Ngjarje e vërtetë: E çuditshme është kjo jetë (1)

  • 18 October 2017 - 15:00
Ngjarje e vërtetë: E çuditshme është kjo jetë (1)

Janë të paktë ata që shohin se çka është duke ndodhur rreth tyre. Unë i kam zgjedhur miqtë, kurse armiqtë janë zgjedhur vetë. Sido që të jetë, ky është tregimi i jetës sime, i jetës së një vajze të rëndomtë nga një vend i vogël. Edhe ne, njerëzit e rëndomtë, jetojmë, kemi një jetë, e cila me gjasë është më interesante se sa jeta e njerëzve të famshëm. Jeta më ka sfiduar dhe, edhe pse ende jam e re, disi në shpirt ndihem më e moshuar. E dini, jeta ime e dashurisë është si ajo e serive turke... apo, si e atyre spanjolle. Do të filloj kështu. Nga dashuria ime e parë. Ishim në vitin e parë të shkollës së mesme, më saktë- sisht, kah fundi i atij viti. Isha duke shëtitur me një shoqe nëpër oborr të shkollës, kur papritmas erdhi shoqja ime më e mirë, Lena, duke më thënë: “Meliii, ti i pëlqen njëfarë Irfani!” Nuk e di pse, por nga vetë emri Irfan, disi mendoja se ai djalë nuk mund të ishte i bukur. Mendtë e të riut! Derisa ia thosha këtë shoqes sime, ajo më ndërpreu: “E, çka nëse ai është ndonjë tip i bukur dhe djalë i mirë?!” Në atë moment, e ktheva kokën dhe pashë duke kaluar afër meje një djalë tepër të bukur: me sy të zi, flokë të zeza, me trup ideal, i veshur me tuta sportive, bardhezi... gjithmonë më kishin pëlqyer meshkujt e tillë. Duke e shikuar atë, i them Lenës: “Pse të mos më dojë ky, po ai farë Irfani”?! Nejse, ra zilja, ne hymë brenda. Pas orës së mësimit, Lena më thotë: “Të shkojmë të shohim kush është ai farë Irfani”. Dhe, në korridor gjetëm vajzën e cila i kishte treguar se ai më donte mua. Ajo na tregoi duke bërë me gisht kush ishte Irfani. Nuk mund të besoja. Ishte AI. Ai djaloshi i bukur të cilin sapo e kisha parë në oborr të shkollës. Filluan të më dridheshin gjunjët. Ishte e pabesueshme. Unë e shikoja atë, e ai nuk mi shkoqte sytë mua. Mu deshën pesë minuta që ta merrja veten. Tamam sa kaloi pushimi i shkurtë. Hymë në orë. Profesoresha na shpjegonte mësimin, por unë as që e dëgjoja çka ishte duke thënë. Mendjen e kisha tek ai. Doja të mësoja sa më shumë informata rreth tij. Dhe, më pas mora vesh se ai ishte çiklist. Nuk ishte keq. Edhe unë e kisha vëllain çiklist, por ai nuk jetonte më me ne. Ia dërgova një mesazh ku e pyesja se a e njihte filanin dhe a e kishte numrin e tij të telefonit. Prit e prit, por asgjë. Fillova të ndihesha si mbi baskia. Kur, cërrrr. Erdhi mesazhi. Ma kishte dërguar numrin. Tani e kisha numrin e tij, por nuk dija çka të bëja. Ta thërrisja, nuk kisha guxim. Ia cingërova, por asgjë. Me gjasë ia cingërojnë shumë vajza, thash me vete. Vendosa t’i drejtohesha me mesazh. Kur, po! Ma ktheu menjëherë. Dhe, kështu vazhdova që të komunikoja me të nëpërmes mesazheve derisa mu harxhua krediti. Mezi prisja që ta kryenim atë ditë shkollën, e ta mbushja telefonin, sepse ai mund të mendonte se unë nuk i përgjigjesha me qëllim. Kur, papritmas më erdhi një mbushje. Ma kishte dërguar ai. Dhe, përsëri ia krisëm mesazheve, derisa u lodhëm. Më pas filluam të dilnim. Ai më ftoi, gjoja kishte të ma jepte një CD. E dija se nuk ishte punë CD-je. Dolëm dhe, mora puthjen e parë. Ndihesha si mos më mirë edhe pse puthja nuk e di a zgjati një a dy sekonda. Pas dy muajsh të lidhjes, për herë të parë më tha se më donte. Dhe, shumë shpejt kaloi një vit nga fillimi i lidhjes sonë, e unë nuk mundja kurrsesi ta pranoja kërkesën e tij për seks. Nuk e di as sesi u ndamë. Me gjasë ai ishte më i madh dhe kishte nevojë për një intimitet më të madh. Nuk e di a kaluan dy muaj nga ndarja jonë, kur dëgjova se ai do të martohej. Kjo më befasoi, sepse edhe pse ishte më i madh se unë edhe ai ishte i ri. Por, më pas kuptova çdo gjë, pasi që mora vesh se e dashura e tij ishte shtatzënë. Nuk mund të besoja. Më dukej se në botë nuk kishte njeri më të gjorë se unë. (vijon)

(Kosova Sot)