Zyrtarët amerikanë përdorin “Google Translate” për t’i përkthyer kërkesat e refugjatëve

  • 28 September 2019 - 14:26
Zyrtarët amerikanë përdorin “Google Translate” për t’i përkthyer kërkesat e refugjatëve

Zyrtarët amerikanë për imigracion raportohet se janë duke e përdorur shërbimin “Google Translate” për t’i përkthyer shkrimet e refugjatëve, të cilët kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

Një dokument i brendshëm, i lëshuar nga Shërbimi Amerikan për Shtetësi dhe Imigracion, i udhëzon ata që ta përdorin këtë program të internetit bashkë me disa shërbime të tjera falas për t’i përkthyer shkrimet e azilkërkuesve në rrjetet sociale. Lajmin e ka bërë të ditur një organizatë hulumtuese jofitimprurëse, e quajtur ProPublica.

Vetë kompania “Google” ka pranuar se ky program nuk është i përshtatshëm për përkthim të besueshëm.

“Është naive që zyrtarët e qeverisë ta bëjnë një gjë të tillë”, tha Douglas Hofstadter, profesor i shkencave njohëse dhe letërsisë krahasimtare në Universitetin e Indiana-s.

“Personalisht mendoj se kjo gjë është thellësisht dekurajuese dhe e çmendur”, shtoi ai.

Në vitin 2017, rrjeti social “Facebook” ishte detyruar të kërkojë falje për përkthim të gabuar të një postimi të një burri palestinez, i cili kishte shkruar “mirëmëngjesi”, ndërsa fjala e tij ishte përkthyer “lëndojini ata”.

Sidoqoftë, autoritetet amerikane të imigracionit kanë thënë se të dhënat e marra nga rrjetet sociale nuk do të shërbejnë si bazë për t’i refuzuar kërkesat e refugjatëve për risistemim, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)