Shefi i Twitter-it premton 1 miliard dollarë për ta luftuar koronavirusin

  • 08 April 2020 - 08:46
Shefi i Twitter-it premton 1 miliard dollarë për ta luftuar koronavirusin

Shefi ekzekutiv i rrjetit Twitter, Jack Dorsey, ka thënë se do t’i dhurojë 1 miliardë dollarë nga pasuria e tij si ndihmë për luftën kundër koronavirusit.

Mjetet do të ofrohen përmes kompanisë “Start Small”, e cila më pas do t’i shpërndajë ato në formë të granteve për organizata të ndryshme, shkruan “Anadolu”.

“Pasi ta çarmatosim këtë pandemi, fokusi ynë do të kalojë te shëndeti dhe edukimi i vajzave. Fondi do të opertohet në mënyrë transparente”, tha miliarderi Dorsey.

“Nevojat janë duke u rritur në mënyrë urgjente dhe dua ta shoh ndikimin e këtyre mjeteve gjatë jetës sime. Shpresoj se kjo do t’i frymëzojë të tjerët që të bëjnë diçka të ngjashme. Jeta është shumë e shkurtër, prandaj të bëjmë gjithçka që mundemi sot për t’i ndihmuar njerëzit tani”, shtoi ai.

Shumë figura të njohura në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën janë zotuar se do të ofrojnë shuma të mëdha të parave për luftën kundër koronavirusit, nga i cili deri më tani kanë vdekur mbi 82 mijë njerëz në mbi 180 shtete të ndryshme.

(Kosova Sot Online)