Ngjarje e vërtetë: Vajza me pikëllim në sy (1)

  • 01 November 2017 - 13:48
Ngjarje e vërtetë: Vajza me pikëllim në sy (1)

E shikoja se si qante, derisa i dehuri i çirrej në fytyrë. Ai fliste me zë të lartë, por nga muzika e zhurmshme nuk dëgjoja se çka i thoshte. Sipas gjesteve të saj, si dhe në bazë të sjelljeve të atij të pacipit, kuptova se ai ishte i zemëruar. Ajo e shikonte atë me shikimin më të pikëlluar në botë. Kishte sy të kaltër dhe flokë të verdha dhe, do të thosha, pak më shumë se 20 vjet, derisa i pacipi me gjasë ishte sa dy herë ajo i vjetër. Sikur edhe unë. Derisa isha duke pirë kafenë e tretë me radhë, nuk mund ta ndaja shikimin nga tavolina fqinje, ku rrinin të ulur ata. Herë pas here më afrohej ndonjë i njohur i mërzitshëm, por me gjasë për shkak të disponimit tim të keq, asnjëri nga ta nuk qëndroi gjatë me mua. E, unë isha bërë nervoz për shkak të biondes së brishtë, me fytyrë fëmije dhe për shkak të të dashurit të saj brutal. Kurrë më parë në jetë nuk i kisha parë aty, e unë i njihja të gjithë ata që vinin në atë lokal. Të gjitha ato pispillaqet dhe “haramat” e tyre i njihja si paren e kuqe. Por, kjo vogëlushe ishte diçka e re në këtë botë, sikur ta kishte humbur udhën. Nuk isha i sigurt se a ishte ajo në lidhje me atë hamamin për shkak të parave, por arsye tjetër nuk mund të gjeja, duke i analizuar ata mirë e mirë. I thosha vetvetes se nuk duhej të më interesonte as ajo, e as shikimi i saj i trishtuar. Vetë e kishte fajin, tani ishte mjaft e rritur që të mund të vendosë se me kënd do të jetë në lidhje. Bile, mendoja, mos ndoshta ai kokëtrashi kishte të drejtë, ndoshta e kishte mashtruar, e kishte poshtëruar. Prandaj, mua nuk duhej të më interesonte një gjë e tillë. fundja, as që i njihja. Por, kishte diçka në sytë e saj që nuk më linte rehat. Aq pikëllim kurrë nuk kisha parë, prejse e mbaj mend veten. Në një moment ai u ngrit dhe ia ngjiti për dore. Ajo e ngriti shikimin dhe, për herë të parë, në sytë e saj pashë një ndjenjë tjetër, e cila më bëri të brofja në këmbë. Frika. Vajza e shikoi me frikë, sikur të mos e dinte se çka do ta priste atë mbrëmje. E njihja një punëtor të sigurimit dhe i thashë që të vinte me mua. Nuk e di se çka isha duke menduar ato momente, por nuk mund ta duroja mendimin se atë mund ta lëndonte ndokush. Ky mendim më çmendte. Ishte aq e brishtë, sa që më dukej se do të shkatërrohej e tëra me vetëm një të rënë. I përcollëm deri te parkingu. Kokëtrashi nuk thoshte asgjë, vetëm e tërhiqte nga dora, derisa arritën te automobili. E, më pas, e hodhi në veturë, e ajo nuk bëri as shenjën më të vogël të rezistencës. Vetura e Ermalit ishte parkuar aty afër, kështu që u nisëm pas tyre. Ermali nuk më pyeti asgjë. I përcillte ata i heshtur. Pasi që u parkuan, Ermali u tregua i mençur, duke parkuar veturën e tij më larg, që të mos na shihnin. I pritëm derisa dolën nga vetura. Pasi që e hapi dritaren, për herë të parë dëgjova fjalët e tij. I bërtiste të shkretës sikur të ishte çmendur, duke mos u mërzitur aspak që tanimë ishte natë. Mund të dëgjoja shumë qartë pse ishte i zemëruar ai. Ajo donte ta linte, e ai nuk mund të pajtohej me këtë. Nuk e kisha të qartë vetëm një gjë, pse ajo vazhdonte të heshtte. Athua, nuk kishte fuqi që të mbrohej? Pse i frikësohej aq shumë? Kur ai ia dha asaj flakareshin e parë, unë dhe Ermali dolëm si vetëtima dhe u nisëm me vrap kah ata. Para se të arrinim ne ai ia doli që ta godiste edhe një herë, por Mali iu gjuajt përsipër dhe e rrëzoi për toke. Unë e ngrita në këmbë vajzën që ishte duke qarë, i pëshpërita se çdo gjë do të ishte në rregull, e më pas fillova t’i ndihmoja Ermalit në “ndëshkimin” e kokëtrashit, i cili kishte marrë guximin t’i binte asaj. Nuk do të tregoja se çka i bëmë atij. Vetëm do të them se mori atë që meritoi. Nuk e vramë, kjo ka rëndësi, meqë isha aq i zemëruar, sa që mund t’i bëja gjithçka. Sikur në ato momente ta dëgjoja vajin e saj, nuk e di si do të reagoja. Të pacipin e “zbutur” e lamë në parking, kurse vajzën e çuam te një taksi. E pyeta a kishte para për ta paguar taksinë dhe a kishte ku të shkonte. Ajo pohoi me kokë. Ia dhashë numrin e telefonit, në rast se ai do t’i afrohej sërish. Pasi që u largua taksi, Ermali dhe unë hymë në veturë, e unë i thashë që të na çonte në kafenenë më të afërt. Për herë të parë, prej se e njoh, e pashë duke buzëqeshur. (vijon)

(Kosova Sot)