Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj TË PRINDËRVE TË TIJ (3)

  • 11 December 2017 - 12:39
Ngjarje e vërtetë: E prishi fejesën për faj TË PRINDËRVE TË TIJ (3)

- Unë e di se familja jote nuk e miraton lidhjen tonë, por kur t'i përfundosh studimet dhe të gjesh një vend të punës me leverdi, do të mund që të martohemi. Atëherë do ta kemi jetën tonë. Dua që gjithmonë të jemi së bashku, dua që gjithmonë të jem me ty Blerina - më tha, pasi që më në fund u largua nga përqafimi im. - Por, ti as që më ke propozuar - buzëqesha, sepse e dija që Bardhi nuk kishte aspak shije për të qenë romantik. Që të gjitha tentimet e tilla do të përfundonin si pa përfitim, por me një buzëqeshje të përbashkët. Kështu që për ditëlindjen time të fundit, të cilën e kemi festuar së bashku, më kishte blerë një lule në vazo. Por, kishte harruar ta ujiste dhe kur ma kishte dhuruar, pothuajse lulja ishte vyshkur. Me gjithë mundin që kisha për lulen, nuk ia dola ta shpëtojë, por edhe sot e kësaj dite, atë lule, atë që ka mbetur nga ajo, e mbaj në vazo. - Do të thotë, paraprakisht më duhet të bie në gjunjë dhe propozimin ta bëj në mënyrën e duhur - po bënte shaka dhe menjëherë u ul në gjunjë, në parkun jo larg fakultetit. Pas propozimit të tij qesharak dhe përgjigjes sime pozitive, ai u ngrit në këmbë, e më pas kemi vërejtur se si një çamçakëz, që kishte qenë në tokë i ishte ngjitur në pantallonat e tij dhe që të dy ia plasim së qeshuri. Me Bardhin gjithçka ishte argëtuese dhe shumë e thjeshtë. Por, shumë shpejt u vërtetua se nuk ishte krejt ashtu. - A je në vete ti? Po e përfundon mjekësinë dhe dëshiron të jesh gruaja e atij, e nuk e di si ta quaj dikë që duart e tij kundërmojnë nga aroma e vajit të makinave - nëna nuk po i zgjidhte fjalët. Mënyra se si prindërit e mi e kishin pritur propozimin e Bardhit ishte shndërruar në pritjet më të këqija të mundshme. Nuk isha e gatshme për një bisedë aq të ashpër, kështu që kryesisht kam heshtur karshi mllefit dhe zemërimit të tyre, apo lirisht të themi, urrejtjes së tyre. - Nuk të ka mjaftuar që për një vit je shëtitur poshtë e lart me të, e tash dëshiron që edhe para altarit të dalësh me të. Mblidh mend vajzë. Ajo botë e ndyrë nuk është për ty. Do të bëhesh mjeke, sepse para teje është një e ardhme e ndritur. A dëshiron të na shkatërrosh - po fliste babi, e më pas nëna po më bërtiste me zë të lartë: - Mos vallë je shtatzënë? Këtë nuk do të mund ta përpija! - Jo, nuk jam shtatzënë - thashë me gjysmë zëri. - Duam që menjëherë ta ndalosh atë lidhje - i ati im ishte i pa mëshirë dhe që aty e kam kuptuar se ata kurrë nuk do ta pranojnë Bardhin si dhëndrin e tyre. Por, unë nuk e kisha mendjen që të largohem prej tij. E dija se nuk kisha gjasa në fjalosjen me prindërit e mi. Vetëm sa do t'i zemëroja edhe më shumë, përderisa lëndimet në drejtim të Bardhit dhe familjes së tij të varfër nuk po mund t'i duroja. Mirëpo, unë ende nuk i kisha përfunduar studimet, ata po më shkollonin dhe po jetoja në shtëpinë e tyre. Prandaj vendosa të pres për sa i përket martesës, derisa që të pavarësohem dhe të mos ua përmend më. Kur më thanë krejt çfarë kishin për të thënë, ju thashë, me një zë sa më të qetë: - Më vjen keq që ju nuk e pranoni Bardhin. - Pra, kjo do të thotë se do të ndahesh prej tij - po insistonte nëna ime. - Kam të drejtë në jetën time - thasë në vend se t'i përgjigjem. Derisa po dilja jashtë shtëpisë, i ati im po bërtiste pas meje: - Dhe nuk dua që kurrë më në shtëpinë time ta përmendësh emrin e atij lypsari. Bardhi dhe unë po vazhdonim me takimet tona dhe unë fare nuk e kam përmendur reagimin e prindërve të mi. Kurrë më nuk e kemi përmendur as martesën e Bardhit gjithnjë e më shumë po bëhej i paparamenduar dhe i padisponuar. Isha e sigurt se diçka po e mundon, por secili tentim që unë ta kuptoj nuk kishte rezultuar me një përgjigje. - Gjithçka është në rregull e dashur. Vetëm ti e di që nëna ime jo shumë moti ka mbetur pa punë. Ende nuk i ka pesëdhjetë vjet. - Më vjen keq - nuk e dija çfarë t'i them, sepse problemet e tilla për mua ishin të huaja dhe e dija se Bardhi po jetonte në një gjendje jo të mirë financiare dhe secilin cent që e fitonte ua jepte prindërve të tij. Së shpejti e kalova edhe provimin tim të fundit dhe kësaj radhe kisha vendosur që Bardhin ta dërgoj për darkë. Por, ai nuk po u përgjigjej më thirrjeve të mia. (VIJON)

(Kosova Sot)