Shefi i Google në Davos, Pichai: Duhen rregulla botërore për inteligjencën artificiale!

  • 27 January 2020 - 18:00
Shefi i Google në Davos, Pichai: Duhen rregulla botërore për inteligjencën artificiale!

Shefi ekzekutiv i Google, Sundar Pichai, i bëri thirrje rregullatorëve që të ndërtojnë një rrjet botëror për të trajtuar inteligjencën artificiale dhe sistemin e njohjes së fytyrës, duke paralajmëruar se teknologji të tilla mund të përdoren për qëllime të këqija. Duke folur tek Forumi Ekonomik Botëror në Davos, Pichai tha se është e rëndësishme të kuptohen të metat e inteligjencës artificiale dhe shtoi se ndërsa kjo premton përfitime të mëdha, ekzistojnë shqetësime serioze për pasoja negative.

”Inteligjenca Artificiale është një nga gjërat më të rëndësishme që njerëzimi po krijon. Kjo ka anë pozitive shumë të mëdha por edhe pasoja serioze negative. Teknologji si njohja e fytyrës mund të përdoret për të mira si gjetja e njerëzve të humbur, por edhe për mbikqyrje në masë.”- ka cituar Sundar Pichai, shefi ekzekutiv i Alphabet.

Rregullatorët po përpiqen të arrijnë në një dakordësi për të qeverisur inteligjencën artificiale, duke inkurajuar inovacionin dhe frenuar përdorimin e gabuar, ndërkohë që kompanitë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit po përshtasin në masë këtë teknologji. Komisioni Europian ka mbajtur një qasje më të ashpër ndaj inteligjencës artificiale se Shtetet e Bashkuara, duke fuqizuar rregulloret ekzistuese mbi të drejtat e privatësisë dhe të dhënave.

Pjesë e propozimit në Europë përfshin një moratorium prej 5 vitesh mbi përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës në zona publike, për t’i dhënë kohë Bashkimit Europian që të gjejë mënyra se si të parandalojë abuzimet. Ekzekutivi i Google e mirëpriti propozimin e Komisionit Europian, duke thënë se është hapi i parë në përshtatjen e rregullave nga qeveritë.


(Kosova Sot Online)