Ngjarje e vërtetë: Si i tregova burrit se djalin NUK E KISHA ME TË (3)

  • 25 December 2017 - 13:17
Ngjarje e vërtetë: Si i tregova burrit se djalin NUK E KISHA ME TË (3)

Derisa rrija ulur në ballkonin para kafenesë, mu afrua kamerieri dhe më pyeti a isha duke pritur dikë, apo do të porosisja menjëherë.

- Nuk e pres askënd. Ma sillni, ju lutem, një kafe dhe një ujë mineral - u përgjigja disi si me shkujdesje. Kur u kthye kamerieri pas disa minutash, tanimë i kisha përgatitur paratë dhe doja të paguaja. - Më lejoni t'ju qeras. Ju jeni myshteriu i parë që shërbej. Sot kam filluar punën. Përndryshe, sapo kam përfunduar ekonominë, e këtë punë do ta bëj derisa të mos e gjej një punë në profesion - më tha i riu, e unë vetëm i urova fat.

- Ejani sërish, të ma e zbukuroni jetën - më përcolli me fjalët në të cilat hetova dëshirën për t'u shoqëruar. Derisa isha duke u kthyer në shtëpi, në mënyrë instinktive fillova ta krahasoja atë djalë me Dinin. Atëherë nuk e dija sesi kamerieri simpatik shumë shpejt do ta zinte një vend në zemrën time. Kur shkova të nesërmen, ai mu afrua me një buzëqeshje të madhe në fytyrë. Dukej sikur më kishte pritur vetëm mua.

- Së shpejti do të më mbarojë ndërrimi. Nëse dëshiron, mund të shkojmë të hamë bashkë - më tha. - Do të ishte mirë që, para kësaj, të njoftoheshim - i thashë duke buzëqeshur.

- Unë jam Agimi, e ti? - Meri! Ai filloi ta këndonte një këngë, por në vend të "Meli, Meli", thoshte "Meri, Meri". Më bëri të qeshja nga zemra. Afrimi ynë u zhvillua shumë shpejt. Derisa hanim, ma pranoi se më kishte vërejtur sapo kisha shkelur në lokal. Më bindte sesi takimi ynë, në fakt, ishte i shkruar, meqë me javë të tëra ishte në kërkim të një vajze serioze, me të cilën do të vihej në kërkim të një jete më të mirë. Shumë ma kujtonte Dinin. Që të dy kishin sy të zinj dhe buzë të plota. Me përjashtim që Dini kishte flokë kaçurrela, kurse Agimi krejt të drejta. Edhe pse Dinin e doja me gjithë zemër, kjo njohje më kishte ndihmuar që gjërat t'i veja në vendin e duhur. Më duhet të pranoj se kisha gabuar shumë. Lidhja me një njeri të martuar nuk është diçka me çka mund të krenohem. Në anën tjetër, Agimi haptazi ma bëri të ditur se sa më donte. E lexoja si libër të hapur, e ai as që mundohej t'i fshehte mendimet dhe ndjenjat e tij.

- Meri, të kam dëshiruar sapo të kam parë. Edhe atë jo vetëm për një natë, por për tërë jetën. Nëse edhe ti ndien njësoj, atëherë të ikim nga këtu. Nuk do të na shkojë tërë jeta duke kërkuar një punë më të mirë - më tha plot me shpresë. Ndieja se mund t'i besoja dhe nuk mendova gjatë. Meqë gjërat ishin zhvilluar tepër shpejt midis nesh, as mua, e as atë nuk na habiti fakti që, shumë shpejt përfunduam në shtrat. Nuk mendoja që, deri para dhjetë ditësh, isha në përqafim të një mashkulli tjetër. Meqë fillova të mos ndihesha mirë në mëngjes, shkova te mjeku, i cili më tha se isha shtatzënë. Agimi u befasua për të mirë kur i thashë se do të bëhej baba.

- Nuk mendoja se do të ndodhte kaq shpejt, por megjithatë kjo është një ngjarje e mirëseardhur - tha. U martuam dhe shkuam në një qytet tjetër. Lumin e linda tri javë para kohës që kisha llogaritur. Lindjet e parakohshme nuk ishin të rralla, mendova, e atëherë mu kujtua Dini. U rrëqetha nga mendimi se Lumi mund të ishte i biri i tij. Meqë Agimi nuk manifestonte asnjë dyshim, arrita ta bindja veten se isha paranoike. Mendimet nostalgjike m'i ndërpreu era, e cila filloi të frynte gjithnjë e më fort. Fillova të ngutesha për në shtëpi, ku tanimë më priste djali im.

- Diana thotë se nesër do të ketë valë të mëdha të detit, prandaj nuk do të dalim në plazh. A do të më qesësh në qytet? Më duhet që t'ia blej babait një dhuratë e, edhe ashtu, më hahet një akullore - insistonte Lumi.

- Natyrisht, e do ta vizitojmë edhe portin detar - i thashë duke buzëqeshur. Me gëzim ia plotësoja çdo dëshirë djalit tim. (vijon) 

(Kosova Sot)