VW nga Kina vjen në Evropë

  • 31 maj 2020 - 08:23
VW nga Kina vjen në Evropë

Volkswagen Group mund të ofrojë vetura të brendit të buxhetit të vogël, Jetta, edhe për blerësit jashtë Kinës.

Gjiganti gjerman i veturave për kohë të gjatë dëshiron të marr një pjesë të tregut nga marka rumune Dacia, që është në pronësi të kompanisë Renualt, por te realizimi i planit nuk ka ardhur ende.

Hapat e parë në këtë drejtim janë bërë vitin e kaluar, kur VW ka lansuar në tregun kinez veturën e lirë, Jetta, që ka marrë emrin nga modeli i famshëm i Volkswagenit.

Tetë muaj më vonë, marka e re po arrin rezultate të mira në Kinë, ku tashmë janë shitur 81 mijë vetura me emblemën Jetta. Vetëm në prill blerësve kinezë u janë dorëzuar 13.500 vetura, që është rreth një për qind e tregut në atë vend.

Jetta këtë vit ka rritur praninë në tregun kinez të veturave, pasi një shtresë e popullatës, sidomos të rinjtë, kanë vendosur për vetura personale në mënyrë që të shmangin transportin publik në qytetet e mëdha kineze, pas koronavirusit.

Të inkurajuar nga suksesi fillestar në vitin 2020, në Volkswagen kanë filluar të mendojnë për prezantim të markës Jetta edhe jashtë Kinës, mëson Autonews Europe.

“Fillimi i suksesshëm i brendit natyrisht ka nxitur interesimin edhe nga vende tjera”, ka thënë përfaqësuesi i brendit Jetta, Harald Mueller.

(Kosova Sot Online)