Hakeri rus pranon fajin për vjedhjen e të dhënave të amerikanëve

  • 24 September 2019 - 15:59
Hakeri rus pranon fajin për vjedhjen e të dhënave të amerikanëve

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se një haker rus e ka pranuar fajin për pjesëmarrje në njërën nga vjedhjet më të mëdha të të dhënave të klientëve nga institucionet financiare, firmat ndërmjetësuese dhe kompanitë e tjera amerikane.

Prokurori amerikan, Geoffrey S. Berman tha se rusi Andrei Tyurin është deklaruar fajtor për mashtrim kompjuterik, mashtrim bankar dhe shkelje të rregullave për lojërat e fatit në internet.

Hakeri 35 vjeç nga Moska ishte ekstraduar në Shtetet e Bashkuara nga Gjeorgjia vitin e kaluar.

Ai akuzohet për dhënie të ndihmës në vjedhjen e të dhënave të më shumë se 80 milionë klientëve nga një bankë investuese nga viti 2012 deri në mesin e vitit 2015 përmes një skeme të hakimit. Në kohën kur kishte ndodhur ky rast, ai ishte cilësuar si vjedhja më e madhe e këtij lloji.

Besohet se hakeri rus i ka pasur cak edhe shumë institucione të tjera financiare dhe kompani të ndryshme.

Pritet që vendimi përfundimtar i drejtësisë amerikane për këtë person të merret në seancën e caktuar për datën 13 shtator 2020, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)