Roman Dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (1)

  • 05 November 2017 - 11:28
Roman Dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (1)

KAPITULLI I PARË

Atë mëngjes binte shi si me sixhim. Kalimtarët që nguteshin mezi iu iknin ndeshjeve midis tyre, me ombrellat e tyre të hapura. Ganja arriti në postë, ku punonte më shumë se dhjetë vjet, i ndihmoi shoqes e cila sapo kishte qitur kafe për të gjithë dhe u ul para sportelit. Për të, kjo ishte një ditë krejt e rëndomtë e punës, prandaj në fytyrën e saj vërehej një indiferencë. Kolegia afër saj, një bionde atraktive me gjinj të mëdhenj, sapo e martuar, murmuriste rreth asaj se si natën e kaluar burri e kishte befasuar me lule dhe pije. Dhe, derisa femrat e tjera i thoshin se në fazën e saj të martesës befasitë e tilla ishin të rëndomta, Ganja mundohej që t’i evitonte temat e tilla. Martesa e saj kishte zgjatur vetëm pesë vjet, por ajo kurrë nuk e kishte marrë veten pas shkurorëzimit. Kishte 11 vjet të plota që ishte e vetme, duke mos llogaritur lidhjet e kohëpaskohshme dhe meshkujt sikur që ishte Blerimi, ai me të cilin ishte duke “kaluar” tash e dy muaj. Plot 11 vjet kishte dëshiruar dhe pritur që të paraqitej ndokush në të cilin do të dashurohej marrëzisht, me të cilin do të lindte fëmijë dhe do ta plotë- sonte jetën e saj. Por, tani, kur i kishte mbushur të dyzetenjëtat, më nuk besonte në realizimin e këtyre ëndrrave, në shikim të parë krejt modeste. Sikur burri i saj të ishte thjesht një kodosh, ajo do të mundohej ta ruante martesën, meqë e donte atë pa masë, por ai e kishte tepruar kur e kishte mashtruar me një shoqe, në fakt me shoqen e saj më të ngushtë. I kishte parë duke u puthur me pasion dhe kishte kuptuar se për ta, ky nuk ishte takimi i parë. Shkurorëzimin e përjetoi shumë keq. Kishte injoruar çdo tentim të burrit që të pajtoheshin dhe kishte qëndruar me dinjitet deri në ditën kur edhe zyrtarisht u bë e ndarë.

Atëherë u dorëzua, filloi të qante, nuk dilte nga shtëpia, mezi takohej edhe me nënën e saj të brengosur. I ishte dashur gati një vit që ta merrte veten dhe t’ia fillonte sërish jetës. Më pas kishte hyrë në punë në postë, falë intervenimit të një shoku të babait dhe, që nga ai moment, i dukej sikur koha ishte ndalur, se asgjë nuk ndodhte, përpos që ajo plakej dhe gjithnjë e më pak besonte në dashuri, martesë dhe fëmijë. Një djalosh ishte afruar te sporteli dhe Ganja hetoi se ai ia shikonte dekoltenë. U skuq dhe e shikoi ashpër, por djali sikur nuk u mërzit fare. Kishte një palë sy djallëzorë, ngjyrë të gjelbër, të cilët ia kujtonin sytë e Blerimit, të cilin nuk e kishte parë tash e dy javë. Edhe pse çdo ditë komunikonin midis veti, qoftë edhe shkurt, ajo e ndiente mungesën e tij.

(Kosova Sot)