbetur e hapur.

Për fat të mirë, asnjëri nga 340 pasagjerët nuk është lënduar, ndërsa vozitësi i trenit bëri një ndalje emergjente kur vërejti shenjën se një derë e trenit është e hapur.

Udhëtarët e trenit “Hayabusa 46” mbetën të bllokuar në një tunel për 15 minuta derisa drejtuesit e trenit i kryen kontrollet e nevojshme.

Kompania “East Japan Railway” njoftoi se një pastrues ka harruar ta mbyllë pajisjen që e hap derën në mënyrë manuale. 

Mediet japoneze raportuan se treni udhëtoi rreth 4 kilometra me derë të hapur, por askush nuk ndodhej në atë pjesë.

Treni arriti në Tokio me 19 minuta vonesë, duke shkaktuar tollovi dhe vonesa për rreth tre mijë udhëtarë të tjerë.

Trenat e shpejtë japonezë, të cilët njihen edhe me emrin “shinkansen”, janë trena shumë më të shpejtë se trenat e zakonshëm.

Treni i përfshirë në incidentin e së mërkurës mund të lëvizë me shpejtësi maksimale prej 320 kilometrash në orë, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)