Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (35)

  • 11 October 2017 - 14:23
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (35)

- Sapo po kthehem nga ai. Përpos kësaj, më duhet që sa më urgjentisht të kthehem në televizion. Redoni i ka bartur te unë disa punë të pakryera, kështu që nuk e di se ku e kam kokën. - Duro edhe pak, Hashim! Redoni shumë shpejt do të kthehet në vendin e tij të punës! Unë do të përkujdesem për këtë! – tha ajo me vendosmëri, duke e thirrur taksin me një të ngritur të dorës. Hashimi priti që taksia, ku kishte hyrë Laura, të humbiste nga shikimi i tij, e më pas e thirri Redonin, për t’ia bërë me dije se gjithçka kishte filluar të zhvillohej sikur që e kishin planifikuar. Ishte më se i kënaqur nga reagimi i Laurës në lajmin rreth gjoja gjendjes së keqe shëndetësore të Redonit. Kjo e bënte të shpresonte se e tërë kjo mesele do të përfundonte ashtu sikur që e kishte paramenduar ai – para ofiqarit. Pasi që mbërriti te dera e shtëpisë së Redonit, Laura mezi priste që t’i binte ziles dhe të priste që t’ia hapnin derën. Megjithatë, ajo e hapi derën vetë dhe hyri brenda. Ajo ende e kishte çelësin e asaj shtëpie, të cilën e njihte sikur të ishte e saja. E shqetësoi heshtja në të cilën ndeshi. Redoni e kishte një shtëpiake dhe Laura priste që, të paktën, ta takonte atë. Por, i tërë kati përdhes ishte i zbrazët. Pasi që i erdhën në kokë disa mendime të këqija, ajo shkoi me vrap në dhomën e Redonit, në kat të dytë. Hyri me vrap, pa trokitur fare, e mbushur me frymë dhe e shqetësuar. - Redon! – i tha dhe, sapo e pa, filloi që të ndihej më mirë. – Ti je mirë, apo jo?! - Hm... – bëri ai duke e analizuar me shikim. – Në këtë moment do të mund të thosha se ndihem më mirë se ti. - E takova Hashimin – i tha ajo, duke u afruar më shumë te shtrati martesor. – Ai më tregoi se çka kishte ndodhur. Më vjen keq, Redon. Me gjasë ke përjetuar gjëra të tmerrshme, duke qenë se ishe në rrezik për jetë. - Kjo është paksa e tepruar – tha ai dhe ia zgjati dorën, duke e prekur. - Ulu afër meje! Ai ndihej shumë i gëzuar për faktin që Laura gjendej sërish afër tij. Pas tërë atyre ditëve të gjata të vetmisë. - E ti, qysh je? - Hajde, bre! Mua nuk më gjen asgjë! – i tha ajo, duke e prekur dhe duke vazhduar që ta shikonte ngul në sy. - Më trego si ndihesh. Shpresoj që mos jesh duke i përjetuar pasojat e infarktit të zemrës. - Ndihem mjaft mirë – tha ai me zë bindës. – Faleminderit që erdhe e më vizitove. Mendoj se nuk e kam merituar shqetësimin tënd. Sido që të jetë, më vjen mirë që ia dole ta harroje atë që ndodhi midis nesh. 

(Kosova Sot)