Facebook: Nga Maqedonia Veriore u përhapen të dhëna të rreme për koronavirusin

  • 30 May 2020 - 12:00
 Facebook: Nga Maqedonia Veriore u përhapen të dhëna të rreme për koronavirusin

Zyrtarët e rrjetit social “Facebook” kanë thënë të premten se e kanë bllokuar njërin prej publikuesve më të mëdhenj të informatave të pasakta për koronavirusin, që e kishte bazën në Maqedoninë Veriore dhe në Filipine.

Faqja e titulluar “Natural News”, ishte një ndër publikueset më të njohura të videos konspirative “Plandemic”, në të cilën në mënyrë të rreme pretendohet se koronavirusi është pjesë e një plani të hollësishëm qeveritar për ta kontrolluar popullsinë përmes vaksinave dhe se përdorimi i maskave e rrit rrezikun për t’u infektuar nga koronavirusi.

Facebook tha se ka zbuluar që publikuesit e huaj në mënyrë të përsëritur kanë publikuar përmbajtje nga “Natural News”, një faqe që është kundër vaksinimit dhe që shpesh publikon teori të rreme konspirative për koronavirusin, për rrjetin 5G dhe për Bill Gates.

“I kemi larguar këto faqe për shkak të sjelljes abuzive, jo për shkak të përmbajtjeve që i kanë postuar. Ato i kanë hutuar njerëzit për popullaritetin e postimeve të tyre dhe janë mbështetur në rrjete në Maqedoninë Veriore dhe në Filipine”, thuhet në deklaratën e rrjetit social.

Gjatë 25 vjetëve të operimit të vet, faqja “Natural News” ka publikuar mijëra artikuj që bien në kundërshtim me konsensusin shkencor, që promovojnë mënyra të rreme të trajtimit dhe qqë përhapin teori konspiracioni.

Gjatë muajit prill, kjo faqe i kishte 3.5 milionë vizita.

(Kosova Sot Online)