Nissan-i tërheq nga tregu rreth 400 mijë vetura shkaku i defektit në frena

  • 18 November 2019 - 17:20
Nissan-i tërheq nga tregu rreth 400 mijë vetura shkaku i defektit në frena

Prodhuesi japonez i veturave, Nissan, njoftoi se do t’i tërheqë nga tregu rreth 394 mijë vetura në Shtetet e Bashkuara për shkak të një defekti në sistemin e frenimit. Rrjedhja e një lëngu të frenave mund të shkaktojë zjarr në veturë.

Në një dokument që ky prodhues ia ka dërguar Administratës Kombëtare për Siguri në Trafik thuhet se rrjedhja e këtij lëngu do ta aktivizojë një shenjë paralajmëruese në tabelën e sinjaleve, por nëse ajo injorohet nga vozitësit, ky defekt mund të shkaktojë zjarr në veturë.

Në mesin e modeleve të veturave që do të preken nga ky vendim janë veturat “Maxima”, të prodhuara nga viti 2016 deri në vitin 2018, Infiniti QX60, të prodhuara nga viti 2017 deri në vitin 2019, veturat “Murano”, të prodhuara nga viti 2015 deri në vitin 2018 dhe modeli “Pathfinder”, i prodhuar nga viti 2017 deri në vitin 2019.

Në këtë dokument nuk njoftohet nëse ky defekt në shumë vetura ka shkaktuar ndonjë zjarr apo lëndim të pronarëve dhe pasagjerëve.

Njoftimi erdhi më pak se dy muaj pasi autoritetet amerikane e filluan një hetim për 553 mijë vetura të tipit “Nissan Rogue”, të cilat dyshohet se e kanë një defekt në sistemin e frenimit emergjent, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)