Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (3)

  • 07 November 2017 - 12:09
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (3)

Meti tash e disa ditë nuk ishte kthyer në shtëpi e as nuk kishte thirrur në telefon, prandaj zemra e nënës dridhej nga frika. Kjo kishte ndodhur edhe më herët, disa herë, e sa herë që Genta lajmëronte policinë, ai kthehej. Dikur as policia më nuk e merrnin Gentën seriozisht. - Zonjë, djali juaj është i moshës madhore. Kjo nuk është hera e parë që ai shkon diku dhe kthehet përsëri. Mos na thërrisni, kur e dini se ai e ka bërë shprehi që të largohet nga shtëpia. Dhe, Gentës i duhej të heshtte dhe të priste, por edhe të mos i tregonte askujt se e kishte të birin narkoman dhe sesi, çdoherë që largohej nga shtëpia kishte shumë rrezik që të mos kthehej kurrë më. Libri do të duhet të presë, mendoi Ganja dhe e thirri tjetrin, që ishte në rend, t'i afrohej sportelit.

KAPITULLI I TRETË

Genta përgatiti çaj dhe shërbeu ëmbëlsira. Ganja edhe një herë u mahnit me banesën e rregulluar të gruas thatanike, e cila vinte në pah se sa dashuri kishte investuar ajo në çerdhen familjare, që tani dukej si parajsë për të dëshpëruarin. - Faleminderit që erdhe. Kjo ishte një ditë e mundimshme dhe me gjasë mezi prisje të shkoje në shtëpi. - Ka pasur edhe ditë më të këqija, e në shtëpi nuk më pret askush. - As mua. Shikimi i Gentës për një çast u largua dhe Ganja mundi ta vërente një mërzi të madhe në fytyrën e saj të rrudhur. - Meti nuk të është lajmëruar? - Jo. Kjo është dita e tretë. - Do të vijë ai! - Shpresoj se do të vijë. Më beso, nuk e di edhe sa kohë do të mund ta duroj tërë këtë. Jam e dobët, e harxhuar, nuk më merr gjumi. E, edhe kur flej, shoh ëndrra të marra. - Të kuptoj se e ke vështirë, Genta, por duhet të bësh gajret. Mendoj se do të bëhej mirë sikur të shkoje diku për fundjavë. Ku të duash, për vetëm dy ditë. Më së miri diku në ajër të pastër ku do të mund të flesh më mirë. Dukesh tepër e lodhur. Fytyra e Gentës kishte rrathë të zi rreth syve, e flokët i dukeshin të çrregullta, sikur kurrë të mos ishte krehur. - Zor se mund të shkoj, sidomos kur nuk e di ku e kam Metin. E, pasi që e përmende një gjë të tillë, nuk të kam treguar se e kam plotësuar njëfarë fjalëkryqi shpërblyes dhe fitova një javë ditë qëndrim në banjë për dy persona. Tani nuk e di se çka të bëj me këtë shpërblim. Prit, po ti ke ende ditë të pashfrytëzuara të pushimit, e di që vjet nuk i ke shfrytëzuar të gjitha. Do të mund të shkoje me ndokënd, në vendin tim. - Genta, as unë nuk kam me kë të shkoj. - Shpresoj ta kesh ndonjë shoqe, apo jo? - Kam, por të gjitha ato janë të martuara dhe nuk kanë kohë që ta kalojnë me mua në banjë. E, pse nuk po shkojmë ne të dyja? Edhe ti ke ditë të lira, sa e di. (vijon)

(Kosova Sot)