VW do të tërheqë nga tregu 56.000 vetura Golf, kjo është arsyeja

  • E.K /
  • 12 January 2021 - 12:10
VW do të tërheqë nga tregu 56.000 vetura Golf, kjo është arsyeja

Prodhuesi gjerman i veturave familjare, Volkswagen, do ta kërkojë tërheqjen nga tregu të 56.000 veturave të modelit më të shitur, Golf, për ta rregulluar një problem me softuer, i cili ka të bëjë me sistemin e informimit dhe kamerën e pasme.

Nga kjo tërheqje do të preket edhe modeli më i ri, Golf 8, përkatësisht veturat që janë prodhuar deri në korrikun e vitit të kaluar, bëri të ditur një zëdhënës i kompanisë së njohur gjermane. Zëdhënësi shtoi se tërheqja e veturave nuk është e obligueshme, por masë vullnetare.

Vitin e kaluar, kompania Volkswagen u detyrua që ta shtynte datën për hedhjen në treg të modelit Golf pikërisht për shkak të problemeve me softuerin, shkruan Reuters.

Pas njoftimit për këtë problem, vlera e aksioneve të kompanisë paraditen e së martës ranë për 1.6 për qind, rënia më e madhe në indeksin DAX në Gjermani.

Disa vjet më parë, kjo kompani pësoi goditje të rëndë për shkak të skandalit rreth mashtrimit për lirimin e gazrave nga veturat. Për pasojë, kompania u dënua me gjoba me vlerën e miliarda eurove.

Sidoqoftë, modeli Golf mbetet një ndër modelet më të shitura në Evropë dhe modeli më i shitur i kompanisë gjermane.

(Kosova Sot Online