Nis gjykimi kundër Volkswagen-it, 450 mijë pronarë veturash duan dëmshpërblim

  • 30 September 2019 - 14:17
Nis gjykimi kundër Volkswagen-it, 450 mijë pronarë veturash duan dëmshpërblim

Organet e drejtësisë në Gjermani e kanë nisur të hënën një proces të ri gjyqësor kundër prodhuesit të veturave, Volkswagen. Jo më pak se 450 mijë pronarë veturash kanë paraqitur ankesa ndaj kompanisë.

Pronarët e veturave thonë se kompania duhet t’i dëmshpërblejë ata për shkak se u ka shitur vetura në bazë të të dhënave mashtruese për sasinë e gazrave që lirojnë ato.

Skandali i veturave me naftë deri tash i ka kushtuar kompanisë hiç më pak se 30 miliardë euro. Kompania është dënuar më parë nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara dhe Australisë.

Pjesë e marrëveshjeve të kompanisë për zgjidhjen e rasteve gjyqësore është edhe blerja e 500 mijë veturave nga pronarët amerikanë, ku kompania duhet t’i paguajë 25 miliardë dollarë.

Në Australi, kompania është detyruar t’i paguajë 127 milionë dollarë australianë si dëmshpërblim për pronarët ose 1400 dollarë për secilin blerës.

Në vitin 2015, prodhuesi gjigant kishte pranuar se ka përdorur softuer ilegal për të mashtruar lidhur me sasinë e gazrave që lirojnë veturat.

Ndonëse është goditur rëndë nga ky skandal, kompania po përpiqet të kthehet në krye të tregut botëror të veturave elektrike, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)