Si i tregova burrit se djalin NUK E KISHA ME TË (2)

  • 24 December 2017 - 15:51
Si i tregova burrit se djalin NUK E KISHA ME TË (2)

Po ecja nëpër qytet dhe po më kujtohej se si përafërsisht në të njëjtën kohë, dhjetë vite më parë, në një takim të punëtorëve e kisha takuar Dinin. Ishte kjo një dashuri në shikim të parë. Pas vetëm disa fjalive, pa bërë lajka, më kishte thënë se jam gruaja e ëndrrave të tij. Edhe ai mua më kishte pëlqyer pa masë. Ashtu sa edhe mundja ta vlerësoja. Ishte disa vite më i vjetër sesa që isha unë, por në gisht kishte një unazë. Ndoshta në martesë nuk është i lumtur, kështu po më thoshte mendja. Shumë shpejt kuptova për të krejt çfarë kisha nevojë. Dini ishte një drejtor i në shkolle fillore këtu afër. Ishte në martesë me Kaltrinën, me një zyrtare që punonte në komunë dhe nuk ishte aspak i kënaqur me jetën e tij. Kaltrina, në fakt nuk po mund t'i lindte fëmijë. Aq shumë ai më tërhiqte saqë nuk po mund të ndikoja në vendimet e mia. Dhe, kështu u futa në një lidhje me një burrë të martuar, ndërsa në dy muajt e fundit që i kalova me të ai më bindi se asnjë femër deri më tani nuk e kishte dashuruar sa mua. - Nuk e kam për qëllim që gjithë jetën time të qëndroj me Kaltrinën. Jam lajmëruar edhe si kandidat që të marr një banesë dhe, kur të marr banesën edhe do ta kërkoj shkurorëzimin. Kaltrina do të pranojë, edhe ajo e ka të qartë se martesa jonë nuk mundet të ekzistojë pa fëmijë. Mbaju e duro edhe ndonjë muaj dhe gjatë gjithë jetës do të jemi së bashku - po ëndërronte Dini rreth ardhmërisë sonë të përbashkët. Ëndrrat e tij disi më prekën. Aq e dashuruar sa isha në të, do ta dhuroja gjithë botën që nëpër qytet të shëtisim së bashku, të përqafuar, e para vetes po shtyjmë karrocën me fëmijët tanë. Nuk e kujtonte fare faktin se do ta ketë të vështirë që Kaltrinën ta hiqte qafe aq lehtë. Në mënyrë të fshehtë ne takoheshim në banesën e një mikut të tij, i cili jetonte jashtë vendit. Lidhja jonë ishte gjithnjë e më e fortë, e një ditë Kaltrina po më priste para shkollës. Porsa më ishte prezantuar e ndjeva se si gjunjët e mi po dridheshin. Kur ma tha se ajo dinte gjithçka rreth lidhjes tonë, nga turpi vetëm sa nuk u rrëzova në tokë. Më preku disi edhe ai shikimi i saj i humbur, në të cilin nuk kishte aspak mllef të një gruaje të tradhtuar nga burri i saj. Përveç pikëllimit dhe vuajtjes se do ta humbasë burrin e saj, nuk kishte gjë tjetër në fytyrën e saj. - Jeni e bukur dhe jeni grua e edukuar. Me siguri se nuk do ta keni të vështirë ta gjeni një burrë. Lëreni rehat Dinin tim, unë nuk mund ta imagjinoj jetën time pa të. Isha e turpëruar. Po ashtu isha e mërzitur sepse ajo grua po më përgjëronte të mos prekja në martesën e saj. Aty për aty i kam premtuar se unë dhe Dini kurrë më nuk do të takoheshim. Dhe ashtu edhe ndodhi, e kam mbajtur premtimin. E vërteta ishte se jo me dëshirën time. Me insistimin tim, Dini u zhduk nga jeta ime. Provoja ta merrja në telefonin mobil, por me ditë të tëra nuk ishte në dispozicion. E kam thirrur edhe në vendin e tij të punës, ndërsa sekretarja e tij më thoshte se ishte në takime. Kisha lënë edhe porosi të shumta, por thirrja nuk më ishte kthyer kurrë. Ditëve në vijim shpeshherë po ndjeja mundime dhe të vjella, por krejt këtë ia ngarkoja Kaltrinës, tensionimit dhe mënyrës se si isha ndier derisa bisedoja me të. Natyrisht, vëllai dhe kunata ime nuk e kishin as idenë më të vogël se çfarë po ndodhte me mua. Prej tyre me kujdes po e fshihja lidhjen time me një mashkull të martuar. Pasi që Dini nuk po lajmërohej, në zemrën time u fut një mërzi, vuajtje dhe pikëllim. Me ditë të tëra nuk po dilja nga shtëpia. Mendoja se të gjithë mund ta vërenin dhimbjen që ia kisha kushtuar asaj gruaje. Por, nuk mund të qëndroja edhe aq gjatë midis katër mureve, kështu që fillova të dilja nëpër shëtitje të gjata. Kështu mendova me veten time, se më së miri do të ishte që përgjithmonë të largohem nga ky qytet. (vijon)

(Kosova Sot)